20 Shtator 2014 - 09:08 - Adriatik Kelmendi
NJERËZIT PËRGJITHËSISHT nuk duan as t’iu bësh dhuratë, ose t’i shpërblesh, nëse më parë nuk i ke pyetur. Qytetarët, në botën mbarë, nuk impresionohen nëse ti një ditë iu shfaqesh në ambientin e tyre privat i paftuar.
Këtë si duket po na e dëshmon gjithë çka ndodhi përgjatë këtyre 7 ditëve të fundit.
Në qoftë se e mbani veten për entuziast të muzikës, ose të teknologjisë, tashmë e keni të qartë çfarë ka ndodhur më 9 shtator.
“Albumi i ri i U2-së ‘Songs of Innocence’ do të publikohet gratis për gjysmë miliardi njerëz pas 5 sekondash... 5, 4, 3, 2, 1”, paralajmëroi në Cupertino frontmeni Bono Vox, teksa shefi i Apples, Tim Cook, vërtetoi: “Nuk po bëjmë shaka. Kjo tashmë ndodhi”.
Në ato momente bota përjetoi publikimin më të madh të një produkti muzikor në histori të njerëzimit. Njëmbëdhjetë këngët e albumit të ri të bendit irlandez tashmë ishin në librarinë muzikore të iTunes tek të gjithë përdoruesit e saj, përfshirë edhe Kosovën.
ASNJËHERË, ASNJË ALBUM tjetër muzikor nuk ia ka dalë që të jetë në dispozicion të gjysmë miliardi njerëz dhe, sidomos, asnjëherë në të njëjtën kohë. Deri më sot, vetëm albumi legjendar “Thriller” i Michael Jacksonit është shitur në më se 50 milionë kopje, dhe atë që nga viti i publikimit, më 1982.
Dhe, natyrisht, kush do ta thyente edhe një rekord botëror përveç kompanisë së themeluar nga Steve Jobs, i cili me të gjallë krenohej se ia ka dalë t’i prodhojë tri pajisje revolucionare, të cilat kanë ndërruar rrënjësisht marrëdhëniet njerëzore me teknologjinë, siç janë iPod, iPhone dhe iPad.
Mirëpo, pas vdekjes së hershme të tij, pasardhësit dështuan ta mbajnë vijën revolucionare (vështirë të ketë gjë revolucionare në zgjatjen e iPhone-it, ose zvogëlimin e iPad-it) dhe pa dyshim i duhej një boom i madh.
Duhet pranuar – më në fund u shkoi përdore. Ideja e bashkëpunimit me U2 është vendosje e një rekordi të ri botëror, por – sigurisht pa e bërë hesap edhe vetë – edhe një test studim “revolucionar” për sjelljen njerëzore. Atë që flet për lirinë e përzgjedhjes së individit. D.m.th. lirinë themelore.
Qofsh ti edhe bendi më i madh në botë - U2, ose kompania brend më e madhe në botë Apple.
GJITHÇKA ISHTE E menduar mirë nga të dyja palët. Rockerët irlandezë në karrierën e tyre që po zgjat për më shumë se tre dhjetëvjeçarë kanë arritur majat e top-listave, kanë marrë shpërblimet më të rëndësishme muzikore, kanë shitur dhjetëra miliona albume, kanë pasur recensione kulminante nga kritikët, si dhe kanë arritur të ardhurat më të mëdha ndonjëherë nga koncertet gjatë turneut të tyre të fundit (736 milionë dollarë).
Çka ka më për t’u arritur, përveç depërtimit te numri më i madh i veshëve?! Plus të ardhura prej 100 milionë dollarësh përnjëherë, pa pasur nevojë fare që albumi të promovohet dhe të shpërndahet nëpër shitore, sa është shuma që ka paguar Apple.
Mirëpo ka shumë nga ata njerëz që në një moment të caktuar të ditës janë bërë pronarë të albumit të U2-së,e të cilët kanë ngrysur vetullat. Jo domosdoshmërisht se nuk iu pëlqen muzika rock, ose se parapëlqejnë Samsungun. Thjesht, se nuk janë pyetur.
P.sh. e përditshmja prestigjioze britanike “The Guardian” ka botuar një shkrim ironik me dhjetë këshilla se çka të bëhet me albumin e padëshiruar të U2-së. “Merreni njërën nga këngët e mira, nëse ka ndonjë të tillë, dhe bëjeni zile të telefonit për të gjitha thirrjet nga personat të cilët nuk i doni”, thuhet në njërën.
Po ashtu “Songs of Innocence” ka marrë ndër recensionet më negative që janë bërë ndonjëherë për albumet e U2-së.
“Financial Times”, “Independent”, “NME” dhe “Spin” që të gjitha i kanë cilësuar këngët si nën mesatare të përgjithshme, duke shpotitur pashmangshëm edhe bashkëpunimin me Apple.
Për një javë, prejse është vënë në qarkullim albumi, (vetëm) 33 milionë konsumatorë të produkteve të Apples, nga gjithsej 500, kanë vendosur që ta dëgjojnë atë. Teksa disa të tjerë kanë shkuar aq larg, saqë e kanë detyruar kompaninë teknologjike që të lansojë një aplikacion të veçantë vetëm për t’i hequr këngët nga pajisjet e tyre.
A ia ka vlejtur?
MEGJITHATË, BASHKOHEM me të gjithë ata që thonë se Apple dhe U2 janë ndër më të mirët e asaj që bëjnë. Dhe, natyrisht, nuk ka asgjë të keqe kur dy të mira bëhen bashkë për të prodhuar një të mirë tjetër.
Albumi i ri i U2-së(të cilin edhe unë e mora gratis), ka këngë shumë të mira, ndonëse sigurisht jo të krahasueshme me “With Or Without You”, “Sunday Bloody Sunday”, ose “One”. Gjithashtu, jam i bindur se iPhone 6 dhe iWatch do të jenë impresivë, por jo aq sa ishin iPod, iPhone dhe iPad.
Arti, përveç bukurisë së origjinalitetit, gjithnjë ka qenë i përcjellë edhe me të papriturën e befasisë. U2-së asnjëherë askush nuk ia ka mohuar statusin e artistëve të nivelit më të lartë. Siç nuk mund të thuhet se krijimet e kompanisë kaliforniane nuk janë, përveç pajisje teknologjike - edhe vepra arti.
E arti - na kanë thënë gjithmonë - nuk ka kufij. Nuk duhet të ketë kufij.
Ashtu si dhe muzika e mirë që shpërndahet me pajisjet “artistike” teknologjike.
Dhe, mbi të gjitha, arti i mirëfilltë provokon.
U2 dhe Apple kanë thyer kufijtë, na kanë provokuar dhe na kanë hapur horizonte të reja me bashkëpunimin befasues.
Njëkohësisht, duke na bërë të ditur edhe në praktikë se sa nevrikë mund të jemi nëse na servohet diçka pa na pyetur së pari.
Besoj, eksperimenti doli i suksesshëm.
Në shumë aspekte.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...