26 Shtator 2014 - 08:34 - Halil Matoshi
Presidentja e vendit si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve dhe si mirëmbajtëse e unitetit të popullit, do të duhej ta inauguronte “tryezën politike” të përditshme, ku liderët e partive/koalicioneve dhe grupimeve tjera politike do të reflektonin për të arritur një zgjidhje për krizën institucionale.
Mirëpo puna e parë që duhet ta bëjë ajo është që t’ia “marrë pushtetin” një gruaje tjetër, Flora Brovinës, e cila po e ushtron puçin permanent të PDK-së mbi Kuvendin e Kosovës, pa mandat dhe krejtësisht jashtëligjshëm.
Mirëpo, duket ashiqare se zonja Jahjaga nuk ka as vullnet politik dhe as autoritet ta bëjë këtë.
Se zgjidhje ka.
E para, PDK-ja të bindet që ta pranojë rotacionin paqësor të pushtetit, duke e nominuar një kandidat të V-LAN-it për kryetar Kuvendi ose duke bërë një marrëveshje për një kandidat konsensual, për të kaluar kështu në opozitë, sepse realiteti flet se në Kuvend është krijuar një shumicë tjetër parlamentare.
Por duket sheshit, PDK-ja nuk është e gatshme të jetojë pa pushtet, sepse mbetja në opozitë po i duket fundi i botës.
Duke qenë se V-LAN-i nuk ka mekanizëm legal për ta përmbaruar konstituimin e Kuvendit, me të gjitha trupat e tij drejtuese, sidomos jo pas atij vendimi nebuloz të Gjykatës Kushtetuese, e cila po e luan rolin e një “Pushteti despotik” mbi pushtetet, në mungesë të marrëveshjeve politike do të duhej të arrinte një marrëveshje politike që V-LAN-i për hir të krijimit të mundësisë që ta ndërtojë Qeverinë e re për dy javë dhe ta ndëshkojë qeverisjen e keqe, ta votojnë një kandidat të PDK-së kushdo qoftë ai për kryetar të Kuvendit të Kosovës; vota për një kandidat të PDK-së, së këndejmi nuk është detyrim ndaj deputetëve, ose imponim i një vullneti politik, porse thjesht një marrëveshje politike, e cila mund të realizohet në Kuvend.
Mirëpo për këtë akt duhet patriotizëm konstitucional dhe moral i lartë politik.
Është paradoksal dhe konfuz qëndrimi i V-LAN-it që sefte e ka pranuar verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, pastaj e ka kontestuar atë, duke e quajtur politikisht të influencuar dhe skandaloz, por sërish ka gjetur një fije shprese tek pika 126 (s’ka zgjedhje të reja!?) dhe te pika 127 e verdiktit, e cila po thoshte se deputetët duhet të gjejnë zgjedhje brenda Kuvendit, por gjithnjë në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores së punës së Kuvendit, në bazë të të cilave edhe u bë konstituimi i Kuvendit më17 korrik, porse Gjykata Kushtetuese e shpalli të paligjshëm në formë dhe përmbajtje.
Tashmë është e qartë se marrëveshje mes dy blloqeve nuk do të ketë, prandaj në këtë sens është e pakuptimtë një kinse seancë prej 2-3 minutash, ku sërish dështon një kandidat i PDK-së dhe sërish deputetja më e vjetër e pezullon seancën (ajo vetëm këtë detyrë e ka!?), prandaj së pari presidentja duhet t'ia marrë këtë rol që ia ka dhënë vetes Brovina duke thirrur tryezën e partive parlamentare dhe duke bërë trysni mbi PDK-në që të heqë dorë nga puçi mbi Kuvendin, përkatësisht që të bisedohet për ndonjë kandidat të mundshëm konsensual.
Pra, zgjidhja e tretë, sado e dhimbshme dhe me kosto të lartë, është që pas shterimit të negociatave me liderët, presidentja e vendit të marrë vendim që mandatet t’ia kthejë sovranit, përkatësisht që ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda një muaji.
Nëse do të kishte Kosova parti e liderë të përgjegjshëm, PDK-ja do të duhej të tërhiqej, për arsye të thjeshtë se nuk ka partnerë për koalicion qeverisës, dhe nuk po ka vota të mjaftueshme as për ta zgjedhur të parin e Kuvendit, mirëpo PDK-ja fatkeqësisht nuk është ende forcë politike e gatshme për ta pranuar rotacizmin e pushtetit në mënyrë të qetë, sepse lidershipi i saj po mendon se i takon asaj të ndërtojë institucionet, sepse ka dalë e para në zgjedhjet e 8 qershorit, madje sipas një mendësie paradoksale, veç sa nuk po thotë se blloku e ka për detyrim ta votojë PDK-në!?
Mirëpo kjo parti nuk po reflekton rreth thelbit të çështjes: athua pse askush nuk po do t’i bëhet partner në qeverisje?
Përgjigjja rri e fshehur në vet pyetjen, porse PDK-ja nuk ka vesh për gjëra kaq sensitive në demokraci parlamentare.
Shumë eksponentë të V-LAN-it janë të bindur se PDK-ja përfundimisht duhet të shkojë në opozitë, duke ia marrë të drejtën e udhëheqjes me Kuvendin, ndonëse posti i kryetarit të Kuvendit nuk i përket Ekzekutivit, pra nuk është fare pushtet.
Kështu që fare lehtë është e mundshme që PDK-ja të udhëheqë Kuvendin, kurse V-LAN-i me Qeverinë dhe kjo në thelb nuk është bashkëqeverisje, sepse pushtetet janë të ndara.
Në fakt jam kategorikisht kundër një Qeverie gjithëpërfshirëse, sepse në këso situate askush nuk do të merrte përgjegjësi për punët e shtetit, dhe të gjithë do të bënin kokrrën e sefasë, të gjithë do të ishin të lumtur.
Porse de facto ajo do të ishte një Qeveri e legjitimimit të krimit ekonomik, korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse askush s’do të fliste, të gjithë do t’ua mbyllnin syrin të gjithëve.
Pra ky model qeverisës i konvenon PDK-së për ta fshehur qeverisjen kriminale nën tepih dhe për të dalë sërish e pastër në skenë, pra duke ua mundësuar kryeministrit, ministrave e shefave të agjencive shtetërore shpëlarjen e duarve të pista!
PDK-ja mundet me lehtësi ta nominojë Isa Mustafën për kryetar Kuvendi, por vetëm me kusht që LDK-ja ta mbështetë Hashim Thaçin për mandatar Qeverie, përndryshe kauza e PDK-së janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
PDK-ja nuk zmbrapset nga pushteti në mënyrë të qetë dhe unë druaj se vendi po shkon drejt një krize të re, anarkiste!
E them këtë duke pasur parasysh edhe pasivitetin e padurueshëm të presidentes së vendit, përkatësisht mbështetjen e heshtur që ajo po ia jep PDK-së.
Presidentja po “sundon” me lehtësi të padurueshme përmes kumtesave bajate e të paobjekt të Arbër Vllahiut, një ish-gazetari që gjatë tërë shekullit të tij gazetaresk ka edituar e emetuar vetëm kumtesa zyrash vendore e ndërkombëtare.
Dhe nuk njihet për asgjë serioze.
Mirëpo vardisja ndaj pushtetit të Hashim Thaçit i shërbeu si katapultë drejt e në zyrën e Atifete Jahjagës – zyrë e cila nuk i meriton paratë e qytetarëve për ta mbajtur të hapur – a po e shihni pra se vendi po bëka edhe pa Presidencë?
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...