16 Janar 2016 - 09:24 - Adriatik Kelmendi
NËSE DIKUSH DERI tash, me të drejtë ose pa të, ka dyshuar se kërkesat e opozitës së bashkuar për anulimin e dy marrëveshjeve mund të jenë vetëm një blof për të pasur pretekst rrëzimin e Qeverisë, kjo tash është vërtetuar si e paqëndrueshme.
Së paku e paqëndrueshme në njërën nga dy pikat e barrikadimit opozitar, atë që ka të bëjë me antikushtetutshmërinë e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Dhe, në fakt, marrëveshja për Asociacionin është shumë më e rëndësishme sesa ajo e demarkacionit, meqë, e tillë çfarë doli të jetë, cenon integritetin e shtetit, me pasoja lehtë të parashikueshme në bllokimin e funksionalitetit institucional dhe zhvillimit, me rrezik të dështimit të Republikës në tërësi.
Nuk është më një interpretim i përfaqësuesve politikë që mendjen e kanë te votat. Është aktgjykim i institucionit të vetëm të thirrur për të interpretuar Kushtetutën e Republikës.
Gjykata Kushtetuese e tha qartë: Pjesë të marrëveshjes nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës. Që i bie: Janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.
E që nënkupton: Thyejnë Kushtetutën.
MEQË PËR KËTË çështje që nga koha e nënshkrimit në gusht kemi qenë dëshmitarë të polarizimit më të madh politiko-partiak - që çoi edhe në skena të dhunshme, bllokada institucionesh, arrestime të deputetëve, lëndime personash dhe dëmtim të pronave – me taborët e ndarë qartë në pushtet e opozitë, del se opozita paska pasur të drejtë.
Rrjedhimisht, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi kanë gabuar me nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin/Bashkësinë... në formatin që e kanë nënshkruar. E këtu, gjithsesi, nuk bëhet fjalë për një gabim beninj, por me dhënie më të madhe të pushtetit një etnie të caktuar sesa që e lejon këtë Kushtetuta, që edhe ashtu parasheh diskriminim galopant pozitiv për etninë serbe. Ndërkohë që, siç dihet, pjesa më e madhe e qytetarëve të kësaj etnie vazhdojnë të mos e pranojnë shtetësinë e Kosovës, njësoj siç bën edhe qeveria e shtetit të tyre amë në Beograd.
Në anën tjetër, pavarësisht se në disa raste mund të pajtohemi se opozita e ka tepruar me metodat e zgjedhura të kundërshtimit dhe dhunën e nxitur, LVV, AAK e NISMA kanë qenë konsistente në qëndrimin se Marrëveshja për Asociacionin/Bashkësinë..., në formën e saj të nënshkruar, është në kundërshtim me dispozita të caktuara të Kushtetutës. Për ta fuqizuar dhe legjitimuar këtë qëndrim të tyre, këto tri parti u kujdesën që t’i bëjnë edhe disa “detyra të shtëpisë”: të sigurojnë 200 mijë nënshkrime të qytetarëve, si dhe të mbledhin dhjetëra e mijëra protestues në dy protesta në kryeqytet.
Tash:
A është kjo një fazë kaluese, kur bëhen lëshime të mëdha ndaj komunitetit serb, në mënyrë që të fitohet diçka edhe më e madhe siç është rrumbullakimi i njohjes së Pavarësisë së Kosovës, ashtu siç po thonë PDK e LDK?
Apo është shkuar aq larg, saqë Kosova përfundimisht mund edhe të ndahet, ashtu siç po thonë LVV, AAK e NISMA?
Kujt, megjithatë, i besojnë qytetarët?
Dhe a është çështja e marrëveshjeve ajo që i preokupon më së shumti ata?
Besoj se pas gjithë kësaj që ka ndodhur për këta pesë muaj, në mënyrë që të mos zhytet shteti edhe më tepër në spirale të kundërshtimit që prodhon dhunë, stagnim, përkeqësim imazhi dhe rrezikim të aleancave me shtetet mike, ka ardhur koha që qytetari ta tregojë mendimin e tij përmes votës së lirë.
MIRËPO, ZGJEDHJET do të jenë zgjidhje vetëm nëse pesë subjektet parlamentare të shumicës shqiptare do të pajtohen me konsensus për një plan disapikësh të pajtimit kombëtar.
Thaçi, Mustafa, Ymeri, Haradinaj e Limaj, ndoshta edhe me ndonjë personalitet kredibil si ndërmjetësues, do të duhej të pajtoheshin rreth hapave që duhen ndërmarrë, në mënyrë që të evitohen edhe në të ardhmen situata të këtilla.
Disa nga pikat që do të duhej gjithsesi të merreshin në konsideratë në një pajtim të këtillë, si parapërgatitje për zgjedhje të parakohshme dhe sanim i plagëve nga gabimet e deritashme të të dyja palëve, do të mund të përfshinin:
E para, zotimin për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta dhe fer, si dhe pranimin e rezultatit zgjedhor.
E dyta, nevojën e formimit të një ekipi të unitetit, të përbërë nga partitë që do të formonin Qeverinë dhe opozitën e ardhshme, e cila do të merrte përsipër dialogun me Serbinë deri në njohjen e Kosovës.
Caktimin e një komisioni të ri ekspertësh për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, me pajtimin konsensual pushtet-opozitë dhe konfirmimin e pranimit të rezultateve të punës së tij.
Këto tri pika bazë, por edhe të tjera që do të mund të dilnin si nevoja gjatë dialogut ndërpartiak, do të paraqisnin një bazë të mirë për mbylljen e kapitujve të ballafaqimit dhe fokusimit të vëmendjes në tema e ide të tjera konkurruese për zhvillimin e vendit.
Në të kundërtën, vetëm shkuarja në zgjedhje, pa këtë që po e quaj pajtim kombëtar -pavarësisht se kush do ta formonte Qeverinë e re - do të mund të na shpinte në episode të riciklimit të spirales së konfrontimit dhe dhunës, pa asnjë garanci të progresit shtetëror.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...