26 Nëntor 2016 - 09:27 - Adriatik Kelmendi
NË LUFTË UÇK-ja e ka mbrojtur Kosovën, kurse sot në liri UÇK-ja duhet ta mbrojë Kosovën nga UÇK-ashët e rremë.
Një veteran i UÇK-së meriton jo vetëm 170 euro – 1.700 euro edhe janë asgjë për t’ia kthyer sadopak mirënjohjen e shoqërisë për sakrificën.
E një i shtirur si veteran i UÇK-së jo vetëm që s’meriton asnjë cent, por do të duhej të meritonte pështirosjen nga shoqëria. Këta mashtrues, në vend se të shpërbleheshin, do të duhej të penalizoheshin. Të tillët dy herë dëshirojnë ta dëmtojnë Kosovën – një herë ngase nuk u kanë dalë në krah luftëtarëve në kohën e luftës për liri, dhe tash, për shkak se po synojnë të përfitojnë pa skrupuj në kurriz të po të njëjtëve luftëtarë të cilëve nuk iu ndihmuan.
Po e nënvizoj edhe një herë, saktë, bardhezi, në mënyrë që askush të mos mundë ta shtrembërojë qëllimisht:
Veterani i UÇK-së meriton mirënjohjen më të lartë të shtetit dhe shoqërisë, mashtruesi i UÇK-së meriton vetëm përbuzjen dhe ndëshkimin.
Se duke e barazuar mashtruesin me luftëtarin e vërtetë, vetëm sa do të vazhdojmë t’i poshtërojmë ata që me vetëmohim u rreshtuan në krahun ushtarak të luftës së shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
46.230 ËSHTË SHIFRA zyrtare, të cilën e ka paraqitur në Qeveri Komisioni për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit,veteranit, pjesëtarit ose të internuarit të UÇK-së. Ky numër vlerësohet të jetë së paku dyfish më i madh sesa të gjitha përllogaritjet e mëhershme për veteranët e UÇK-së. Aq më tepër, kjo shifër ka tendenca të vazhdojë të rritet.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Agim Çeku, njëherë kishte thënë se numri real do të duhej të ishte rreth 13 mijë.
Inspektori i përgjithshëm i UÇK-së, Rexhep Selimi, ka spikatur se asnjëherë nuk ka pasur më shumë se 20 mijë ushtarë.
Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) – e cila pas lufte kishte regjistruar luftëtarët që ishin pajtuar t’i dorëzonin armët dhe kishin kërkuar të riintegroheshin në profesione të caktuara në shoqëri – kishte dalë me shifrën përfundimtare prej 24.577 individëve.
Atëherë si ndodhi që nga këta luftëtarë gjatë luftës të na dyfishohen 17 vjet më vonë?
Dyshimet më të mëdha shkojnë në dy drejtime. E para ka të bëjë me deklarimin korruptues të individëve të lidhur mes vete, e dyta, me “blerjen e votave” nga partitë e dala nga lufta, duke bërë nga një veteran për çdo familje në bazat e tyre votuese.
Në të dyja rastet kemi të bëjmë me zhvatje, me paramendim të buxhetit të shtetit dhe - mbase edhe më e rëndë – barazimin e matrapazëve me luftëtarët e vërtetë.
DORËN NË ZEMËR, deri më tash këtij mashtrimi të madh dhe të poshtër i ka bërë ballë bukur i vetmuar kryeministri Isa Mustafa. Ai nuk ka hezituar ta thotë hapur – buxheti i shtetit nuk mund ta përballojë pagesën e rreth 50 mijë individëve që bazohen në emër të veteranëve të luftës, pavarësisht protestave dhe kërcënimeve nga grupe të caktuara.
Pavarësisht përcaktimeve partiake a politike, secili qytetar që ia do të mirën Kosovës do të duhej ta përkrahte kryeministrin Mustafa që të mos lëshojë pe përballë kësaj kauze. Kjo është kauzë jo vetëm e shpërndarjes së shëndoshë të buxhetit, por edhe dhënie fund praktikave të grupeve parazite të shoqërisë.
Ky ka qenë edhe rekomandimi i vazhdueshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe i secilit institucion tjetër kredibil ndërkombëtar.
Më mirë t’u rriten pensionet veteranëve të vërtetë, sesa atyre t’iu rrezikohen fare pensionet për shkak të mashtruesve që duan pa merita të paraqiten si ta.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka përshkruar në mënyrë të përkryer këtë situatë:
“Veteranët e luftës që vërtet ishin veteranë asnjëherë nuk dolën në radhët e para për statusin e tyre, por mashtruesit e konvertuar brenda ditës apo natës në veteranë ishin ata që i bënë listat nga të cilat turpërohet çdo ushtar i UÇK–së, përkrahës i tyre, mbështetës i luftës së UÇK–së apo edhe çdo qytetar që mendon me kokë të veten dhe që ia do të mirën këtij vendi. Kjo listë është e papërballueshme për buxhetin e Kosovës dhe është kërcënim për stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e Kosovës. Kjo listë nuk është dashur të pranohej asnjëherë, me gjithë shantazhet dhe kërcënimet me protesta, që në të shumtën e rasteve ishin të orkestruara nga persona të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, që kontribuuan në hartimin e këtyre listave... Atyre që kontribuuan pa qenë pjesë e strukturave të armatosura shteti duhet t’u ndajë mirënjohje apo falënderime dhe kurrsesi t’ua njohë statusin e veteranit të luftës ”.
Kësaj s’kam ç’t’i shtoj më tepër.
Listat e veteranëve duhet të pastrohen.
Për të mirën e vetë veteranëve, për dinjitetin e UÇK-së, për të ardhmen e shtetit.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...