17 Shtator 2016 - 10:40 - Adriatik Kelmendi
E FUNDIT KA mbetur çështja e demarkacionit. Liderët politikë i kemi parë që tash e një vit i kanë dhënë të drejtën absolute versionit të tyre të së vërtetës, teksa kanë gjetur me qindra arsye për të mos qenë pak vetëmohues, në mënyrë që të gjendet zgjidhja.
Është filluar me arrogancën e kryeministrit Isa Mustafa, i cili nuk kishte raportuar në Kuvend para nënshkrimit të marrëveshjes me Malin e Zi, për t’u vazhduar pastaj me arrogancën e gazit lotsjellës e dhunës nga opozita. Në kohën kur u kalua tashmë një vit nga ky nënshkrim problematik, ende nuk kemi një përgjigje të saktë se kush ka më shumë e kush më pak të drejtë për çështjen, ose kush ka ndikuar më tepër që një problem në dukje të parë i thjeshtë e teknik – ta paralizojë Kosovën në këtë mënyrë.
Ideja është se të dyja palët fajin ekskluzivisht ia lënë tjetrit. Për më tepër, të dyja palët kërkojnë nga të gjithë që të bëhet diferencim i qartë se njëra palë është krejtësisht ndryshe nga pala tjetër, në kuptimin pozitiv. Madje kritikojnë ashpër secilin, i cili në ndonjë mënyrë u kërkon të dyja palëve që të jenë të përgjegjshme, duke i thënë se nuk mund të futen në njërin thes.
Natyrisht se edhe mund të kenë të drejtë. Deri në një masë... As gishtat e njërës dorë nuk janë të njëjtë, por kërkohet funksionimi i të pesë gishtërinjve për të pasur një grusht të fortë.
Pse këtu si duket nuk po funksionon?
KA TASHMË mbi një dekadë e gjysmë që në skenën politike të Kosovës i kemi figurat e njëjta qendrore në krye të subjekteve politike, ose në krye të institucioneve. Në qoftë se gjërat nuk kanë shkuar siç kemi pritur, pjesën më të madhe të përgjegjësisë e marrin pikërisht këta liderë që pretendojnë se kanë të drejtën të na udhëheqin.
Personalisht i paragjykoj përgjithësimet, dhe këtu nuk bëhet fjalë për përgjithësim, mirëpo pyetje që imponohet është - në qoftë se këta liderë janë kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri, përse ky popull nuk po i vëren këto dhe nuk po e pensionon dikë nga politika e dikë tjetër ta vërë në krye?
A mund të jetë populli gabim, apo gabim janë liderët e ndryshëm që duan të qeverisin me vendin dhe jetët e këtij populli?
Pjesa më e madhe e popullatës është e tmerruar me lehtësinë me të cilën persona të fuqishëm të partive politike flasin në telefon për ndikime nëpër institucionet e vendit, të cilat do të duhej të ishin të pavarura, në atë që po njihet si afera “Pronto”. Për punësime pa konkurs, për prishje të konkurseve, për frikësime e shantazhe e çka jo tjetër. Duke parë me çfarë komoditeti disa persona flasin në telefon për çështje që lehtë klasifikohen si shkelje ligji, mund vetëm të paramendohet se si këta dhe persona të tjerë të të njëjtit rreth mund të kuvendojnë kur flasin direkt. Lehtësia e padurueshme e bisedave me përmbajtje të këtillë flet haptazi se atyre aq iu bën për popullin që e qeverisin ose vendin që duan ta udhëheqin.
Në anën tjetër, na shfaqen protagonistë të tjerë politikë, të cilët gjithsesi se nuk duan të identifikohen me të parët, por që me lehtësi po aq të tmerrshme flasin për mundësi lufte me vende fqinje, të cilat në të njëjtën kohë janë edhe anëtare të NATO-s. Të mbrujtur artificialisht me idenë se mishërojnë patriotizmin më të madh në ofertën politike, bëjnë gafa të rrezikshme foshnjore, duke nënvlerësuar e përbuzur Republikën e Kosovës, ose duke “argumentuar” se përse Kosova nuk është e vetëqëndrueshme si shtet, gjë që pashmangshëm ta kujton “argumentin” kryesor të Beogradit zyrtar kundër pavarësisë së Kosovës. Lehtësia e padurueshme e deklarimeve me përmbajtje të këtillë flet haptazi se edhe atyre aq iu bën për popullin që e qeverisin ose vendin që duan ta udhëheqin.
Tek ndalesh dhe e mendon, këta në thelb dallojnë shumë nga njëri-tjetri, por pse që të dyja palët e përjetojnë Kosovën si një eksperiment?
Pse njëra palë me kaq lehtësi është e gatshme ta vjedhë e ta zhvatë, e tjetra ta mohojë e përqeshë, ndërkohë që të dyja duke u mbështetur në të mirën e vendit?
Më është mbushur mendja se ka të bëjë në masë bukur të madhe me një fakt të thjeshtë që këta liderë të ndryshëm i bashkon – ka të bëjë me përkohshmërinë e perceptimit të vetvetes dhe familjes së tyre si qytetarë të Kosovës.
NDALONI PËR NJË ÇAST dhe qëmtoni: shumica e liderëve kryesorë partiakë e institucionalë të Kosovës janë edhe shtetas të një vendi tjetër.
Shumica e tyre kanë edhe nga një atdhe rezervë. Si këta të “Prontos”, si këta të mohimit të Republikës. Dikush ka një pasaportë zvicerane ose gjermane nga koha e azilit të viteve ’80-’90, disa të tjerë kanë nxituar të pajisen me nga një pasaportë të Republikës së Shqipërisë, disa të tjerë të Britanisë së Madhe, e ndonjë tjetër është martuar me ndonjë shtetase evropiane. Emëruesi i përbashkët – nëse në Kosovë bëhet llugë, ata kanë ku t’ia mbajnë. E tmerrshme, por bukur e vërtetë.
Qytetarët e thjeshtë nuk kanë ku t’ia mbajnë. Ata jetojnë në geton e fundit në Evropë, pa liberalizim vizash, për fajin kryekëput të këtyre liderëve, të cilët me kohë e kanë bërë liberalizimin e vizave për vete dhe familjet e tyre.
Ndoshta s’do të ishte keq që Kuvendi i Kosovës ta kalonte një ligj i cili ua ndalon dyshtetësinë zyrtarëve të lartë partiakë ose institucionalë. Mbase vetëm kështu të gjithë do të tregonin pak më shumë dashuri për këtë vend, e jo ta përjetojnë si laborator.
Mirëpo të njëjtët i kemi vendimmarrës edhe në Kuvend – kështu që vështirë, vështirë...
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...