A po i përjetojmë betejat e para të “përplasjes së qytetërimeve”? (4)

13 Gusht 2016 - 07:55 - Adriatik Kelmendi      

As Bin Ladeni me fatwanë e tij dhe as Saddam Husseini nuk bënë thirrje për xhihad kundër “qytetërimit perëndimor” si tërësi, por kundër amerikanëve si popull dhe interesave amerikane nëpër botë. Më “i avancuar” në këtë drejtim mund të konsiderohet lideri i “Shtetit Islamik”, Abu Bakr al-Baghdadi, i cili thotë se angazhohet për shtrirje të Kalifatit në tërë botën, mirëpo thirrjes së tij nuk i është përgjigjur deri më sot asnjë nga qeveritë e shteteve islame, përveç individëve, numri i të cilëve në pjesën e parë të vitit 2016 edhe ashtu llogaritet të ketë rënë për dhjetë fish

NGA NJË KËNDVËSHTRIM i shpejtë, nëse nuk i marrim parasysh shumicën e konteksteve në terren, sulmet e 11 shtatorit dhe “lufta ndaj terrorit”, e cila pasoi si kundërpërgjigje ndaj tyre, munden lehtë të përshkruhen si një fazë fillestare e “përplasjes së kulturave”.

SHBA-ja, si shteti themeltar i “qytetërimit perëndimor” (Huntington 2002) financoi luftën ndaj dy shteteve të rëndësishme myslimane: Afganistani,shteti që udhëhiqej nga talibanët, si qeveria më ekstreme islamike në botë, dhe Iraku, një nga shtetet më të fuqishme myslimane, duke u bazuar në kapacitetin e madh ushtarak dhe të rezervave të naftës .
Shumë shtete të Lindjes së Mesme dhe të Evropës kritikuan fillimisht SHBA-në, duke pandehur se qëllimi parësor përse ndërmori këto iniciativa ushtarake dhe përse financoi luftën në këto shtete ishte jo domosdoshmërisht për t’i ndëshkuar grupet që qëndronin pas sulmeve të 11 shtatorit dhe të tjerave të ngjashme më parë. Sipas këtyre kritikëve, qëllimi përfundimtar i administratës amerikane ishte që ta kontrollonte naftën në Lindje të Mesme, që ta nguliste ndikimin e saj në këtë pjesë të botës, si dhe të impononte stilin perëndimor të jetesës te myslimanët.
Sot e kësaj dite, nuk ka argumente të bazuara se ky ishte qëllimi i luftës në Afganistan dhe Irak.

MIRËPO SË FUNDI, sa i përket Irakut,është vërtetuar se kanë qenë të rreme argumentet që presidenti amerikan Bush dhe kryeministri britanik Blair kishin dhënë si arsye për të intervenuar kundër regjimit të Husseinit. Një raport prej 2.6 milionë fjalësh, i përpiluar nga një Komitet i pavarur për Hetimin e Irakut ,ka konkluduar se intervenimi në Irak dhe paaftësia për ta menaxhuar situatën atje, pas rënies së regjimit të Husseinit, kanë nxitur rritjen e ISIS-it dhe kanë ndezur konfliktin në Siri.

Një komandant i lartë i ISIS-it ka pohuar një këndvështrim të këtillë, duke thënë se pa kampin Bucca në jug të Irakut, në të cilin për një periudhë kohore ishte mbajtur i burgosur ai dhe shumë komandantë të tjerë, sot nuk do të kishte Shtet Islamik .

