Po, po, Jahjaga

27 Shtator 2014 - 10:25 - Adriatik Kelmendi      

Epo, ka rastisur fati që momentalisht Jahjaga është liderja më e mirëpritur ndërkombëtarisht, më shumë sesa të gjithë liderët partiakë aktualë bashkë. E për këtë fakt do të duhej ditur edhe të gjithë liderët partiakë, të cilët, siç po dëshmohet shumë qartë edhe këto ditë, po e kanë përkrahjen e anëtarëve të partisë për çfarëdo kapricoje politike, për dallim nga Jahjaga e vetmuar. Presidenten mund ta fuqizojnë ata edhe për ta zhbllokuar ngërçin institucional, ose do të mund të vazhdohet me sjelljen në rrethe të mbyllura qëndrimesh dhe në fund të rrezikojmë të dështojmë edhe në – të bërit shtet

NE, PËRGJITHËSISHT NJERËZIT, si qenie egoiste që jemi e duam shumë kapjen e atij çasti magjik të ngadhënjimit në çfarëdo angazhimi të mbrujtur brenda një fjalie: “Ju kam thënë!”. Sidomos me këto tri fjalë të thëna nga gojët e tyre ekzaltohen veçanërisht individët që merren me shprehjen e mendimit të tyre në publik në shumë fusha, gjithsesi edhe kjo jona, imja, e publicistikës.
Kam përshtypjen se këto ditë, pa modesti, edhe unë jam duke e zënë veten tek thërras me egokënaqësi çastin tim “Ju kam thënë!”.

Ka të bëjë me presidenten Atifete Jahjaga. Ka kohë që kam filluar edhe me shkrime e edhe me paraqitje të tjera publike të nënvizoj përparësinë dhe pozitivitetin që Kosova të ketë një presidente jopartiake, me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe me respekt në qendrat e vendosjes, me gjithë ndonjë dobësi njerëzore që mund ta ketë (apo, si kemi ne të gjithë dobësitë tona?!).

KJO U RIDËSHMUA edhe së fundi me çmimin e rëndësishëm “Clinton Global Initiative” nga fondacioni i presidentit më të dashur amerikan për shqiptarët, Bill Clinton, laureate e të cilit u bë edhe 38-vjeçarja Jahjaga, bashkë me aktorin Leonardo Di Caprio e të tjerë. Gjithë vëmendja që iu kushtua kësaj ceremonie të rëndësishme në mbarë botën, bashkë me tërë takimet e niveleve më të larta dhe intervista në media të fuqishme, janë lajmet më të mira për Kosovën të eksportuara jashtë për një kohë bukur të gjatë. Për më tepër, që çmimi që iu dha Jahjagës ka të bëjë me “Lidershipin në sferën publike” në promovim të paqes, në një vend që ende ka probleme ndëretnike si pasojë e luftës rishtazi.

Teksa je dëshmitar i këtyre arritjeve, s’ka se si të të mos kujtohet ajo thënia se sharja shpesh flet më tepër për sharësin sesa për të sharin. E a ka ndonjë sharje që s’e kemi dëgjuar deri më tash në Kosovë në lidhje me presidenten, ndër më të ulëtat?

Sa herë e kemi dëgjuar vetëm nga ata që kanë dashur ta paraqesin me çdo kusht në kontekst negativ, duke ia kujtuar mënyrën e zgjedhjes, e në të njëjtën kohë duke harruar se nga zarfi në Kosovë kanë dalë edhe kryeministra, si Bajram Rexhepi, Bajram Kosumi e sidomos Agim Çeku (i cili nuk ishte fare në politikë), por ata janë kritikuar ose lavdëruar për punët, që kanë bërë ose nuk kanë bërë, dhe jo për mënyrën se si kanë ardhur në post. Por, po, të mos harrojmë, këta që të gjithë i kanë përkuar gjinisë së preferuar në Kosovë – mashkull, dhe natyrisht kanë pasur një parti politike nga prapa që t’ua mbrojë shpinën!

TASH, KËTO DITË, DUKE e parë se po bëhet puna lloç me ngërçin politik e institucional, kanë filluar ngadalë edhe liderët partiakë të kthejnë sytë nga presidentja Jahjaga. Por, në të njëjtën kohë vazhdojnë sulmet sporadike ndaj saj nga militantët partiakë, vetëm sa për t’ia kontestuar kredibilitetin dhe legjitimitetin më vonë, në qoftë se presidentja do të marrë ndonjë vendim për zhbllokim të situatës e për të cilin ndonjë grupim nuk do të mbetet i kënaqur.

