Kjo nuk është një kolumne politike…

8 Nëntor 2014 - 11:27 - Adriatik Kelmendi      

…dhe për këtë shkak ndoshta është më e gëzueshme. Ose: Sporti është lajmi i mirë, sporti është e ardhmja e Kosovës

MË DUHET TA pranoj: Jo vetëm ju, por edhe ne që shkruajmë, bëjmë emisione ose punë të tjera publike jemi mërzitur duke trajtuar temat negative.

E dimë që të gjithë, e sidomos ne në media, se një lajm i mirë kurrë nuk do ta ketë peshën e një lajmi të keq. Ndoshta për shkak se e keqja është më e mishëruar në kuptimin kryesor të lajmit, që d.m.th. ngërthen në vete elementin e befasisë, risisë, tronditjes dhe kërshërisë bashkë. Teksa ngjarjet e mira rëndomë janë më të ngadalshme, që kërkojnë më shumë mund, planifikim dhe pritje të bazuara në këto të parat. Dhe në momentin që ndodhin, na bëjnë të ndihemi jashtëzakonisht mirë e edhe të lumtur, por kryesisht është një kurorëzim si rezultat i sakrificës paraprake dhe parashikimit. Në këtë frymë edhe lajmi i mirë, shpesh është një lajm i parashikueshëm, që rrallë e ngërthen në vete edhe elementin e befasisë.

POR, MJAFT ME befasi të këqija. Boll me negativitet. Pushim prej lajmit të zi.

Lajmet e këqija ndikojnë domosdoshmërish edhe në disponimin individual, i cili më vonë kalohet me ose pa koshiencë edhe te të tjerët që na rrethojnë. Duke ndikuar kështu që të krijohet një rreth vicioz i negativitetit dhe, rrjedhimisht, edhe mosvullnetit, dekurajimit, mosbesimit në vetvete dhe në të tjerët, vendnumërimit, e deri tek akuzimi i tjetrit për mossuksesin personal, ose kolektiv.

Në këtë frymë, faleminderit, por këtu s’do të flasim as për ngërçin e institucionet, as për korrupsionin e krimin e organizuar, as për EULEXin dhe gjykatat, as për mjekët e stentat, as ekstremizmat fetarë e vrasjet në Siri, e as për UEFA-n dhe urrejtjen ndërnacionale.

Ka një kryelajm të mirë që na ndodhi këto ditë, i cili, jodinjitetshëm, pati fatin e zakonshëm të lajmeve të mira: nuk u trajtua as përafërsisht aq sa e meriton.

Anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në këtë fazë është aq lajm i mirë për Kosovën, saqë mund të krahasohet për nga madhështia vetëm me ditën kur vendi do ta bëhet anëtar i OKBsë, ose kur do të ketë liberalizim vizash, ose anëtarësim në BE.

Më në fund sportistët e Kosovës do të kenë mundësi, nëse janë të zotë, të ndihen të barabartë dhe të maten me secilin sportist të secilit shtet të botës.

E duke parë që lajmet e mira nga shqiptarët zakonisht po vijnë vetëm nga lëmi i sportit, kjo arritje nënkupton shumë më tepër sesa vetëm sporti.

Këtë na e dëshmoi edhe këtë javë xhudistja Majlinda Kelmendi me vendin e parë në Abu Dhabi. Këtë po na dëshmojnë edhe golat e shqiptarëve gjithandej klubeve të Evropës.

Jam thellësisht i bindur se sukseset e fundit të sportistëve nga Kosova janë duke bërë shumë më tepër për imazhin pozitiv të vendit sesa çfarëdo ndërmarrjeje politike.

Vetëm paramendoni se çfarë reklame do të jetë për shtetin e ri defilimi i sportistëve kosovarë me flamur të Kosovës në Olimpiadën e Rios në 2016-n. Ka shumë njerëz - nga qindra miliona përreth globit sa mendohet se e ndjekin këtë ceremoni – të cilët vetëm në rast të olimpiadave mësojnë për shtete të vogla të botës, si ky yni. E pastaj, nëse këto shtete tregohen edhe të suksesshme në garë, ose fitojnë edhe medalje, kjo i bie edhe reklama më e mirë e mundshme.

A DO TË THOTË kjo se një strategji e kompletuar për zhvillimin e sportit në Kosovë mund të jetë politika më e qëlluar në drejtim të zhvillimit dhe përparimit të shtetit të ri?

Personalisht, gjithnjë e më tepër po më mbushet mendja se ky do të duhej të ishte objektivi nacional i cilësdo qeveri.

Tashmë kemi dëshmitë se shqiptarët e Kosovës kanë talent për sport. Me trajnimin e duhur dhe përkushtimin – nuk mungojnë edhe rezultatet kulmore. Për këtë gjë i kemi si shembuj të gjallë brezin e futbollistëve të rinj shqiptarë që janë zhvilluar në vende të Perëndimit, si dhe fenomenin Majlinda Kelmendi.

Me strategji të qartë, pas 10-12 vjetësh Kosova mund të prodhojë edhe shumë të tillë si prodhim vendor.

E të cilët do të mund të ndihmojnë pastaj edhe në çdo aspekt tjetër të jetës shtetërore. E edhe në aspektin politik, shumë me tepër se vetë politika.

Se do të jetë lajm i mirë për ne, por edhe kur të tjerët flasin e shkruajnë për ne.

E secili ka qejf ta ketë të mirin afër vetes, kurse të keqen sa më larg.

Së këndejmi, sporti është lajmi i mirë.

Sporti është e ardhmja.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...