“Kjo bëri gjithçka të mundur, na ndërtoi ideologjinë. Kurrë nuk do të mund të bëheshim bashkë në atë mënyrë në Bagdad, ose kudo tjetër. Do të ishte absolutisht e rrezikshme. Aty jo vetëm se ne ishim të sigurt, por ndodheshim vetëm disa qindra metra larg gjithë udhëheqjes së Al Qaedas”. (Cituar sipas “The Guardian”, 2015)

Ndërkohë, edhe ish-kryeministri Blair - derisa ka kërkuar falje për atë që e ka quajtur “informata jo të sakta” - ka pranuar tërthorazi se lufta në Irak ka ndihmuar ekstremizmin të bazuar në religjion, duke thënë se ka “elemente të së vërtetës” kur pretendohet se ISIS-i ka pasur zanafillën kryesore aty . Sidoqoftë, ai ka theksuar se edhe “Pranvera Arabe” që filloi në vitin 2011 do të kishte ndikim të njëjtë në Irak dhe në veprimtarinë e ISIS-it (ibid).
Në të njëjtën kohë, dy aleatët kryesorë të koalicionit në luftërat në Afganistan dhe Irak, Bush dhe Blair, vazhdojnë të besojnë se vendimet për intervenim në këto dy shtete, pavarësisht kundërthënieve, kanë qenë të drejta (Bush 2010, Blair 2010).

TENSIONET QË LINDËN në shumë shtete arabe, ndërmjet subjekteve në pushtet dhe opozitarëve, shpesh janë parë si të ndikuara nga polarizimet dhe kthimi më i fuqishëm në identitetin religjioz, yshtur nga ngjarjet e pas 11 shtatorit. Janë 12 shtete arabe të cilat në 5 vjet e fundit u përfshinë nga demonstrata të fuqishme, ose konflikte të brendshme, që nga rasti i Libisë, ku u vra lideri historik Muammar Gaddafi, e deri te shtetet ku këto përplasje kaluan me intensitet më të ulët, siç është rasti me Jordaninë. I gjithë ky jostabilitet në shtetet me shumicë myslimane, vetëm sa u përdor nga grupet mirë të organizuara të ekstremistëve fetarë, si ISIS-i e Al Nusra, të cilat me zhvillimin e teknologjisë filluan të përdorin edhe rrjetet sociale dhe kanalin YouTube për të lëshuar audio dhe video mesazhet e tyre, duke ftuar myslimanët në mbarë botën që të bëjnë xhihad ndaj “jobesimtarëve”.

Një element tjetër me interes në këtë çështje, është se edhe Husseini që ishte president i një shteti sekular si Iraku – një regjim i urryer nga shumë shtete dhe organizata të Lindjes së Mesme (Burke 2003) - pasi që ra nga pushteti, e keqpërdori islamin si kauzë. Dukej se ai kalkulonte se kjo ishte mënyra më efikase që të fitonte përkrahje në luftimin kundër armiqve të tij.

Duke pasur për bazë të gjitha këto, përse sërish nuk jemi duke parë episodet e para të “përplasjes së qytetërimeve” që pritet të ndodhë në të ardhmen (Huntington 2002)?

Fareed Zakaria (2003) na ndihmon që t’i shpjegojmë këto teza, duke shkruar për dimensionin e fuqishëm ekonomik të botës arabe. Sipas tij, Egjipti përfiton 2.2 miliardë dollarë ndihma në vit nga SHBA-ja; ndërsa Jordania fiton 1 miliard dollarë çdo vit.

Financat do të mjaftonin që qeveritë e këtyre vendeve të ndiheshin më të sigurta nëse ato mbështesin interesat e Amerikës e jo të vendeve myslimane të fqinjëve të tyre, ose të atyre që duan t’u bëhen fqinjë, siç është territori i okupuar nga luftëtarët e ISIS-it, “Shteti Islamik”.

Dhe pastaj vijnë Arabia Saudite dhe Kuvajti, të cilat mbështeten në përkrahjen e Amerikës për të siguruar stabilitet në vendet e tyre. Kur Iraku e pushtoi Kuvajtin në gusht të vitit 1990, mbreti Fahdi i Arabisë Saudite e pranoi ofertën për ndihmë nga Qeveria amerikane dhe brenda disa javësh forcat amerikane zbarkuan në vend, në mënyrë qa të mbrojnë Shtetin e Sauditit (Esposito 2002, Burke 2003). Para kësaj oferte, mbreti veçse kishte refuzuar ofertën e bërë nga Bin Ladeni për t’i sjellë muxhahedinët arabo-afganë për të njëjtat arsye (ibid 2002, ibid 2003).

