16 Korrik 2016 - 08:24 - Adriatik Kelmendi
A JE NË FACEBOOK? A ke llogari në Twitter? Si e ke nofkën në SnapChat? Çka poston në Instagram? A e përdor Pinterest?
Nëse së paku njërës prej këtyre pyetjeve nuk u përgjigjesh pozitivisht, ti sot mund të shihesh se jeton si karakteri i filmit të Tom Hanks në ishullin e humbur.
Mirëpo, gjasat më të mëdha janë se ti do të përgjigjesh me po.
Meqë, gati gjysma e njerëzve të botës sot, rreth 3 miliardë, llogaritet të kenë qasje në Internet dhe më shumë se dy të tretat e tyre janë aktivë në rrjetet sociale.
Për më tepër, Internet World Stat. ka renditur Kosovën si të parën në Ballkan sa i përket varshmërisë nga Interneti, me afro 80 për qind të banorëve me qasje në të.
Dhe, rrjedhimisht, trendit global të përfshirjes së përdoruesve të Internetit në rrjete sociale nuk i ka shpëtuar as Kosova.
Kjo i bie se jeta virtuale në rrjetet sociale është pjesë e pandashme e jetës së përditshme së një të tretës së popullatës botërore.
JO VETËM INDIVIDËT e zakonshëm, por tashmë nuk mund të paramendohet asnjë institucion, kompani, organizatë, artist, gazetar ose sportist, pa prezencë në rrjetet sociale.
Në fakt, ajo që si duket ishte menduar nga shpikësit e tyre në fillim, që njerëzit të hyjnë aty thjesht për t’u socializuar, tashmë shihet se është kthyer në jetërrëfim virtual i jetëve dhe i veprimeve “reale”.
Dhe, si në jetën “reale”, ashtu edhe në këtë virtuale, njerëzit mund të arrijnë suksese, por edhe të bëjnë gabime të cilat mund t’u kushtojnë.
Shpesh ndodh që njerëzit ose harrojnë ose janë të pavëmendshëm për faktin se ajo që postohet në rrjetet sociale shihet edhe nga miqtë, por edhe nga të tjerët, si dhe mund të mbetet aty për një kohë të gjatë.
Këto sjellje e kthejnë shpesh Facebook-un, Twitter-in e rrjetet ku mund të shprehet më shumë një përmbajtje e shkruar, nga një rrjet social në rrjet psiko-sociologjik. Aty postohen idetë e mendimet, urimet e ngushëllimet, gëzimet e pikëllimet, por edhe traumat, frustrimet, kërcënimet, sharjet, ofendimet e komplekset.
MË KA NDODHUR, për shembull, edhe personalisht që të jem në pozitën e rekrutuesit e selektuesit të individëve që kanë konkurruar për vend pune në institucion ose kompani. Kështu që për të përzgjedhur kandidatët më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të përshtatshëm për pozitat e lira jam shërbyer me biografitë, letrat e rekomandimit si dhe me dokumentet e zakonshme relevante për të fituar një përshtypje të parë.
Dhe, meqë thuhet se s’ka herë të dytë për përshtypje të parë, kam kërkuar të di sa më tepër për individët konkurrues. Rruga e shkurtër – rrjetet sociale. Besoj, nuk jam i vetmi rekrutues që sot e bën këtë dhe nuk jam i vetmi që shpesh kam mësuar shumë më tepër për një individ nga ajo që ai/ajo ka postuar në profilet personale në rrjetet sociale, se sa krejt dokumentacioni aplikues.
Ndodhë që në Facebook mëson se si është një individ në të vërtetë, ose se si pretendon ai vetë se është.
Mëson, po ashtu, se cilat janë pikëpamjet e tij/saj për shumë çështje që kanë të bëjnë me punën, shoqërinë dhe jetën në përgjithësi.
E ky është vetëm njëri segment benjin i ndikimit të jetës virtuale në jetën “reale”.
Sot rrjetet sociale përdoren edhe nga qarqe të interesit për të përhapur ide ekstreme, për të krijuar grupe pasuesish, për të bindur e ndikuar në ta, deri te synimi i trushpëlarjes.
Ka raste kur ekstremistë të ndryshëm kanë yshtur individë të kryejnë edhe sulme vetëvrasëse të nxitura nga ide të qarkulluara nga individë në rrjetet sociale.
Ka të tjera raste kur pedofilë synojnë të joshin të miturit për të kryer marrëdhënie seksuale nëpër po këto rrjete.
E ka edhe të tjera raste kur individët humbin interesimin për jetën “reale”, kur bëhen cak i linçimeve nga grupe ose individë, bëhen anksiozë nëse nuk mund të qasen në Internet, ose edhe zhyten në depresion të thellë nga sindroma FOMO (nga “fear of missing out”), ndjenja se ju jeni të privuar nga të përjetuarit të lumturisë dhe kënaqësive të cilat besoni se individët e tjerë janë duke i shijuar.
SIDOQOFTË, BESOJ SE ka më shumë anë pozitive se sa negative nga përfshirja në rrjete sociale, nëse ne ia dalim që t’u përmbahemi disa shprehive pozitive, njëjtë siç do të pritej të bënim edhe në jetën “reale”.
Me rrjetet sociale sot lexojmë edhe lajmet, shohim nëse dikush po kërkon punëtorë, cili film i ri po luan në kinema, çka ka bërë një idhull yni.
Njësoj mund të shikohen bursat, të kërkohen libra, studime e referenca, ose top lista të interesimeve të ndryshme.
E mbi të gjitha, nëpërmjet të rrjeteve sociale mund të krijojmë edhe miqësi të reja, të tilla çfarë në jetën “reale” s’do të mund të lidheshin lehtë për shkaqe nganjëherë edhe gjeografike, si dhe të mbajmë kontaktin e rregullt me të rejat nga miqtë, familjarët dhe njerëz të tjerë të dashur.
Para jo më larg se 10 vjetësh, bota as që e ka ditur se çka janë rrjetet sociale (faza eksperimentale e Facebook-ut ka nisur në vitin 2004). Sot një pjesë bukur e madhe e botës s’e ka idenë se si do të mundë të jetonte pa rrjetet sociale. Transformimi shoqëror si i tillë është aq i madh dhe aq i parashikueshëm, sa që kjo tash mund të shihet vetëm si një fazë transicioni.
Sa do të transformohen rrjetet sociale në 10 vjetët e ardhshëm?
Ose, më mirë, sa do të na transformojmë ne si individë e shoqëri?
Nuk kam parë se dikush ka dhënë ndonjë përgjigje të saktë. Por me saktësi mbase mund të thuhet se rrjetet sociale do të vazhdojnë të jenë me ne dhe të ndikojnë fort jetën tonë edhe për shumë kohë.
SË KËNDEJMI, BESOJ se s’ka se si shpjegohet që tashmë të mos shtrohet si nevojë e patjetërsueshme që lënda e rrjeteve sociale të jetë e detyrueshme në kurrikulat shkollore, së paku nga shkolla e mesme.
Si është e mundur që çdo i treti person në Kosovë, ashtu si dhe në botë, të jetë i përfshirë në baza të rregullta në një aktivitet të ndjeshëm dhe për këtë të mos ketë asnjë leksion të konsoliduar?
Ky debat tashmë ka filluar të ndodhë në botë, disa shtete perëndimore kanë filluar ta përfshijnë në planprogramet shkollore. Të njëjtën do të duhej ta bënte urgjentisht edhe Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë në Kosovë.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...