Epo, ka rastisur fati që momentalisht Jahjaga është liderja më e mirëpritur ndërkombëtarisht, më shumë sesa të gjithë liderët partiakë aktualë bashkë. E për këtë fakt do të duhej ditur edhe të gjithë liderët partiakë, të cilët, siç po dëshmohet shumë qartë edhe këto ditë, po e kanë përkrahjen e anëtarëve të partisë për çfarëdo kapricoje politike, për dallim nga Jahjaga e vetmuar. Presidenten mund ta fuqizojnë ata, ose do të mund të vazhdohet me sjelljen në rrethe të mbyllura qëndrimesh.

Kjo situatë sot do të mund të komplikohej më tej sesa është vetëm edhe nëse do të qëllonte që edhe presidenti të vinte prej ndonjërës nga partitë e barrikaduara në blloqe. Paramendojeni!
E nëse fillojmë të zhvlerësojmë secilin institucion shtyllë të shtetit për shkak se merr vendime me të cilat ne do të ndahemi të pakënaqur, çfarëdo qofshin ato, atëherë do të vijmë në situatë që të na zhbllokojnë të huajt, ndërkombëtarët, e që i bie se nuk po jemi fort të aftë të menaxhojmë me shtet.

Sidoqoftë, s’dua që t’ju mërzis në këtë “supertemën” e ngërçit, por të kthehem te çasti e “Ju kam thënë!”.

E për këtë arsye po detyrohem që t’ju ftoj ta rilexoni shkrimin që kam bërë në këtë faqe gazete, qysh më 22 qershor 2012, me titull “E pse jo Jahjaga?”, në kohën kur diskutohej për jetëgjatësinë e mandatit. Ju pata thënë:

* * *
A DO TË RRIJË presidentja Atifete Jahjaga në krye të shtetit deri në fund të mandatit kushtetues? Apo, ndoshta pyetja me e drejtë në këtë rast do të ishte: a do të duhej të rrinte si presidente për 5 vjet?

Përgjigjet në këto dy pyetje do të duhej të ishin shumë më të matura se ç’po shohim se po ndodh sot nga “palë të interesuara”. Kjo, për arsyen e thjeshtë, se posti i presidentes, ndonëse iu dha zonjës Jahjaga me lehtësi në prill të 2011-s, jo me të njëjtën lehtësi do të mund t’i merret.

Për dallim nga koha kur ajo u zgjodh, si kompromis ndërmjet partive politike për të zgjidhur telashet ndërmjet tyre, tash telashet janë përtej subjekteve politike dhe ambicieve të tyre për pushtet – ato kanë të bëjnë me funksionimin ligjor të Republikës.

E në qoftë se fillojmë me improvizime dhe ndryshim të ligjeve dhe Kushtetutës sa herë që politikanët tanë nuk janë të zotë të merren vesh ndërmjet vete, atëherë sigurisht se do të rrëshqasim në një situatë kur edhe respektimi i ligjeve më të rëndomta ekzistuese nuk do të bëhet më nga askush, pasi që ato do të shihen si diçka e përkohshme, fluide, e interpretuar, e ndryshueshme sipas situatës dhe rrethanave.

Çka nënkupton kjo për shtetin që ende s’i ka mbushur 5 vjet?

NDOSHTA, EDHE VETË presidentja Jahjaga, përtej modestisë eventuale personale dhe koshiencës për mënyrën e zgjedhjes (të cilën një numër nesh gjithnjë e kishim kritikuar), ndoshta do të duhej të vendoste që të rrinte në post deri në përfundim të mandatit kushtetues. Dhe madje, jo për shkak të privilegjeve të postit, por për të mirën e Kosovës.

Së pari, ashtu siç po e pohon edhe vetë, Jahjaga nuk është pjesë e marrëveshjes së thurur nga ambasadori amerikan Dell dhe aminuar nga Thaçi, Mustafa e Pacolli, por është - rezultat i saj.

Së dyti, është votuar në mënyrë të ligjshme nga 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Së treti, në marrëveshje nuk kanë qenë të përfshira edhe dy parti të tjera të rëndësishme parlamentare, lëvizja “Vetëvendosje!” dhe AAK-ja, si dhe partitë e komuniteteve, duke bërë që marrëveshja politike për të të mos gëzojë konsensusin e përgjithshëm politik.

Këto janë tri nga argumentet faktike që nuk e detyrojnë presidenten Jahjaga që ta respektojë marrëveshjen politike.

Në anën tjetër, janë argumentet e tjera që shtyjnë të mendohet nëse do të ishte më mirë që ajo të vazhdojë të qëndrojë si presidente.

E para, thuhet gjithandej se presidentja Jahjaga, me gjithë dobësitë e papërvojës e të tjera, ia ka dalë që të lërë përshtypje të mira në skenën ndërkombëtare dhe të ndikojë në përmirësimin e imazhit të vendit.

