SëBASHKu për shtet, jo për...

2 Maj 2015 - 11:08 - Adriatik Kelmendi      

Me idenë se ty të amnistohet hajnia, vetëm se ka diku edhe një hajn tjetër, nuk ndikon fare në punën e pushtetit, por ndikon shumë në dështimin e shtetit

“KUJT T’I PAGUAJ, BRE?! Hajnave a?!” Besoj shpesh në Kosovë i kemi dëgjuar këto fjalë të thëna nga ndonjë bashkëbisedues kur është folur për pagesën e obligimeve ndaj shtetit.
Ka qytetarë, qoftë biznesmenë, qoftë qytetarë të thjeshtë, të cilët shpesh me të drejtë akuzojnë pushtetin, ose edhe kompanitë publike për korrupsion, ose tarifa e çmime të larta të shërbimeve. Dhe, natyrisht, ka shumëçka për t’u kritikuar në këtë mes. Mirëpo, nëse ata që janë në anën tjetër, që në këtë rast, pra, i bie pushteti, qenkan “hajna”, a duhet që ne, qytetarët, të luftojmë ta ndërrojmë gjendjen për të mirë, apo edhe vetë të bëhemi – hajna.
E thjeshtë: nuk mund ta akuzosh tjetrin për hajni, duke bërë hajni vetë. Nëse pakënaqësia ndaj individëve në pushtet është e arsyeshme, e njëjta nuk të arsyeton ty ta shmangësh një tatim, ose një pagesë tjetër të paraparë me ligj. Një sjellje devijuese nuk e arsyeton sjelljen tjetër devijuese. Kjo sjellje vetëm sa e legjitimon hajnin që momentalisht mund të jetë në pushtet, duke qenë se edhe ata që janë në anën tjetër janë njësoj, me dallimin e vetëm që janë hajna pa pushtet.
Individi inicion ndryshimin, nëse atë ndryshim e fillon së pari nga vetja. Se në fund të fundit nga po ky popull kanë dalë edhe ata që sot janë në pushtet, e edhe ata që do të jenë nesër.
Me idenë se ty të amnistohet hajnia, vetëm se ka diku edhe një hajn tjetër, nuk ndikon fare në punën e pushtetit, por ndikon shumë në dështimin e shtetit.

JO RASTËSISHT këto fjalë sot. Se ç’më ngjan e pështirë gjithë kjo loja me grevat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dhe e krahasueshme me këtë idenë e çoroditur të përzierjes së shtetit me pushtetin dhe dialogun mes hajnave.
Më lejoni që fillimisht të nënvizoj se një ndër arritjet më të mëdha të rezistencës së shqiptarëve të Kosovës ndaj okupimit të Serbisë ka qenë organizimi i shkollës paralele shqipe gjatë viteve ’90. Ata mësues e arsimtarë, që punonin pa paga dhe në ambiente çnjerëzore, janë shtylla kurrizore e shtetit që e kemi sot.
Mirëpo, si ndodhi që tash, në kohën kur e bëmë shtetin dhe na duhet forcimi i tij i gjithëmbarshëm, pikërisht disa nga këta – me respekt të thellë ndaj përjashtimeve shumicë – po rrezikojnë të bëhen shtylla e thyer kurrizore e po këtij shteti?
SBASHK-u, që pretendon t’i përfaqësojë mësimdhënësit, zakonisht del në opinion dhe identifikohet me kërkesat e tyre për më shumë para dhe me kërcënimin me greva. Ata luajnë me pjesën më vitale të popullit, fëmijët, duke i përdorur si shantazh për grykësinë e tyre.
A e mban dikush mend nëse këta të SBASHK-ut të jenë angazhuar ndonjëherë për diçka tjetër, përveç rritjes së pagave?
Ndoshta do të mund t’iu jepnim disa ide:
Nuk do të ishte keq që SBASHK-u, para se të kërkonte më shumë para, të shikonte se sa paguhen mësimdhënësit me orët e angazhimit që bëjnë krahasuar me punëtorët e tjerë të sektorit publik.
Nuk do të ishte keq që SBASHK-u, para se të kërkonte më shumë para, të organizonte konferenca e seminare për të ngritur cilësinë e mësimdhënies në shkolla, duke parë se me nivelet ndërkombëtare të vlerësimit të dijes shkollore, nxënësit kosovarë gjithnjë renditen nga fundi i tabelave evropiane.
Nuk do të ishte keq që SBASHK-u, para se të kërkonte më shumë para, të denonconte në Inspektorat të arsimit fenomenin e tmerrshëm antiligjor dhe thellësisht korruptues të mësimdhënësve të shumtë, të cilët i thërrasin nxënësit e vet t’iu mbajnë kurse me pagesë, për leksionet të cilat në fakt do të duhej t’iu jepnin në shkolla.
Është shokues numri i madh i rasteve kur nxënësit janë të shantazhuar nga mësimdhënësit e tyre që të paguajnë për kurse private nëpër shtëpi, në mënyrë që ta marrin notën e lartë ose ta kalojnë lëndën. Dhe më e keqja këtu është se këto veprime të çoroditura - duke shfrytëzuar në raste edhe injorancën e prindërve - bëhen me një lehtësi të padurueshme dhe pa ndjenjën e të bërit diçka thellësisht të dënueshme në çdo aspekt etik, moral e ligjor.
E para, është kundër etikës që të krijosh rrethana për të fituar para shtesë nga mësimdhënia, kur për këtë punë ke pagën të cilën ta paguan shteti.
E dyta, është krejtësisht e pamoralshme dhe e sëmurë ideja që të thirren nxënësit e moshës së mitur në shtëpitë private të mësimdhënësve.
E treta, është e kundërligjshme të ushtrohet aktivitet fitimprurës nëpër shtëpi private dhe pa paguar taksa në fitimin e mbledhur.
Dhe e katërta, e ndoshta edhe më e rëndësishmja, është se çfarë shembulli dhe çka po i mësojmë brezat e rinj me këto veprime thellësisht zvetënuese nga ata që, bashkë me prindërit, do të duhej të ishin udhërrëfyes i tyre në jetë?
A do të mund të protestonte SBASHK-u edhe për këto?

NATYRISHT SE partitë e koalicionit të tashëm qeveritar bartin pjesën e tyre të madhe të përgjegjësisë sa i përket grevës së SBASHK-ut, meqë për efekte zgjedhore gjatë fushatës ishin shndërruar në babadimra politikë. Premtimet e tyre jorealiste dhe pa mbulesë kanë bërë që jo vetëm mësimdhënësit, por edhe shumë sektorë të tjerë të shoqërisë të ndihen të nëpërkëmbur, të mashtruar ose të poshtëruar.
Mirëpo, siç u tha në fillim - nuk mund ta akuzosh tjetrin për hajni, duke bërë hajni vetë.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...