Barra e Ramush Haradinajt

13 Shkurt 2016 - 11:08 - Adriatik Kelmendi      

Haradinaj ka marrë një barrë të rëndë mbi vete, e cila nuk u çmua thuajse nga asnjëra nga palët kontribuuese në bllokadën politike pesëmujore. Ai vendosi të marrë pjesë në takimin te presidentja, me gjithë kundërshtimin nga LVV-ja dhe NISMA. Po ashtu, të ballafaqohet i vetëm me dy kundërshtarët politikë, Mustafën e Thaçin. Por, absolutisht, nuk gaboi!

PËR TË ARRITUR diçka në shërbim të të gjithëve, individit shpesh i imponohet të ndërmarrë veprime të guximshme, pavarësisht rrezikimit të pozicionit personal. I tillë pa ekuivokë mund të cilësohet edhe vendimi i Ramush Haradinajt për të marrë pjesë në tryezën e presidentes Jahjaga këtë javë. 

Haradinaj ka marrë një barrë të rëndë mbi vete, e cila nuk u çmua thuajse nga asnjëra nga palët e kontribuuese në bllokadën politike pesëmujore. Ai vendosi të marrë pjesë në takim, me gjithë kundërshtimin nga LVV-ja dhe NISMA. Po ashtu, të ballafaqohet i vetëm me dy kundërshtarët politikë, Mustafën e Thaçin.
Dhe mbeti i kritikuar dhe i ofenduar.
U kritikua ashpër nga Ymeri e Limaj.
U ofendua pas takimit nga Mustafa e Thaçi.
Por, mbi të gjitha, Haradinaj ndërmori vendimin më të drejtë të mundshëm. Ai tregoi, jo për herë të parë gjatë angazhimit politik, se është i gatshëm ta sakrifikojë vetveten në përpjekje për të çuar përpara projektin në të cilin beson.
Meqë, logjika e thotë, se nuk ka asgjë të keqe që me dialog të synohet të arrihen zgjidhje për çfarëdo problemi. E kundërta e dialogut është - dhuna.
Takimin e kishte thirrur presidentja e Republikës së Kosovës, jo e Serbisë.
Takimin e kishte përkrahur Ambasada e Amerikës, aleatit kryesor të Kosovës.
Takimin e kishte mbështetur përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, organizatës ku Kosova synon të anëtarësohet.
Në fund të fundit do të takohen shqiptarët me shqiptarët për të gjetur zgjidhje për problemet e shqiptarëve. Përse të mos i jepet shans paqes?!

NUK U ÇMUA, pra, ky vendim. Palët vetëm sa çuan edhe një hap tutje çimentimin e qëndrimeve që çon në thellim të krizës.
Thaçi nxitoi të thotë se opozita ka kauza të rreme dhe se Haradinaj gjithçka po e bën për ta marrë pushtetin, duke harruar që në të njëjtën kohë atij po i ngutet ta marrë për vete një pushtet tjetër – atë të presidentit. Dhe këtë Thaçi po dëshiron ta arrijë duke u bazuar në marrëveshjen për formimin e koalicionit LDK-PDK-komunitetet pakicë, mirëpo duke e shkelur një marrëveshje tjetër, atë PDK-LDK-AKR-Ambasadë Amerikane, që bëri presidente Jahjagën dhe që nënkuptonte afat për reformimin e ligjit zgjedhor në mënyrë që presidenti të zgjidhet direkt nga votuesit.
Mustafa nuk u mor fare me vërejtjet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese për nënshkrimin që ai e ka vënë në Marrëveshjen për Asociacionin/Bashkësinë, por ripërsëriti qëndrimin se zgjedhjet do të mbahen vetëm në vitin 2018.
A nënkuptojnë këto deklarata vullnet të palëve për të zgjedhur me dialog zgjidhje për problemet dhe zhbllokimin e vendit?
Kjo e tregon krejtësisht të kundërtën. Se të gjitha palët janë të interesuar ta thellojnë krizën, në dëm të qytetarëve të këtij vendi.
E pandershme, thënë së buti, ishte edhe kritika e Ymerit dhe Limajt bërë ndaj Haradinajt.
Besoj se edhe në LVV e edhe në NISMA e kanë të qartë se pa AAK-në si pjesë të opozitës së bashkuar, as që do të kishte opozitë të bashkuar e as që do të mund të kishte bllokadë kaq të gjatë në Kuvend.
Për më tepër, pa AAK-në, as protestat masive që u mbajtën në Prishtinë, nuk do të ishin të atilla.
LVV-ja është koshiente se prej se është formuar, më se një dekadë më parë, ka folur për protestën e madhe që do ta ndërrojë sistemin në Kosovë, por e dimë se vetëm me AAK-në ia doli të mbledhë për herë të parë mbi 10 mijë veta.
E tash, ndoshta duhet ditur edhe Haradinajt hakun - i cili pavarësisht se nga vetë LVV gjithmonë është akuzuar në mënyrën më të ashpër të mundshme për korrupsion dhe frikësim - se ka vendosur t’i harrojë të gjitha dhe ta përqafojë një kauzë të përbashkët opozitare.
Edhe NISMA do të duhej ta dinte se askush nuk e ka të lehtë që ta bëjë një grupim të përbashkët që dëshiron ta çrrënjosë korrupsionin, teksa lideri i tyre çdo javë përgjigjet në proces gjyqësor me akuza për korrupsion.
Këtë, sigurisht, e ka të qartë Haradinaj, i cili - si dhe në kohën kur dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, ose në kohën kur i jepte shans Thaçit me t’u kthyer nga Haga – edhe tash e parandien barrën e rrezikut që ka ndërmarrë me këtë bashkim, me këtë kundërshtim e me këto metoda të të bërit politikë.

ME KËTO QË po them, natyrisht se s’po dua ta marr fare blanco në mbrojtje Haradinajn, ose AAK-në, meqë sigurisht ka se çka të kritikohet edhe për ta, por vlerësoj se megjithatë duhet çmuar përpjekja e dikujt që me vetëmohim dëshiron të provojë ta hapë çfarëdo dere që mund të hapë rrugën e zgjidhjes.
E për situatën ku ndodhemi sot, kush më pak e kush më shumë, kanë kontribuuar të gjithë liderët e subjekteve politike.
Çelësin e zgjidhjes e kanë të gjithë në dorë. Vetëm se deri më tash po tregohen të paaftë ta gjejnë edhe derën e duhur.
Takimi te presidentja ishte vetëm një trokitje e parë në një derë.
Gjithmonë mbesin edhe dyer të tjera.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

 

 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...