21 Mars 2015 - 09:28 - Adriatik Kelmendi
HONORE DE BALZAC, Susan Sontag, Nicolai Gogol, Tim Cook, Andy Warhol, Bertold Brecht, George Michael, Roland Barthes, Anderson Cooper, Oscar Wilde, Jodie Foster, Walt Whitman, Ian Mckellan, Virginia Woolf, T.S. Eliot, Freddy Mercury, Thomas Mann, Ellen DeGeneres, Tom Ford, Marcel Proust, Platoni, Neil Tennant, Allen Ginsberg, Cary Grant, Michel Faucault, Federico Garcia Lorca, Michael Stipe, Leonardo da Vinci, Giorgio Armani, Tchaikovsky, George Byron, Michelangelo, Virgjili, Horaci, Chuck Palahniuk, Elton John, Marguerite Yourcenar, Andre Gide etj.
Çka kanë të përbashkët këta emra?
Besoj se shumica jush pajtoheni se pa emrat e përveçëm edhe të kësaj liste sot nuk do t’i kishim arritjet kulmore që i kemi në filozofi, letërsi, shkencë, biznes, muzikë, film, art pamor, modë etj.
Ata kanë të përbashkët edhe që e kanë avancuar shoqërinë në përgjithësi, që me punën dhe angazhimin e tyre e kanë bërë botën më fisnike me vlerat nga fushat ku kanë ushtruar ose ushtrojnë aktivitetin.
Por, të gjithë kanë edhe një “mëkat të madh” të përbashkët.
Janë homoseksualë.
Disa e kanë pranuar vetë publikisht, për të tjerët është pandehur.
MË DUHET TA pranoj, edhe vetë deri para nja 10 vjetësh kam paragjykuar personat e komunitetit LGBTI. Edhe unë i kam pasur të gjitha rezervat që i përmendin shpesh njerëzit që thonë se nuk mund t’i kuptojnë se është “e panatyrshme”, se është “e pamoralshme”, “e ulët”, “sëmundje”, “lazdrim”.
Mirëpo, pastaj jam përballur kryesisht me artin e “këtyre njerëzve”. Dhe kam filluar ta pyes veten se si mund të paragjykoj një artist aq të madh si Freddy Mercury, George Michael ose Neil Tennant, ose një shkrimtar si Balzac, Proust e Brecht, një aktore si Jodie Foster, një filozof si Barthes, një gazetar si Cooper, ose një gjeni të artit si Da Vinçi. Kjo më ka shtyrë të lexoj e të studioj, me një fjalë “të emancipohem”, për të kuptuar se si diçka kaq hyjnore, si arti e dija që na kanë servuar të gjithë këta, mund të jenë vepra të individëve me “të meta” si ta.
Dhe, më vonë e kam kuptuar se në fakt “e meta” e tyre, sado që mund të mos e kuptojmë, na bën ne që të kemi “të meta” e t’i paragjykojmë.
Së këndejmi sot turpërohem dhe inatosem me vetveten për paragjykimet e mia të djeshme, njësoj siç më ndodh të turpërohem e inatosem kur e zë vetveten duke e paragjykuar dikë vetëm përse është katundar, ose se është i zi, ose se është i vjetër, ose se është grua, ose se është i një etnie tjetër, ose se është i një feje, ose vendbanimi të caktuar...
Ndoshta, gjej paqe kur më kujtohet se paragjykimi është mbase epidemia më e madhe njerëzore. Se paragjykime ka në të gjitha shoqëritë, në të gjitha shtetet dhe në të gjitha meridianët e botës. Dhe se kjo është vetëm njëra nga betejat që shoqëritë duhet ta luftojnë, për ta pranuar tjetrin ashtu siç është.
Përndryshe, për ta vazhduar me sinqeritet, për vete nuk është se e parapëlqej një orientim të atillë seksual, ose se do të isha i lumtur nëse fëmijët e mi do të ishin të tillë. Por natyrisht se në rrethana do të angazhohesha që ata të bëjnë jetë sa më normale, me dashuri të njëjtë dhe me të drejta të barabarta si të gjithë qytetarët e tjerë.
Në fund të fundit, nuk mund të zgjedhim ne se si të tjerët duan ta jetojnë jetën e tyre, përderisa jeta e tyre nuk bëhet pengesë për jetën tonë.
