12 Shtator 2015 - 09:19 - Adriatik Kelmendi
KJO NË FAKT është dashur të ishte strategjia e kamotshme e shqiptarëve në kontekst të kërkesave për më shumë autonomi të serbëve brenda Kosovës – reciprociteti me Luginën e Preshevës.
Ideja për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në atë që për shumë shqiptarë është Kosova Lindore, e për serbët natyrisht Serbia e Jugut, duket si një ide e vonuar, por imponohet si një domosdoshmëri.
Liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë paralajmëruar se deri në fund të javës do të vendosin për krijimin e një asociacioni të komunave të banuara me shqiptarë në atë pjesë, në kuadër të avancimit të të drejtave të tyre në një shtet që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
Të gjitha argumentet që janë përdorur nga serbët që jetojnë në Kosovë për të pasur më shumë kompetenca në duar të tyre janë që të kenë më shumë siguri se nuk do t’iu shkelen të drejtat nga shumica shqiptare dhe nga Prishtina.
Të njëjtat argumente vlejnë edhe për shqiptarët që jetojnë në Serbi, respektivisht në Luginë të Preshevës. Bile, shqiptarët në Luginë kanë shumë më tepër argumente që të kërkojnë siguri shtesë për të drejtat e tyre, meqë ato të drejta deri më tash janë shkelur me të dyja këmbët nga të gjitha qeveritë e Beogradit, gjë që nuk mund të thuhet për të drejtat e serbëve në Kosovë, sidomos në veri të vendit, ku autoriteti “shqiptar” i Prishtinës asnjëherë as nuk ka arritur.
NËSE SHIKOJMË NË përgjithësi marrëdhëniet shqiptaro-serbe, siç e kam thënë edhe ndonjëherë tjetër, sërish shtizat thyhen për një pjesë të serbëve dhe të shqiptarëve që janë zënë të jetojnë jashtë kufijve të shteteve që konsiderojnë se u takojnë etnikisht. Serbët që jetojnë në veri e që kërkojnë të jenë pjesë e Serbisë, dhe shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës e që kërkojnë të bashkohen me Kosovën.
Natyrisht se një ndryshim i këtyre kufijve me vullnetin e vetëm njërës palë dhe me kundërshtimin e palës tjetër do të çonte pashmangshëm në luftë të re.
Thjesht, në qoftë se serbët e veriut dhe Beogradi do të donin që me forcë ta ndanin Kosovën, kjo s’do të mund të bëhej, meqë territorin e Kosovës e garantojnë forcat ushtarake të NATO-s, dhe kjo me automatizëm do ta fuste Serbinë në luftë me Aleancën Veriatlantike e edhe me shqiptarët.
Në anën tjetër, e kemi parë se në fillim të dhjetëvjeçarit të kaluar në Luginë luftoi UÇPMB-ja, dhe kjo pjesë nuk ia doli që të bashkohej me Kosovën.
Pa dyshim, ky duhet të jetë leksioni të cilin do të duhej ta kuptonin ata politikanë serbë, në mesin e të cilëve është edhe Ivica Daçiq, i cili është i vetmi lider institucional nga serbët dhe nga shqiptarët që e kërkon ndarjen e Kosovës si zgjidhje të problemit.
Ndarja e Kosovës vetëm me vullnetin e Serbisë çon në luftë. Prandaj duhet kuptuar se jo të gjithë serbët dhe jo të gjithë shqiptarët mund të jetojnë brenda shteteve etnike.
Këtë duket ta kenë kuptuar më seriozisht politikanët kryesorë shqiptarë, por, siç po shihet, jo edhe të gjithë nga ata serbë.
Të rikujtojmë se edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës kanë mbajtur një referendum për “Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën” më 1992, ku shumica kanë votuar Pro, mirëpo mesazhi nga institucionet e Prishtinës ka qenë: “Nuk do të ketë ndryshim kufijsh”.
Edhe serbët e veriut në vitin 2012 votuan me shumicë Kundër në referendumin e tyre lidhur me pranimin e autoriteteve të Prishtinës atje, ndonëse zyrtarisht nuk u përkrah nga Beogradi. Mirëpo, duket se insistimi i tyre për kompetenca ekzekutive në Asociacionin/Bashkësinë... shihet si hapi i parë drejt realizimit të një qëllimi të atillë, në rastin e parë kur krijohen rrethanat e favorshme gjeopolitike.
ASOCIACIONI I KOMUNAVE me Shumicë Shqiptare mund të jetë përgjigjja më e drejtë sot.
Besoj se në qoftë se edhe Prishtina e edhe Beogradi e kuptojnë se Kosova dhe pavarësia e saj nuk janë vetëm vullnete të shqiptarëve dhe të serbëve, por se ka pasur luftë, se ka pasur humbës e fitues dhe ka pasur një bashkësi ndërkombëtare që ka marrë pjesë në atë luftë, e ka vendosur paqen dhe ka treguar se ku janë kufijtë – atëherë do të ishte më e lehtë. Formula për shqiptarët dhe serbët e pakënaqur do të ishte zgjidhja evropiane për të drejta të komuniteteve pakicë në shtetet ku janë.
Në qoftë se edhe Kosova, edhe Serbia janë të sinqerta se dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të praktikojnë vlerat evropiane, nuk kanë se si të shprehen kundër të drejtave që duan komunitetet pakicë në vendet e tyre, në mënyrë që qytetarët e këtyre komuniteteve ta ndiejnë veten me të drejta të barabarta me popullin shumicë, e jo qytetarë të rendit të dytë.
Në këtë frymë, në bazë të të drejtave të njeriut, do të mund të avancoheshin statuset e popullatës serbe në veri të Kosovës dhe të popullatës shqiptare në Luginë të Preshevës.
Si do të mund të arrihej kjo?
Po në një Kosovë evropiane do të duhej të kishte respektim evropian të të drejtave të komunitetit pakicë serb, njësoj siç do të duhej që në një Serbi evropiane të kishte respektim evropian të të drejtave të komunitetit pakicë shqiptar.
Pra, me reciprocitet të plotë.
Përndryshe, nuk do të ishte e kapshme se si serbët në një Kosovë që përbush standardet e BE-së për komunitetet pakicë do të kishin më shumë të drejta sesa shqiptarët në një Serbi që përmbush standardet e BE-së për komunitetet pakicë. Standardet e BE-së do të duhej të vlenin njësoj e barabar për të gjithë, dhe të mos jenë të dyfishta.
Së këndejmi, pastaj do të ishte shumë e lehtë që të merreshin vesh ndërmjet vete Prishtina dhe Beogradi për gjithçka që ka të bëjë me shqiptarët e serbët në veri dhe në Luginë.
E nëse do të pajtoheshin plotësisht ndërmjet vete një ditë që në bazë të reciprocitetit të plotë të ketë edhe shkëmbim territoresh, s’shoh ndonjë problem që kjo të mos pranohej nga bashkësia ndërkombëtare.
Deri atëherë dhe në atë mundësi duhet pranuar realiteti i sotëm.
Ai flet qartë për të drejta të njeriut në kufijtë e tashëm dhe për pamundësi për krijim të shteteve njëetnike.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...