Gjithashtu, Kuvajti u lirua vetëm pasi forcat amerikane i larguan forcat irakiane nga Lufta e Gjirit. Trupat amerikane mbetën në Kuvajt për të siguruar stabilitet në këtë vend të vogël.

Turqia, ndërkohë, është një tjetër shtet i rëndësishëm mysliman, me një popullatë prej afro 80 milionë banorësh, e cila për dekada me radhë ka qenë aleati më i afërt i SHBA-së nga të ashtuquajturat “qytetërime islame”. Kjo aleancë u pa edhe pas 11 shtatorit, kur Qeveria turke e lejoi ushtrinë amerikane të përdorte bazat në vendin e tyre në luftën ndaj Afganistanit, kurse u rikonfirmua edhe pas tentimit të grusht shtetit të rishtëm ndaj presidentit Rexhep Taip Erdogan, kur presidenti amerikan Obama përkrahu mbetjen në pushtet të këtij të fundit.

Ka edhe vende të tjera islame, bazat e të cilave përdoren nga ushtria amerikane në luftën ndaj fqinjëve të tyre, sikurse janë Omani dhe Uzbekistani.

Në raste të tjera (nëse e marrim parasysh tipologjinë e Huntingtonit në definimin e kulturave) ai gabimisht vë shqiptarët në kuadër të “qytetarizmit islam”, edhe pse Shqipëria me rreth 70 për qind të popullsisë së saj myslimane qëndronte si e treta në koalicionin e dhjetë shteteve nismëtare në luftën ndaj Irakut, një vend pas aleatit tradicional të SHBA-së, Mbretëria e Bashkuar; derisa Kosova dhe Shqipëria bashkë janë në mesin e 66 shteteve dhe organizatave që përbëjnë koalicionin e vitit 2016 kundër “Shtetit Islamik”.

Prandaj, çfarëdo që të mbështesin liderët nga bota islame në thirrjen e xhihadit kundër amerikanëve, do të përfitonin nga individët myslimanë, grupet ose organizatat, qeveritë e të cilave vende nuk do të preferonin që të hiqnin dorë nga aspiratat e tyre. Kjo është më shumë nga frika e fuqisë së ushtrisë amerikane, për sigurinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës - e edhe Bashkimin Evropian në disa fusha - ofrojnë për shtetet e tyre, për ndihmën e rregullt që ata marrin prej tyre, ose për të mirat që Qeveria amerikane ka bërë, ose është duke bërë për shtetet e saj.

KA EDHE NJË dimension tjetër që mbase ia vlen për t’u marrë parasysh në argumentimin kundër tezës së “përplasjes së qytetërimeve”. Në radhë të parë, as Bin Ladeni me fatwanë e tij dhe as Saddam Husseini nuk bënë thirrje për xhihad kundër “qytetërimit perëndimor” si tërësi, por kundër amerikanëve si popull dhe interesave amerikane nëpër botë (Esposito 2002). Më “i avancuar” në këtë drejtim mund të konsiderohet lideri i “Shtetit Islamik”, Abu Bakral-Baghdadi, i cili thotë se angazhohet për shtrirje të Kalifatit në tërë botën, mirëpo thirrjes së tij nuk iu është përgjigjur deri më sot asnjë nga qeveritë e shteteve islame, përveç individëve, numri i të cilëve në pjesën e parë të vitit 2016 edhe ashtu llogaritet të ketë rënë për dhjetë fish.

Për më tepër, kanë qenë dy shtetet më të fuqishme evropiane, Franca dhe Gjermania , të cilat fuqimisht kundërshtonin luftën kundër Irakut dhe bllokonin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat do të duhej t’i jepnin dritën jeshile intervenimit. Të dyja këto shtete i takojnë “qytetërimit perëndimor” (Huntington, 2002).

(Në vazhdimin e radhës lexoni pjesën “Betejat e thirrura mbi besimin dhe lëkundja e vlerave njerëzore”)

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...