Kështu sot sondazhe e statistika të ndryshme tregojnë se rreth 5 për qind e të gjithë njerëzve kanë prirje seksuale ndaj gjinisë së njëjtë. Kjo i bie 1 në çdo 20 individë. Kjo i bie që pjesëtarë të komunitetit LGBTI të ketë në secilën sferë të jetës, në vendet tona të punës, në institucione arsimore, institucione qeveritare, familje etj. Pavarësisht se a është publik ky fakt ose jo, pavarësisht se a ia kanë pranuar ata vetvetes këtë ose jo. Diçka që duket se në vendin tonë ende nuk është kuptuar drejt. Dhe shpërfaq një dozë të madhe të qyqarllëkut tonë shoqëror nga të dyja palët.
NJË NGA RASTET e ditëve të fundit na e tregon qartë se pse ka qyqarllëk sa i përket temës së komunitetit LGBTI në shoqërinë tonë, si nga ata që e kanë marrë përsipër ta përfaqësojnë shoqërinë në institucione, ashtu edhe nga vetë pjesëtarët e komunitetit.
U raportua se asnjë nga disa politikanë nga subjekte të ndryshme politike – shumica prej të cilëve e mbajnë veten kampionë të agjendave emancipuese në Kosovë – nuk morën pjesë në një konferencë të thirrur për komunitetin LGBTI në politikë.
Disa të tjerë shkuan aq larg saqë deklaruan hapur se “Kosova nuk ka nevojë për tema të tilla të shpifura”, ose se “në Kosovë nuk ka votues nga komuniteti LGBTI”. E për t’ia vënë kapakun, si gjithmonë në raste të këtilla, u lajmëruan edhe predikuesit fetarë, të cilët zakonisht satanizuan komunitetin.
Në anën tjetër, edhe vetë pjesëtarët e komunitetit LGBTI në Kosovë ka kohë që na kanë dëshmuar se janë bukur qyqarë.
Secili pjesëtar i këtij komuniteti, i cili dëshiron që të arrijë lirinë e vet dhe ta sjellë atë në nivel të lirive me vendet e zhvilluara dhe demokratike të botës, duhet ta ketë të qartë se punën më të madhe duhet ta bëjë vetë.
Kurse ne deri më tash nuk kemi parë thuaja asnjë pjesëtar të komunitetit LGBTI në Kosovë që të gjejë kurajën, p.sh. që të dalë publikisht në një televizion ose forum me audiencë të lartë, e të flasë hapur për orientimin e tij/saj seksual.
Nuk mund të fitohen të drejtat e tyre vetëm nëpërmjet angazhimit të individëve ose grupeve që nuk i takojnë komunitetit LGBTI, por që duan t’u ndihmojnë, kryesisht nisur nga besimi në liritë themelore të njeriut.
Asnjë liri nuk është fituar pa rreziqe e pa sakrifica. Besimi dhe ideali për çfarëdo lirie është i lidhur ngushtë edhe me rreziqet e sakrificat në rrugën drejt arritjes së asaj lirie. Njëjtë siç luftohet për liri kombëtare, për liri në arsim, liri racore, liri fetare, liri gjinore, njëjtë duhet të luftohet për liri të orientimit seksual, nëse individë ose grupe shoqërore këtë e shohin me interes.
E të gjitha luftërat për liri kanë heronjtë dhe të rënët e tyre. Njerëzit kanë rrezikuar jetën e tyre, janë nisur edhe në luftëra të armatosura me armiqtë e lirisë së tyre, duke mos e ditur se a do të dalin gjallë ose jo nga ato beteja. Mirëpo, gjithsesi se pa beteja të rrezikshme, vështirë se do të arriheshin idealet e lirive të synuara.
Edhe në shtete të tjera ka pasur dhe ka beteja të përhershme të atyre që i përkasin komunitetit LGBTI me ata që i stigmatizojnë. Mirëpo, pa përjashtim, në këto vende, në të cilat tashmë vlerësohet se është arritur nivel i kënaqshëm i lirisë për orientimet alternative seksuale, barrën kryesore e kanë marrë përsipër vetë pjesëtarët e komunitetit. E prej tyre ka pasur edhe të tillë që kërkimi i asaj që e kanë cilësuar si e drejtë u ka kushtuar me jetë. Por, kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën e vet, në kërkim të lirisë individuale dhe të kolektivitetit me orientim të njëjtë.
Së këndejmi, fshehja e përhershme, mosballafaqimi, frika e kalkulimi vështirë se ndonjëherë ka çuar drejt lirisë. Cilado që të ketë qenë ajo liri.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...