Lenny Kravitz, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

6 Dhjetor 2014 - 09:34 - Adriatik Kelmendi      

Pas këtij starti tepër zhgënjyes, Thaçit dhe Mustafës do t’iu duhej të punonin shumë, në mënyrë që të na bindin se vërtet, përveç interesit individual, ata synojnë të bëjnë diçka të mirë edhe për Kosovën

“Here we are*
Still together
We are one
So much time wasted
Playing games with love

So many tears I've cried
So much pain inside
But Baby it ain't over 'til it's over
So many years we've tried
To keep our love alive
But Baby it ain't over 'til it's over

How many times
Didwe give up?
But we've always worked things out
But all my doubts and fears
Have kept me wondering, yeah
If I'd always, always be in love…”

ËSHTË E PAMUNDUR të mos të të shkojë mendja se Lenny Kravitz nuk po i këndonte koalicionit PDK-LDK. Në këngën hit të fillimviteve ’90, artisti multidisiplinar nga një martesë e përzier (babai është i bardhë, kurse nëna me ngjyrë) fliste për një marrëdhënie të vështirë në çift, e përcjellë me shumë humbje kohe dhe rënie e ngritje, por e cila në fund gjithnjë ia del që t’i rregullojë punët. Dhe në refren na përsërit – nuk mbaron derisa s’ka përfunduar!

Sot të dy subjektet më të mëdha politike në Kosovë, PDK dhe LDK, po na flasin për marrëdhënien e tyre dashuri-urrejtje, teksa po na thonë se megjithatë ende duhet pritur përfundimin.

E lumtur?

Varet se për kë.

DUKET SE NUK MJAFTUAN gjashtë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, por Thaçi e Mustafa, edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit, po vazhdojnë të na lënë pa institucione.

Për më tepër, nga të dyja anët, ndonëse thonë se nuk do të ketë befasi, ende vazhdon të vërehet një skepticizëm se gjithçka do të përfundojë ashtu siç është besuar fillimisht. Se Mustafa do të bëhet kryeministër, dhe se PDK-ja, ndonëse e para në zgjedhje, nuk do ta udhëheqë Qeverinë.

Ka aq shumë mistifikim të figurës së Thaçit (me ose pa të drejtë, nga përkrahësit, por edhe nga kritikuesit e tij) saqë thuaja nga të gjitha anët është e vështirë të besohet se ai do të mjaftohet vetëm me ulësen e deputetit. Dhe se këtu qëndron edhe fakti i shtyrjes së mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, kur pritet të votohet edhe Qeveria.

A do të mjaftohet Thaçi vetëm me pozitë të deputetit?

Më parë besoj se do t’i voliste posti i presidentit, një pozitë e respektuar e me pushtet, por larg nga dinamika e shefit të Qeverisë. Dhe ky është edhe synimi i tij dhe përpjekjeve të ditëve të fundit, përfshirë edhe udhëtimin drejt SHBA-së.

Tekefundit, teknikisht ka kohë që të vazhdohet me moskrijimin e institucioneve edhe këtë muaj, gjë që rrit edhe gjasat e Thaçit për pozicionim më të mirë, një kartë që si duket PDK-ja nuk do ta lëshojë kollaj prej dore.

Pra, derisa posti i kryeministrit mund të thuhet se tashmë është (gati) i sigurt për Mustafën, bëhen përpjekje që të përfitohet aq sa mundet nga PDK-ja në kohën e mbetur.

Sidoqoftë, gjasat janë minimale që presidentja Jahjaga ta ndërpresë mandatin e saj, dhe aq më pak që amerikanët, si mentorë politikë të saj, ta pranojnë një gjë të tillë.

Në këtë sens duket krejt e pasinqertë edhe loja e dyshes Thaçi-Mustafa.

Mosqartësimi i marrëveshjes së tyre dhe shtyrja e krijimit të institucioneve edhe një herë na tregon se që të dy mendojnë shumë më tepër për pozicionet e tyre individuale sesa për të mirën e përgjithshme të vendit.

Është e pandershme që ata kanë bërë marrëveshjen, por janë pajtuar që të mos flasin konkretisht për postet kryesore, duke kalkuluar në humbjet dhe fitoret personale.

Së paku, në fund Thaçi do të mund t’u thotë militantëve të tij partiakë se megjithatë nuk ka lëshuar pe deri në fund fare, kurse Mustafa – i përballur me kritika të shumta për koalicionin me “armikun me të madh politik” – ta paraqesë postin e shefit të Qeverisë si një arritje tepër të madhe.

E elektorati edhe anëtarësia respektive e të dyjave fare arsyeshëm do të mund të kërkonte përgjegjësi prej tyre. Nga Thaçi, që ndonëse fitoi zgjedhjet, nuk mundi ta mbante Kryeministrinë për PDK-në, dhe nga Mustafa, që ndonëse i humbi tri palë zgjedhje, në fund bëri koalicion me partinë, mbi shpinën e së cilës e kishte ngritur edhe karrierën politike, si lëdëkëisti me i ashpër mbi të gjithë.

Dhe këtë më së miri e dinë këta dy liderë.

Pas këtij starti tepër zhgënjyes do t’u duhet të dyja partive që të punojnë shumë, në mënyrë që të na bindin se vërtet, përveç interesit individual, ata synojnë të bëjnë diçka të mirë edhe për Kosovën.

PËRNDRYSHE, NËSE KTHEHEMI aty ku e filluam, Lenny Kravitz së fundi ka një album të ri muzikor. Kënga që më pëlqen më shumë aty titullohet “Frankenstein”. Edhe tekstin e ka shumë interesant. Por, kësaj radhe s’po e zbuloj, po jua lë juve që ta deshifroni...

A thua sërish i ka kënduar koalicionit qeveritar të Kosovës?!

[email protected]
Twitter: @adriatikk

*Ja ku jemi
Ende bashkë
Jemi një
Sa shumë kohë është humbur
Me lojëra të dashurisë

Sa lotët i kam derdhur
Sa shumë dhimbje
Por, loçkë, nuk mbaron pa përfunduar
Sa shumë vjet provuam
Ta mbajmë gjallë dashurinë tonë
Por, loçkë, nuk mbaron pa përfunduar

Sa herë
Kemi hequr dorë?
Por gjithnjë ia kemi dalë
Dhe gjithë dyshimet dhe droja ime
Më kanë shtyrë të mendoj, po,
Nëse gjithmonë, gjithmonë do të dashuroj…

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...