9 Maj 2015 - 09:34 - Adriatik Kelmendi
MË NË FUND, u diskutua me seriozitet edhe në mbledhjen e Qeverisë, si dhe në seancën e Kuvendit çështja e izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe “haraçi” ndaj mërgimtarëve që vijnë me automjetet e tyre në atdhe.
Mirëpo, a ka gjasa që kësaj radhe të vazhdohet seriozisht?
Vitin e kaluar, përafërsisht në këtë kohë, kisha marrë premtimin publik të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, si dhe ministrit të tij të Jashtëm, Enver Hoxhaj, se Kosova në korrik do të kishte Kartonin e gjelbër, i cili do t’i eliminonte nevojat e pagesave të dyfishta të sigurimit kufitar me vetura në hyrje dhe dalje. Bëhet fjalë, pra, për korrikun e vitit që shkoi.
Që nga ajo kohë është bërë një – hiç.
Struktura udhëheqëse e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) ka mbetur po ajo e njëjta, me lidhjet më të ngushta familjare me personat me të fuqishëm partiakë e institucionalë në vend.
Bashkëqytetarët tanë në mërgim kanë vazhduar të paguajnë sigurimet kufitare, duke i derdhur edhe nja 15 milionë të tjera në llogari të 10 kompanive të sigurimit anëtare të BKS-së.
Të njëjtat këto kompani kanë vazhduar të paguajnë më pak se 8 për qind në emër të kompensimit të dëmeve për automjetet e bashkatdhetarëve, nga shuma e përgjithshme marramendëse prej 181 milionë e 800 mijë eurove të mbledhura nga sigurimet kufitare që nga viti 2002; pa përfshirë këtu edhe disproporcionin e madh të pagesës së dëmeve kundrejt të hyrave për sigurimin e automjeteve të regjistruara në Kosovë, që është shumëfish më e madhe.
DUKE PASUR TË GJITHA këto fakte skandaloze parasysh, s’kam se si të mos pyetem se çka do të bënin këta individë që kanë kapur institucionet fitimprurëse të shtetit, nëse në çështje të tjera për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës do të kishin parë ndonjë mundësi të vogël përfitimi për vete?
Dhe, të njëjtit, gjithnjë për “mossuksesin”, do të na sjellin si “argument” faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, ashtu siç po na arsyetohen me çështjen e Kartonit të gjelbër.
E Kosova, duke mos qenë anëtare e OKB-së, ka gjetur zgjidhje të ndërmjetme, për t’u pajisur edhe me pasaporta.
Kosova, duke mos qenë anëtare e OKB-së, ka gjetur zgjidhje të ndërmjetme, për t’u pajisur edhe me viza.
Kosova, duke mos qenë anëtare e OKB-së, ka gjetur zgjidhje të ndërmjetme, për t’u pajisur edhe me targa për automjete.
Kosova, duke mos qenë anëtare e OKB-së, ka gjetur zgjidhje të ndërmjetme për t’u anëtarësuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në federatat ndërkombëtare të basketbollit, hendbollit, tenisit etj.
Kosova, duke mos qenë anëtare e OKB-së, ka gjetur zgjidhje të ndërmjetme për t’u anëtarësuar në FMN, në Bankë Botërore, në BERZH etj.
Kosova, duke mos qenë anëtare e OKB-së, ka gjetur zgjidhje të ndërmjetme për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Këto natyrisht se i dinë edhe ata që ulen në udhëheqjen e BKS-së, edhe pronarët e kompanive të sigurimeve e sidomos padronët e tyre politikë. Meqë janë pikërisht këta padronë politikë që për gjithë këto vite kanë qenë të përfshirë edhe vetë mes përpjekjeve për të arritur të gjitha këto avancime të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e ditur se pengesë për të njëjtat gjithnjë ka qenë fakti që shteti nuk është anëtar i OKB-së. Veçse, në këto raste, për të mirën e qytetarëve, mbase këta politikanë nuk kanë parë hapësira për përfitime financiare, siç është rasti me kompanitë e sigurimeve.
Se përndryshe - nisur nga izolimi që u është shkaktuar qytetarëve tash e 16 vjet si peng i babëzisë së individëve të fuqishëm – druaj se do të mbesnim edhe pa asnjë nga arritjet e deritashme ndërkombëtare.
EKSPERTËT E FUSHËS së sigurimeve kanë përmendur disa shembuj, të cilët Kosova ka mundur ose do të mund të përdorte për ta kapërcyer “argumentin e OKB-së”.
Zvicra është bërë anëtare e OKB-së vetëm në vitin 2002, kurse që nga viti 1949 ka qenë anëtare e Këshillit të Byrove me seli të Bruksel, duke mundësuar qarkullim të lirë të automjeteve.
Nëse u referohemi përjashtimeve dhe rasteve sui generis si Zvicra, edhe Kosova si zgjidhje të ndërmjetme do të mund ta përdorte këtë argumentim, siç ka bërë edhe në rastet e tjera të përmendura më lart. Ka pasur disponim pozitiv lidhur me përfshirjen e Kosovës brenda sistemit të Kartonit të gjelbër, si përjashtim i veçantë nën përkujdesjen e OKB-së, UNECE-së dhe Këshillit të Byrove, gjë të cilën e argumentojnë vendimet e asambleve të përgjithshme të Këshillit të Byrove, të mbajtur në qershor në Gjenevë dhe në Andorra në qershor 2001, kur ishte instaluar model i veçantë për Kosovën, që automobilistët kosovarë të pajisen me Karton të gjelbër për udhëtim jashtë vendit, si dhe që Kartoni i gjelbër nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Byrove të vlejë për territorin e Kosovës. Këto vendime nuk u jetësuan asnjëherë përgjatë këtyre 15 vjetësh dhe madje në BKS, vitin e kaluar, më kanë thënë se fare nuk janë në dijeni për to (sic!).
Pse Banka Qendrore e Kosovës dhe BKS-ja kanë përdorur memorandume të mirëkuptimit me shtete të veçanta në rajon për t’u njohur policat e ndërsjella, siç është rasti me Maqedoninë dhe Shqipërinë, mirëpo ka ndaluar këtu? Përse nuk janë bërë përpjekje që, në mungesë të Kartonit të gjelbër, të sigurohen së paku marrëveshje mirëkuptimi me shtete të veçanta në rajon dhe në Evropë, siç është vepruar p.sh. në rastet e pranimit të targave dhe të pasaportave të Kosovës? Përse nuk është menduar edhe kjo si strategji për të bërë presion te Këshilli i Byrove për ta pranuar Kosovën në Kartonin e gjelbër?
Qeveria e Isa Mustafës tash e ka në dorë të përmirësojë një nga manipulimet më të mëdha të bëra në Kosovën e pasluftës me qëllim të përfitimit material të një grupi njerëzish të fuqishëm.
Ashtu siç e kanë përmendur në veçanti edhe ministri i Diasporës, Valon Murati, dhe deputeti Naser Osmani, Qeveria duhet urgjentisht t’i drejtohet në mënyrë zyrtare Byrosë së Kartonit të gjelbër me kërkesën që të gjendet një zgjidhje për daljen e Kosovës nga izolimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kartonit të Gjelbër, e cila mbahet më 26 dhe 27 maj në Poloni.
Bashkëmërgimtarët tanë nga kjo verë përfundimisht duhet të lirohen nga pagesa e imponuar e sigurimit kufitar dhe qytetarët e Kosovës përfundimisht të dalin nga izolimi i shpifur.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...