12 Mars 2016 - 10:24 - Adriatik Kelmendi
IDEJA: Për të gjuajtur qeveritarë me vezë, nuk ke fare nevojë të kesh ti një program alternativ politik.
Është legjitime: Ti, si qytetar, je i mllefosur dhe e gjuan me vezë, meqë vlerëson se një qeveritar nuk po t’i përmbushë nevojat, ose s’po u përmbahet premtimeve.
Por, s’di se çka fiton një subjekt politik kur gjuan me vezë!
Subjekti politik duhet të jetë pulë që bën vezë.
Veza me e fortë ndaj një qeverie do të ishte kundërpropozimi për veprimin e dobët ekzekutiv e politik.
Gjuajtja e vezëve nuk sjell vota. E pa vota nuk fitohet pushteti.
Kështu që opozita më mirë ta marrë rolin e pulës.
Të prodhojë vezë.
E vezët cilësore ta bindin qytetarin për ndryshim.
KA KOHË QË me zbritjen e nivelit të veprimeve e ndërmarrjeve politike, ka zbritur gati si pavërejtshëm e natyrshëm edhe niveli i komunikimit politik e shoqëror.
Aktiviteti kryesor i politikanëve të opozitës është se si të futen vezët pa u thyer, ose gazi lotsjellës, në Kuvend, kurse i atyre të shumicës të përfaqësuar në Kuvend e në Qeveri – se si t’i pamundësohet kolegëve të tyre opozitarë që të mos ia dalin me këto synime.
Ose e të dyjave bashkë, se si t’i kriminalizojnë, ofendojnë, poshtërojnë e kërcënojnë pjesëtarët e kampit tjetër.
Me automatizëm: je në opozitë – i ke të gjitha të këqijat e mundshme; je në pushtet – je një gjakpirës i pangopur.
Nëse je një i huaj që po i dëgjon për herë të parë se çka po flasin politikanët e Kosovës njëri për tjetrin do të vish në përfundim se vendi nuk paska asnjë njeri për të qenë në politikë, se i gjithë llumi shoqëror qenka mbledhur aty.
E po kush i ka faj?
PAK A SHUMË, kjo flamë është përhapur në të gjitha poret e jetës. Shohim deputetët e Kuvendit të Kosovës se si e “gozhdojnë” njëri-tjetrin nëpër rrjete sociale për shkak të një fjalie të thënë diku. Po, e lexuat mirë, për shkak të një fjalie. Të mirë, apo të keqe. Por na ka marrë malli t’i shohim duke e “gozhduar” njëri-tjetrin me ndonjë ide, projekt ose vizion për shtetin.
Këta në pushtet i kanë rënë në fije. Po ia grahin me të vetën. P.sh. po i mbushin bordet e ndërmarrjeve publike, kundërligjshëm, me militantë politikë, po i infiltrojnë të njëjtët në të gjitha institucionet e rëndësishme, po i udhëheqin ministritë pa asnjë llogaridhënie, po miratojnë ligje pa debate, kurse po ua lëshojnë opozitës një tubë mizash me fjalë dhe këta të fundit po “ua falin” të gjitha këto mëkate e po kapen për fjalën e gabuar.
Pastaj të njëjtat vazhdojnë edhe nëpër analiza e debate të pjesëtarëve të tjerë me ndikim në shoqëri.
Gazetarë e analistë, shoqëri civile e profesorë, me përjashtime, fillojnë e i bluajnë pastaj sërish këto fjalë të thëna nga pushteti në drejtim të opozitës, ose nga opozita në drejtim të pushtetit, shpesh duke harruar se edhe vetë mund të kontribuojnë me ndonjë ide, me ndonjë projekt ose ndonjë vizion.
Jo vetëm të mbetet në nivelin e bluarjes së llafeve të reja të kota bazuar në llafe të vjetra të kota të politikanëve, të cilët në vend të llafeve, do të duhej të punonin në mënyrë që jeta e qytetarëve të përmirësohej e që vendi të zhvillohej.
Dhe, të gjitha këto bluarje, sërish, me përjashtime, duke u nisur nga premisa se çka do të thotë opozita, ose çka do të thotë pushteti kur flasim për llafet e tyre. Mundësisht, t’i shkojë për shtati njërës palë, se të mbetesh në një pol të tretë është rrezik.
Për shembull, është kthyer në nivel tragjikomik tashmë qasja e disa prej grupeve politike:
Nëse flet diçka që nuk u shkon për shtat PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s “vigjilentët” militantë të partisë s’do të përtojnë të të shpallin lehtësisht - spiun.
Nëse flet me tone negative për LDK-në e ke të siguruar nga “vigjilentët” nofkën SHIK ose antiperëndimor.
Nëse kritikon pak “Vetëvendosjen”, “vigjilentët” syhapur do të nisin linçimin – i korruptuar.
Domosdoshmërisht, nëse nuk je krejt me mua – je armik imi.
Se nëse je me njërin bllok politik, është në rregull se je i tyri. Nëse je me bllokun kundërshtar, prapë nuk është problem, ngase vlen: si je bërë njëherë me kundërshtarin “e padenjë”, nesër, me të ndërruar rrethanat e pushtetit - do të bëhesh me neve.
Problemi është me të pavarurin. Me atë që nuk është me mua, nuk është as me kundërshtarin tim e në mënyrë që të jetë me mua nesër. I pavaruri që as nuk bindet, as nuk “korruptohet”, as nuk shitet, as nuk trushpëlahet nga llafet. Ai është rreziku, ai është armiku.
Por, nejse...
Vetëm punën askush nuk do të ta shikojë.
E do të kërkojnë edhe prej teje që të mos ua shikosh punën, por vetëm llafet.
Se po t’ia kishim shikuar më për së afërmi punën, do të gjenim fajtorët kryesorë në të gjitha këto subjekte politike përse Kosova sot është vendi më pak i zhvilluar në Evropë, përse s’po mund ta rrumbullakojmë procesin e pavarësisë, përse nuk kemi liberalizim vizash, përse kemi gjithë këtë papunësi, përse kemi këtë nivel korrupsioni, përse kemi këto shërbime shëndetësore e këtë qasje në arsim.
JEMI SHOQËRI e fjalës. Por jo i asaj të dhënë. E asaj të thënë.
Vlerësojmë në bazë të fjalëve, kush çka po thotë, jo kush çka po bën, sa bukur dikush dikujt po ia mbyll gojën, jo sa bukur dikush e ka kryer punën.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...