Shembulli i Riad Asllanit

21 Nëntor 2014 - 10:24 - Halil Matoshi      

Krimit qeveritar ndaj Universitetit Publik të Prishtinës (Ramë Buja dhe Organizata e veteranëve të UÇK-së) po i vjen fundi. Dhe këtë fund e paralajmëroi një student, Riad Asllani, i biri i një dëshmori. Derisa rektori i Universitetit Publik të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, është n’zor nga kërcënimet e veteranëve të UÇK-së, një student dhe qytetar shembull i del në krah. Asllani i ka dalë në krah Kosovës normale edhe tashti kur blloku opozitar po e tradhton...

1.
Vendimi i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, nën influencën e një shoqate qytetarësh që e përdor akronimin UÇK e që duket të jetë e specializuar për kërcënime e shantazhe të qytetarëve, për regjistrim me automatizëm në universitetin publik “Hasan Prishtina” të Prishtinës të mbi 1000 studentëve, fëmijë të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, të invalidëve dhe veteranëve, ka nxitur një zinxhir reagimesh.

Ramë Buja, ministër në shkuarje, ka bërë një ndërhyrje që e cenon lirinë e UP-së, pasi ky institucion ka autonomi të plotë në raport me pushtetin politik.
Por, pavarësisht se për këtë çështje ekziston një memorandum mirëkuptimi i nënshkruar nga ish- reaktori idhnak e përrallexhinj, Mujë Rugova, me organizatat e dala nga lufta dhe Ministria e Arsimit, kundër regjistrimit në këtë mënyrë janë studentët e ndërgjegjshëm se në dije nuk ka privilegje, profesorët me etikë dhe vetë rektori Ramadan Zejnullahu, i cili po përballet i vetmuar me grupe që nuk i binden shtetit ligjor.

Kundër privilegjeve në nxënie të dijes doli edhe studenti Riad Asllani, fëmijë dëshmori, i vetëdijshëm se atij do t’i vlejë vetëm një diplomë e fituar me dije dhe në konkurrencë, e jo një diplomë e “fituar” në emër të luftës, të dëshmorëve, martirëve ose invalidëve e veteranëve të UÇK-së.
Ai i tha medias në Prishtinë se babai i tij ka luftuar për një shtet ligjor të Kosovës, ku do të mbizotërojnë e mira dhe drejtësia dhe ku gjithçka i atribuohet shoqërisë së lirë e demokratike, ku vendi në universitet fitohet me meritë e jo në bazë të familjes, qoftë ajo edhe heroike.

Tash Riad Asllani është 19-vjeçar dhe është në vitin e dytë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.
Ai dëshmon se është pranuar me merita të plota, pa kurrfarë intervenimi, dhe për këtë duhet të jetë krenar.
Por këshilltari i ministrit të Arsimit, Arbër Morina, i ka thënë Kohavisionit se vendimi për t’i regjistruar 1000 studentë jashtë rregullit universitar është i drejtë.
Përderisa Riadi e quan këtë privilegj të padrejtë, sepse mund ta lërë dikë që vërtet e meriton jashtë UP-së për ta futur aty dikë që s’e ka syrin e shkollimit.

Ata që kërcënojnë një rektor, ose secilin qytetar të lirë të Republikës janë armiq të lirisë. Dhe me ta nuk do të merrem.
Mua më interesojnë idetë që çojnë përpara emancipimin shoqëror, demokratizimin dhe perëndimorizimin e saj.
Kur e sheh se je i rrethuar nga politikanë injorantë e agresivë, bespremë e të paskrupullt, të korruptuar e zhvatës të popullit të tyre, të cilët sot grupohen me opozitën dhe kinse për parime dashkan të flijohen e të nesërmen i hidhen në prehër Hashim Thaçit; kur e sheh se ka degraduar gjithçka përreth, madje edhe ata që veten e quajnë veteranë të ish-gueriljes UÇK, e të cilët po e ushtrojnë ende ligjin e të fortit, zanatin e shantazhuesve dhe të kërcënuesve; kur e sheh se je i rrethuar nga mjerimi dhe një mijë të zeza, të duket se je i pashpresë!?

