18 Qershor 2016 - 09:08 - Adriatik Kelmendi
NJË SHTET PEZULL. Kështu të krijohet përshtypja kohëve të fundit nëse përcillen zhvillimet në Kosovë. Ngjarje që s’mund të besohen që ndodhin, por që pavarësisht zhurmës e protestës – për tri ditë kalojnë. Një flamë e zakonshme. Për t’ua lëshuar radhën ngjarjeve të tjera të pabesueshme.
Të cilat sërish, me gjithë çudinë, zgjasin prapë – tri ditë.
Mirëpo, a s’do të duhej që në secilin vend dhe në secilën shoqëri të ekzistonte çasti kur fillohet t’u thuhet mjaft?
Kur kërkohet që dikush të skuqet, dikush të turpërohet, dikush të japë përgjegjësi, të thirret në llogaridhënie, e pse jo – të japë dorëheqje!
Asnjë shtet, asnjë shoqëri, nuk i ka asnjë borxh asnjë individi. Njësoj, asnjë individ nuk ka pse t’i mbetet barrë shtetit e shoqërisë, kur ta shohë se puna e tij jo vetëm që nuk po jep rezultat pozitiv, por krejt e kundërta!
SOT KA KALUAR edhe një afat i dhënë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, anash të cilit tash e 17 vjet qëndron i ndarë qyteti i Mitrovicës.
Sa herë deri më sot na është thënë se do të bashkohet ky qytet? Sa herë deri më sot na është thënë se do të hiqet barrikada fizike mbi urë?
Ndoshta, nganjëherë duke e përsëritur shpesh këtë abnormalitet ai edhe fillon të na kthehet në diçka të zakonshme, por – paramendojeni! - një shtet në mes të Evropës që ka barrikada për të mos lejuar qytetarët e njërës anë të kalojnë në anën tjetër!
Këtë tash e 17 vjet e toleron Brukseli, e tolerojnë shqiptarët, e tolerojnë serbët.
Dhe të gjithë bëhen bashkë për të gatuar rrenën e radhës. Këtë 15 qershor ajo e ministres Edita Tahiri dhe kryetarit Agim Bahtiri doli sheshit. Ura nuk u hap. Qyteti vazhdon të mbesë i ndarë. Ironia e “Parkut të paqes” vazhdon të na përqeshë të gjithëve.
Në kohën e internetit mjafton t’i shtypni në Google shkronjat “Hapja e urës mbi Ibër” dhe do t’ju dalin me dhjetëra deklarata të të lartpërmendurve, por edhe të të tjerëve, me të cilat qitet fall se ura do të hapet me këtë ose me atë datë.
A duhet çuditur?
Jo!
Janë të njëjtat deklarata të papërgjegjshme, të cilat i kemi dëgjuar tash e 17 vjet.
SOT SHUMË qytetarë kanë protestuar në Prizren, duke kërkuar llogaridhënie e drejtësi për vdekjen e trevjeçares Xheneta Gashi, e cila pësoi nga rrënojat e një ndërtese të vjetruar në këtë qytet.
Ka kohë që qytetarë e organizata të ndryshme të këtij qyteti kanë kërkuar që kryetari Ramadan Muja dhe të tjerët në komunë të kenë kujdes të shtuar lidhur me objektet e trashëgimisë kulturore në qytetin më të pasur të vendit me to.
Vetëm viteve të fundit janë raportuar shumë e shumë raste të rrënimeve dhe dëmtimeve të objekteve historike, ose të shtëpive të vjetra me vlera, me dyshime të bazuara për përfitim të individëve të caktuar, ose thjesht nga neglizhenca komunale.
Javën e kaluar kjo papërgjegjësi dhe mungesë e llogaridhënies shkoi tashmë tepër larg – i kushtoi trevjeçares me jetë.
Çka ndodhi?
Si zakonisht – faji mbeti jetim!
Jeta e njomë u humb, askujt nuk i lëvizi as qepalla e lëre më karrigia.
A duhet çuditur?
Jo!
Janë të njëjtat arsyetime të papërgjegjshme, të cilat i kemi dëgjuar tash e 17 vjet.
ÇKA T’U THUHET qytetarëve të Mitrovicës që vazhdojnë tash e 17 vjet të mos mund të shkojnë në anën tjetër të qytetit?
Çka t’u thuhet qytetarëve të Prizrenit, teksa shohin që qyteti po vazhdon t’ iu degradohet përditë?
Me çka t’i arsyetojmë votuesit që kanë votuar individë me kaq papërgjegjësi?
Pezull e peng!
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...