22 Tetor 2016 - 10:01 - Adriatik Kelmendi
SINXHA: Këta tutë që i ke nëpër qytet, nuk do të duhej të ishin shumë. Hyrja do të jetë e hapur. Hyrja në Kuvend do të jetë e hapur kah ana e parkut. Ajo nuk do të jetë e bllokuar, punon. Të tjerat do të jenë të bllokuara.
DIKIQ: Prit... hyrja kah parku?
SINXHA: Hyrja kah parku... Duhet t’i thuash Nikollës, të gjithë njerëzit, të gjitha grupet më duhet t’ia dërgoj atij që t’i organizojë... E gjitha duhet të përfundojë deri nesër në mesditë. Hyrja do të bëhet nesër në 23.00.
DIKIQ: Mirë.
SINXHA: Pra, 11 e mbrëmjes.
DIKIQ: Mirë.
SINXHA: Kjo do të ndodhë pas shpalljes së këtyre zgjedhjeve. Nëse gjithçka shkon sipas planit, e nëse nuk shkon, do të ndodhin... Do të jenë aty ata politikanët, ata do të hyjnë me popullin. Do të mblidhet një masë më e madhe e njerëzve. Kjo po bëhet në koordinim me të gjitha palët. Ka ende njerëz aty. Do të ketë grupe të tjera, siç jeni edhe ju. Nuk e di se ku do të qëndrojnë... Shikoni për shirita të kaltër lente...
DIKIQ: Lente...
SINXHA: Po, shirita të kaltër, vetëm të jenë të kaltër.
DIKIQ: Mirë.
SINXHA: Secili nga njerëzit tanë që do të jetë në këtë rast, duhet ta vendosë shiritin e kaltër diku ku dallohet... Që njerëzit tanë ta njohin njëri-tjetrin. Që të mos ndodhë ndonjë huti që dikush dikë ta pengojë...
DIKIQ: Aha, kjo do të thotë që në mbrëmje të vendosen shiritat.
SINXHA: Për mbrëmje, të mos dallohet tepër, por që të shihet mjaftueshëm. Që të njiheni mes vete. Edhe Ruja dhe të tjerët e dinë këtë... Që të udhëhiqet populli, të mos punohet si miza pa krye, por që të punojnë të organizuar. Se të gjithë sytë janë të drejtuar dhe thjesht, e di ti kush, të kam thënë. Ai pret dhe ju shikon edhe ju edhe ne, edhe mua... Ne të gjithëve. E nga kjo ju e dini se çka varet për ne. Të mos e dhjemë punën. Ta bëjmë këtë, kjo është krejt.
DIKIQ: Po kuptoj... Vetëm më trego, në atë ’vikendicën’ atje ku është ajo ‘rakia’ (armët, vër. A.K.), kur t’ia tregoj ‘rakinë’? Kur t’ia jap çelësat për atje?
SINXHA: Në rregull, lirisht, krejt janë të gatshme. Nuk guxon ai të na dështojë, ngase ata e kanë nën kontroll këtë.
DIKIQ: Mirë. Unë do të takohem tash me të. Do të duhej ai në orën 22:00... Të takohem me të...
SINXHA: Dhe të koordinosh gjithçka... Mençur, pa gabime. Dashtë zoti gjithçka do të duhej të ishte në rregull, nëse ky, Milo, pajtohet me fatin se ka humbur dhe të mos ndodhë asgjë.
DIKIQ: Nëse ai është i mençur do të duhej ta dorëzonte pushtetin menjëherë.
SINXHA: Pikërisht.
MEDIAT MALAZIASE kanë sjellë transkriptimin e një bisede që besohet të jetë bërë nga ish-shefi i xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiq, dhe shefi i një grupi kriminal, Aleksandar Sinxheliq. I pari është arrestuar në Mal të Zi në natën ndërmjet së shtunës dhe së dielës, kurse i dyti ndodhet në arrati. Ata dyshohet se kishin planifikuar që të bënin një lloj të “puçit” ndaj Qeverisë aktuale dhe që ta arrestonin kryeministrin Milo Gjukanoviq.