Hëmmm! Do të të duhen dekada të tëra për të ndrequr diçka...
Ose qytetarët duhet t’i pyesin këto organizata edhe sa dekada ose shekuj (mo zo ma keq!!!) Kosova u ka borxh atyre, për t’u larë!? Dhe cili është ai borxh a aht!?
Dhe a duhet që të shpërbëhet secila vlerë për hir të tekeve të tyre?
Po, vërtet a kanë shkuar ata në luftë për obligim atdhetar apo për shpagim me para, privilegje e poste publike!?

Porse kur befasisht lexon deklaratën e studentit Riad Asllani, të birit të një dëshmori të UÇK-së, të rikthehet sakaq optimizmi se Kosova do të bëhet nga kosovarët si ai.
Jo vetëm një, por shumica e studentëve e mbrojnë qëndrimin parimor të rektorit.
Mirëpo mbrojtja që i bëri studenti Riad Asllani UP-së në këtë rast është shembullore, lajm i mirë për këtë vend të mjerë. Pse?
Ndonëse vetë bir dëshmori, ai nuk do të pranonte të regjistrohej si i privilegjuar, por si i merituar!

Dhe kjo të jep shpresë se Kosova do të bëhet!
Do të bëhet vend i lirive civile, i dijes dhe i humanitetit, sepse të tillë e dëshiron Riadi.
Të tillë e ka dëshiruar edhe babai i tij, dëshmor i UÇK-së.
Riadi nuk e do Kosovën si vend të të privilegjuarve (fituesve) dhe të të mundurve!?

Po kush e humbi luftën në Kosovë?
Serbia apo shumica e shqiptarëve kosovarë të nxjerrë në margjina të jetës shoqërore?
Riadi, megjithatë, të jep shpresë, sepse e do Kosovën vend të barazisë, shtet të së drejtës!
Riad Asllani është ndër të rrallët që e pranon këtë dhe bravo i qoftë!
Laudatio për Riad Asllanin.

2.

Blloku opozitar LAN ose koalicioni paszgjedhor fillimisht ishte bashkuar duke e shitur këtë bashkim në publik si çështje parimore, për t'i thënë jo keqqeverisjes së vendit, pra për t'i dhënë vendit shpresë.
Në këto kondita bllokut iu bashkua edhe lëvizja “Vetëvendosje” me këto synime, pra për ta penguar krijimin e Qeverisë "Thaçi 3".
Dhe rreth idesë së alternativës ndaj qeverisjes kleptokratike të Hashim Thaçit, blloku fitoi një mbështetje të gjerë qytetare.

Ndonëse u humbën pesë muaj (pata shkruar se blloku detyrohej ta votonte të nominuarin e PDK-së konform me verdiktin e Kushtetueses, por në këtë vend ka gjithandej njerëz që
flasin dhe gjithnjë e më pak që dëgjojnë se ç’flitet!?), blloku duhet të dëshmojë se është në krah të qytetarëve e jo kundër tyre.
Tashti është koha!
Mirëpo,tashti po del se postet (pushteti personal) qenkan "Thembra e Akilit" për t'iu përmbajtur marrëveshjes së 10 qershorit, e jo kauza e cila i bashkoi.
Tashti paturpësisht rangjet e dyta e të treta të bllokut po hahen në mes vete pa shije dhe pa dinjitet dhe integritet qytetar dhe politik, se kush çfarë formati i politikanit është.