E dyta, është parë gjithandej me simpati për shkakun se është presidentja e parë femër nga shtetet e rajonit në këta dhjetëvjeçarët e fundit.

E treta, sërish, me disa defekte në raste të caktuara, ia ka dalë që të mbajë një qëndrim të balancuar kundrejt subjekteve politike të vendit.

Vërtet, këto të numëruarat më lart mund të tingëllojnë si një qasje minimale karshi pritshmërisë nga i pari i vendit. Pasi që - mund të pajtohemi - zonja Jahjaga nuk ka pasur fort rol prijës ose orientues në shumë nga proceset e rëndësishme që kanë ndodhur në vend dhe rreth tij në këta 14 muaj të presidencës së saj. Por, a ka mundur të bënte më tepër në këtë konstelacion të forcave politike dhe me një qeveri kaq imponuese dhe të centralizuar të Thaçit?!


TA SHOHIM ANËN tjetër: Çka në qoftë se në muajt në vazhdim presidentja Jahjaga edhe largohet nga posti?

Sigurisht se sërish do të ktheheshim në pikën zero, ku posti i presidentit do të ishte pjesë e pazareve politike të subjekteve politike, me shumë të panjohura. Sidomos, në qoftë se zgjedhjet presidenciale do të mbaheshin përnjëherë me ato parlamentare, atëherë do të dilte si i kotë edhe i gjithë angazhimi për përzgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt me vota të qytetarëve, pasi që kandidatët më seriozë për president sërish do të ishin pjesë e marrëveshjeve partiake.

Pastaj, nga ajo që kemi parë deri më sot, partitë politike as që e kanë ndonjë kandidat serioz për të parin e vendit. Shumica syresh bile e kanë të vështirë edhe ta hapin këtë debat brenda partisë, për shkak të rrethanave të brendshme në shumicën prej tyre. Për më tepër, edhe numri më i madh i emrave të lakuar deri më tash si kandidatë të mundshëm të subjekteve për president janë figura të konsumuara politike, shpesh me afera, gjë që do të ndikonte në thellimin e polarizimit politik në vend dhe si të tillë vështirë se do të ndikonin në përmirësimin e imazhit për Kosovën.

Sakaq, ndoshta më problematikja do të ishte ajo që u përmend që në fillim, precedenca negative që do të krijohej me ndryshimin e ligjeve, ose amendamentimin e Kushtetutës, sa herë që do të mund të kishte bllokada politike që do të “zgjidheshin” me marrëveshje politike.

Së këndejmi, nëse Gjykata Kushtetuese do ta gjykojë si në rregull amendamentin X të propozuar nga Komisioni Kushtetues i Kuvendit që flet për zgjedhjen e presidentit “brenda 6 (gjashtë) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese dhe ligjore relevante”, atëherë do të hapet rrugë që sa herë që dikush do të sigurojë numrat në Kuvend, do të luajë edhe me kohëzgjatjen e mandateve, edhe kompetencat, e nëse duan - kështu siç ia kanë filluar - deri edhe me ngjyrën e flokëve, ose mënyrën e lidhjes së kravatës së pushtetarëve të ardhshëm. Gjithnjë, pra, duke dashur të plotësohet ndonjë marrëveshje prej zorit politik, e në dëm të kornizës ligjore të Republikës.

A na duhet kjo?

TË GJITHA KËTO KOMPLIKIME mbase do të duhej të ishin paraparë në ato ditë të ethshme të fundmarsit e fillimprillit të vjetshëm nga kuarteti Dell-Thaçi-Mustafa-Pacolli. Këta, vërtet, me marrëveshjen politike shmangën dërgimin e vendit në edhe një palë zgjedhje të parakohshme, mirëpo qëllim nuk e kishin zgjidhjen e problemit, por vetëm konservimin e tij. Më dinaku në këtë rast, gjithsesi, ishte treguar sërish kryeministri Thaçi, i cili ia doli që ta ruante postin e vet dhe koalicionin qeveritar, si dhe, siç po shihet këto ditë, prapë ndodhet në pozitën më të volitshme, pasi që zgjedhjet nuk do të mbahen në afatet e parapara me marrëveshje.

Me një joseriozitet të këtillë në qasje a mund të pritet që të njëjtit të mund të na zgjedhin një president më të përshtatshëm?! Nuk jam shumë i sigurt!

Kështu që, përse të mos rimendohet gjithçka edhe një herë?

Gjithsesi ka shumë çështje më emergjente në të cilat do të mund të kanalizoheshin energjitë për ta çuar Kosovën përpara, sesa komplikimet që sjell ndërprerja e mandatit kushtetues të presidentes Jahjaga.

A ia kemi ngenë?

[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...