20 Qershor 2015 - 08:51 - Adriatik Kelmendi
KA TË BËJË me parimin e përhershëm: Sa larg do të mund të shkoje për të shmangur të pashmangshmen?!
Duket se puna ka ardhur këtu.
PO, dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale të cilat do të trajtojnë krimet e supozuara në Kosovë gjatë dhe pas luftës është padrejtësia që po duan t’ua bëjnë shqiptarëve në emër të drejtësisë.
PO, as për së afërmi nuk kanë marrë dënimin e merituar as krerët e shtetit serb, as gjeneralët, as policët, oficerët e paramilitarët që kanë kryer në Kosovë disa prej krimeve më të tmerrshme që ka parë Evropa pas Luftës së Dytë Botërore.
PO, 1.090 fëmijë shqiptarë llogariten si të vrarë dhe të zhdukur nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. 185 prej tyre më të vegjël se 7 vjeç. Askush ende nuk është dënuar për ta.
PO, 120.000 prona të shqiptarëve janë dëmtuar gjatë luftës. Askush nuk është dënuar as për to.
PO, mijëra e mijëra gra shqiptare llogaritet të jenë dhunuar sistematikisht nga forcat serbe. As për to nuk u dënua sot e kësaj dite askush.
PO, e dimë, Justicia, perëndia romane e drejtësisë, na shfaqet gjithmonë në figurën e femrës me sy të mbyllur që mban në njërën dorë peshoren dhe në tjetrën shpatën, si simbol i moralit gjyqësor. Kjo, për t’u siguruar se gjyqësia duhet t’i trajtojë të gjithë njësoj, pa shikuar se kush është kush. Kjo absolutisht nuk po respektohet në rastin e iniciativës për themelimin e dhomave të veçanta...
Tutje, PO, Tribunali i Hagës, si gjykatë ndërkombëtare, e ka mbyllur aktivitetin pa arritur dënimin e kriminelëve kryesorë, pa ndikim në ripajtimin e popujve, pa vërtetuar gjenocidet, dhe pa ndjenjën e drejtësisë për viktimat.
PO, njësoj mund të thuhet se ka ndodhur edhe me gjykatat ndërkombëtare të vendosura në Kosovë, me dështimin e bërjes së drejtësisë nga UNMIK-u dhe EULEX-i në raport me krimet e luftës e ato të pasluftës.
PO, me gjykatës dhe prokurorë “të njëjtë ndërkombëtarë”, duke përjashtuar krejtësisht kosovarët, planifikohet të përbëhen edhe trupat gjykuese të dhomave të veçanta..., dhe njëjtë s’ka se si të mos pritet që njëjtë të dështojnë.
Dhe, PO, dhomat e veçanta... do të jenë dyfish raciste, e me këtë edhe dyfish diskriminuese: aty do të gjykohet vetëm një etni, shqiptarët, dhe do të jenë të përjashtuar nga mundësia e marrjes pjesë në trupat gjykues njësoj shqiptarët.
E kjo listë e absurdit dhe e padrejtësisë mund të vazhdojë gjatë e gjatë. Mirëpo, çka më tej?
DUKET SE PËRVEÇ dështimit ndërkombëtar, të cilët ndonëse e kanë pasur në dorë sistemin e drejtësisë në Kosovë për gjithë këto vite, nuk ia kanë dalë të kryejnë punë e krimet e ndërlidhura me luftën, duket se një pjesë bukur të madhe të përgjegjësisë në këtë dështim e kemi edhe vetë.
Ndonëse gjyqtarët shqiptarë të Kosovës janë përjashtuar nga lëndët që kanë të bëjnë me krime të ndërlidhura me luftën që në vitet e para të çlirimit, dështim është heshtja ndaj këtyre krimeve e shoqërisë shqiptare - politikanëve, gazetarëve, akademikëve, artistëve, aktivistëve të shoqërisë civile, ose përgjithësisht e intelektualëve kosovarë (me respekt për disa përjashtime jo të shpeshta).
Të gjitha këto të bëra bashkë, sot na kanë sjellë në situatën kur edhe përfaqësuesit e shteteve më meritore të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës – SHBA, Britani, Gjermani e Francë – të na thonë se dhomat e veçanta janë një e keqe e domosdoshme. Aleatët më të mëdhenj të shqiptarëve e të Kosovës, të cilët me aq mund përfundimisht i bëmë të na përkrahin idealin për çlirim e pavarësi, po na thonë krejt troç se, nëse nuk votohet në Kuvendin e Kosovës, ato nuk do ta bllokojnë Federatën Ruse që çështjen ta kalojë në OKB. Dhe nuk ka asnjë argument bindës të na tregojë se ata nuk e kanë këtë seriozisht, meqë i bie se më nuk po u besojmë amerikanëve, britanikëve, gjermanëve e francezëve.
Në fund të fundit, nëse po bëhet fjalë për drejtësi, nëse po bëhet fjalë për dyshime të bazuara për krime, ose edhe nëse bëhet fjalë për përralla të armiqve të shqiptarëve, përse të frikësohemi?!
Dhe pse, nëse besojmë të jemi të pastër – siç u dëshmua edhe me Haradinajn dhe Limajn në Tribunalin e Hagës – të mos besojmë se do të dalim të pastër sërish?!
S’ka përse i hapet dera ndikimit rus në Kosovë e rajon me dorën tonë.
S’ka përse t’i bëjmë që aleatët tanë të na kushtëzojnë me mosliberalizim vizash e mosnënshkrim të MSA-së, duke na akuzuar se po i bishtnojmë drejtësisë.
E as nuk kemi përse një shtet i tërë të mbetet peng i aludimeve për krime të tmerrshme të disa individëve.
Për më tepër, në qoftë se edhe do të vërtetohet (gjë që është bukur irreale) se ka pasur individë shqiptarë që kanë bërë krime monstruoze siç është tregtia me organe njerëzore, këta individë jo që duhet të dënohen, por edhe të pështyhen nga secili njeri normal.
E, PO, DUKE i thënë krejt këto, duket se jemi tashmë thellë deri në fut në dilemën: a duhet të thyejmë parimet për të shmangur të pashmangshmen?!
Këtu të vjen ndërmend ai shembulli i shpeshtë:
Një njeri parimor asnjëherë nuk do ta lejonte vetveten që t’ia merrte jetën një njeriu tjetër.
Por, çka do të bënte ky njeri parimor nëse do të ndodhej para situatës kur një person do t’i vrasë pesë fëmijë? Nëse e vret kërcënuesin, do të bëhet vrasës, por do të shpëtojë 5 jetë të pafajshme.
Cilën do ta zgjedhin deputetët e Kuvendit të Kosovës kësaj radhe: vrasjen e parimit të shëndoshë, apo vrasjen e Kosovës?!
Pastaj, me këtë kapital të akumuluar, s’do të ketë kush t’u dalë në ballë kërkesave legjitime të shqiptarëve, si viktimat absolutisht më të mëdha të luftës, të kërkojnë që drejtësia të vihet në vend për secilin krim të serbëve në Kosovë.
Në secilin variant tjetër, fatkeqësisht e padrejtësisht, duket se do të mbesim vetëm humbës të shumëfishtë!
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...