Do të thosha se kjo klasë politike, duke e përfshirë edhe bllokun e deritashëm, po dëshmon se është e mendësisë së vjetër mujshore e pa ide, shterpë dhe anakronike, prandaj qytetaria e vendit duhet t'i thotë jo, në bllok, që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen ato. Kjo klasë politike nuk i ofron tutje Kosovës asgjë pos agresivitetit dhe dhunës, vjedhjes dhe zhvatjes, cenimit të lirive të njeriut dhe të atyre civile, modelit mafioz në shtetndërtim dhe klientelizmit e nepotizmit.
Kjo klasë politike nuk përkon me vlerat e shekullit 21, aq më pak me vlerat e përbashkëta evropiane.

Ajo po sillet me mendësinë fisnore-mafioze, sipas rregullave e kodeve të vëllazërisë, e më shpesh si një lidhje farefisnore, ku “Bali” i madh i merr në mbrojtje vëllezërit e motrat më të vegjël, dajat e tezet, nipat e mbesat; duke e vrarë idenë e lirisë, demokracisë dhe të shtetit zhvillimor.
Ata që dikur përbeheshin se nuk do të qeverisin me Thaçin, tashti po duan që t'i hidhen në prehër!

Kaq bespremë e të ulët po shfaqen disa kinse-politikanë të bllokut, në luftën e tyre të paskrupullt për pushtet personal.
Thaçi ka qeverisur me banditë dhe kleptokratë e injorantë, me analfabetë funksionalë, duke u përpjekur të shfaqet së paku i dinjitetshëm në publik, dhe t’ia ruajë dinjitetin dhe fytyrën Republikës së paku para të huajve, kurse blloku po dëshmohet se është edhe injorant, edhe i padinjitetshëm, në pjesën e vet më të madhe.
Dhe shumë nga ata që e përbëjnë këtë bllok po shfaqen edhe të pafytyrë!
Si qytetarë të këtij vendi, eksponentë të këtij blloku opozitar, ditëve të fundit me fjalor rrugaçësh më kanë bërë të ndihem keq që jetoj në kohën e tyre.

Qytetari normal kosovar do të ndihet i mashtruar dhe i poshtëruar, nëse LDK dhe Isa Mustafa i bëhen patericë e pushtetit PDK-së dhe Thaçit.
Dhe nuk e di a mendon LDK-ja se në Kosovë do të ketë edhe zgjedhje të tjera të lira apo mjaftohet me katër vjet në pushtet, duke e shkatërruar idenë e lirisë dhe të qytetarisë, por edhe vetë partinë e vizioneve demokratike e perëndimorizuese të Ibrahim Rugovës.
Besohet fuqishëm se LDK-ja me PDK-në në bashkëqeverisje do ta pësojë fatin e AKR-së së Pacollit, do të mbetet kurdo jashtë Kuvendit të Kosovës, si parti poltrone dhe pa kurriz, duke mos e kaluar censusin prej 5-përqindëshit...

Prandaj nëse tashmë nuk është vonë, zëri qytetar i thërret ata burra që e kanë arritur marrëveshjen e 10 qershorit, që të kthjellohen dhe të mos u japin zhgënjim e mashtrim qytetarëve kosovarë, por të rrinë bashkë duke bërë edhe flijime, për t’i dhënë vendit vërtet qeverisje të mirë dhe për t’ia kthyer dinjitetin...
Isa Mustafa, si lider i LDK-së, parti që njihej si institucionaliste dhe qytetare, duhet të reflektojë edhe për të ardhmen e partisë, edhe për qytetarët e Kosovës, pra për shtetin e së drejtës.
Ai duhej të flijohej për shtetndërtim e jo për një vend pune...
Sepse nga ai varet se a do ta zhvatin e kërcënojnë Kosovën ende spiunët dhe kleptokratët e Hashim Thaçit!

Isa Mustafa duhet t’i përmbahet marrëveshjes, sepse ai ishte ulur në “fron” si kryetar Kuvendi, por Gjykata Kushtetuese e shpalli të paligjshëm.
Pra, të tjerët i janë përmbajtur marrëveshjes deri më tani.
Ende nuk është vonë për Isa Mustafën të dëshmojë fisnikëri dhe qytetari.
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...