24 Tetor 2015 - 08:40 - Adriatik Kelmendi
TASH NE MUND të vazhdojmë të gënjehemi mes vete, por nëse duam të flasim troç, atëherë nuk ka se si të mos konstatojmë se situata ndarëse e polarizuese në mesin e subjekteve politike në Kuvend është bukur artificiale.
Por, para se t’i rendisim argumentet që flasin për artificialitetin sipërfaqësor të kësaj situate të bllokimit në pozicione, duhet nënvizuar se nuk besoj të ketë ndonjë deputet shqiptar në Kuvendin e Kosovës, i cili të jetë i kënaqur me marrëveshjet e Brukselit, sidomos me atë për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Për të mos ripërsëritur këtu shumë argumente të diskutuara kohëve të fundit, një përkufizim i ndarjes së sotme është ky: partitë që janë në koalicionin qeverisës e proklamojnë këtë si të keqen më të vogël të mundshme nën rrethanat aktuale, kurse ata të opozitës si një të keqe me të cilën do të mund të luftohet pushteti.
Mirëpo ky diskurs i të dyja anëve, fatkeqësisht, vetëm sa po e relativizon rrezikun e Asociacionit/Bashkësisë. Kjo për faktin që, duke dashur t’i kundërpërgjigjen agresivitetit të opozitës, përfaqësuesit e pushtetit po shkojnë panevojshëm larg në të mbrojturit e Asociacionit/Bashkësisë, duke relativizuar dëmshëm rrezikun që ai paraqet për funksionimin e Kosovës si shtet. Kurse opozita, duke përdorur metoda të dhunshme që qartazi nuk po përkrahen nga qytetarët, po e relativizojnë njësoj vetë Asociacionin/Bashkësinë, meqë mospërkrahja qytetare ndaj taktikave të opozitës mund të njëjësohet pavërejtshëm dhe naivisht edhe me mospërkrahjen e kundërshtimit të ligjshëm të kësaj marrëveshjeje.
Dhe kjo është e dhimbshme. Meqë pushteti i PDK-së, e tash edhe ai i PDK-së e LDK-së bashkë, me udhëheqjen e pavizion të negociatave me Serbinë në Bruksel, bënë që ta kemi këtë marrëveshje të keqe për Asociacionin/Bashkësinë, kurse tri subjektet opozitare, LVV, AAK e NISMA, përveç kundërshtimit ad hoc, kurrë nuk ia dolën të paraqesin një alternativë për ta shmangur atë.
PËR MË TEPËR, nëse kthehemi me atë që e filluam, nuk ka se si të na bindin as ata që janë në pushtet, e as këta që janë në opozitë, se si me një prerje precize me thikë e keqja është në anën e tjetrit, kurse e mira në të veten dhe anasjelltas.
Nuk e besoj se përfaqësuesit e pushtetit në Qeveri, në Kuvend dhe në udhëheqjet komunale e duan domosdoshmërisht më shumë Kosovën sesa përfaqësuesit e opozitës. E nuk besoj se domosdoshmërisht është edhe e kundërta.
Si në pushtet, si në opozitë gjejmë persona që kanë dhënë kontribut të çmueshëm për Kosovën, si gjatë viteve ’90, si gjatë luftës, si pas saj. Por, në të dyja anët gjejmë edhe demagogë, përfitues situatash, puthadorë të neveritshëm dhe kameleonë politikë.
Si në pushtet, si në opozitë do të mund të gjejmë hajna e keqpërdorues pozitash, në kohë e institucione të ndryshme.
Si në pushtet, si në opozitë do të shohim punësime të pakualifikuara, bazuar në përkatësi partiake ose nepotizëm të pështirë.
Si në pushtet, si në opozitë do të gjejmë individë qartësisht analfabetë që udhëheqin me sektorë të ndjeshëm institucionalë, të cilët krejt karrierën politike ia kanë borxh të qenit në një tubim partiak të paraluftës ku i kanë duartrokitur fort fjalimit të shefit të sotëm; ose të të qenit në një “rov” gjatë luftës me komandantin; ose se kanë pasur fat(keqësinë) e ndarjes së qelisë së burgut me liderin e tashëm.
Si në pushtet, si në opozitë e gjejmë një klimë të krahasueshme jodemokratike brenda partive respektive, ku individi ose grupimi që mendon ndryshe izolohet, injorohet, fyhet, përçmohet ose edhe përjashtohet, linçohet e sulmohet.
Si në pushtet, si në opozitë hasim në individë e grupime që duan ta mbysin çdo mendim të lirë kritik, të ardhur nga shoqëria civile, sfera akademike ose media, duke e shigjetuar, etiketuar e luftuar nën famëkeqen – nuk je verbërisht me mua, atëherë je kundër meje.
Siç mund të gjejmë edhe në të dy taborët individë që kanë punuar dhe punojnë me vetëmohim, nder, profesionalizëm e përkushtim për të mirën e qytetarëve e të vendit, dhe që përkatësia partiake e tyre është fakti më së paku i rëndësishëm.
PËR KËTO ARSYE, duket se edhe popullata nuk po e ndien ashtu siç po dëshirojnë partiakët ndarjen ndërmjet përfaqësuesve politikë në pushtet dhe opozitë.
Ky popull ka pasur raste kur edhe është habitur, por asnjëherë nuk është mashtruar dhe nuk po mashtrohet nga asnjëra palë as sot.
Të këqijat që po na ndodhin janë, ku më pak e ku më shumë, përgjegjësi e të gjithë këtyre njerëzve të njëjtë që tash e 16 vjet na kërkojnë përkrahjen ose votën, në mënyrë që të na udhëheqin. Dhe këta të njëjtët edhe sot duan ta armiqësojnë popullin ndërmjet vete, duke bërë ndarje artificiale në të mirët dhe të këqijtë (varësisht se në cilën parti kanë qëlluar individët deputetë në momentin e debatit, si dhe nëse kanë qëlluar në pushtet ose në opozitë) sikur ky popull të mos kishte jetuar me ta gjatë gjithë këtyre vjetëve dhe të mos i kishte sprovuar të njëjtët në situata të ndryshme, në pushtet e në opozitë. Dhe sikur të mos i kishte vërejtur se si këta të njëjtët i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre, varësisht se nga cili pozicion kanë folur në një moment të caktuar.
Ky pushtet dhe kjo opozitë – duhet nënvizuar – me sjelljet e tyre të papërgjegjshme i kanë relativizuar të këqijat që i kanë ndodhur dhe po i ndodhin vendit. Dhe, fatkeqësisht, njëjtë edhe do të vazhdohet, përderisa pretendojnë të njëjtët të na udhëheqin, duke vazhduar të operojnë me individët dhe metodat e tyre të neveritshme.
Të tillët që e duan një popull të cilit do t’i shesin mjegull, që mundësisht t’i blejë skemat e imponuara bajate bardhezi, që të jetë amnezik, me qytetarë që nuk mendojnë e bëjnë pyetje, por mundësisht të jenë makina votuese sa herë që “liderët” të kenë nevojë për votat e tyre.
Nëse nuk duam të gënjehemi dhe nëse vendosim të flasim troç, i bie - me të tillët vështirë të ketë ndryshime për të mirë.
Ndryshe, mund të vazhdojmë të gënjehemi!
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...