Prokuroria tashmë ua ka shqiptuar masën e paraburgimit 14 personave nga ky grup i organizuar, kurse organet e hetuesisë janë në kërkim edhe të bashkëpunëtorëve të tjerë nga Mali i Zi.
Çka po ndodh?
I arrestuari Dikiq, tash në pension, është parë si një figurë nacionaliste kundërthënëse, nën komandën e të cilit xhandarmeria serbe kishte bërë betimin e ri, ku kujtohen “heronjtë serbë të Kosovës”. “Pa Kosovë nuk ka Serbi”, është motoja e tij. Ai është parë si një ndër organizatorët e demonstratave kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, me mbështetjen ruse dhe në bashkëpunim me partitë opozitare malaziase.
Plani i tij, sipas asaj që deri tash ka dalë në opinion, ka qenë kthimi i Malit të Zi nën ndikimin serb, respektivisht rus.
Në zgjedhjet e së dielës, partia e liderit çerekshekullor të Malit të Zi, Gjukanoviq, ka dalë sërish e para, mirëpo partitë opozitare së bashku, kanë marrë diç më shumë vota. Sidoqoftë, Gjukanoviq pritet që ta formojë qeverinë e re, me ndihmën e partive të popujve pakicë, përfshirë shqiptarët.
Partia e dytë në zgjedhje, Fronti Demokratik, ka qenë kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, kundër pavarësisë malazeze, kundër pavarësisë së Kosovës dhe për lidhje të veçanta me Federatën Ruse.
Ende nuk ka të dhëna të konfirmuara, por nënteksti është se lideri i Frontit Demokratik, Nebojsha Medojeviq, ka qenë duke bashkëpunuar me “puçistët”, gjë të cilën deri më tash e ka përgënjeshtruar.
EPISODI I ZGJEDHJEVE në Mal të Zi, nëse vërtetohet përfundimisht, shpërfaq ambicien e aluduar të planit konkret të Federatës Ruse për të rikthyer ndikimin në Ballkan. Lideri rus, Vladimir Putin, i inkurajuar me rolin e tij në rritje në Lindje të Mesme, kundrejt SHBA-së, duket se ka filluar zbatimin e tij edhe në rajon.
Media të ndryshme kanë vlerësuar se Putin dëshiron që në Mal të Zi, e nëse mundet edhe në Maqedoni, ta zbatojë “doktrinën e Ukrainës”, një pjesë të së cilës e pushtoi pikërisht kur kjo ish-republikë sovjetike u afrua me NATO-n.
Në qoftë se partia properëndimore e kryeministrit Gjukanoviq humb pushtetin, kjo pritet të ndryshojë edhe kursin e Podgoricës në çështjet si NATO-ja, marrëdhëniet me Kosovën dhe me Serbinë etj., gjë që do të ishte një flakaresh për Perëndimin.
Realizimi i një skenari, ku Federata Ruse do të shtrinte ndikimin në Mal të Zi dhe në Maqedoni, si dhe me koketimin e vazhdueshëm të Beogradit me Kremlinin dhe mosnjohjen ndaj Kosovës, do të krijonte një kordon “izolues” për shtetet shqiptare dhe properëndimore, Kosovën dhe Shqipërinë.
Se a mund të ketë ndërhyrje destabilizuese si grupi i Dikiqit edhe në Kosovë, kjo ka qenë një frikë e përhershme e organizatave të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare.
Ndoshta rasti i Podgoricës është një provë e përgjithshme para shfaqjes së madhe – Kosovës.
Kosova vazhdon ta ketë Serbinë kërcënimin më të madh të sigurisë.
Për këtë arsye episodi Dikiq duhet të merret shumë seriozisht nga Prishtina dhe aleatët e Kosovës.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...