Viti kërcënues - 2016!

30 Maj 2015 - 09:35 - Adriatik Kelmendi      

Me ngjarjet e vrullshme që po i dëshmojmë këtë vit, a po e arrin Kosova ciklin e zakonshëm prej përafërsisht 8 vjetësh, kur në këta 40 vjet të fundit, gjithnjë kanë ndodhur përmbytje e ndryshime të mëdha?

KËTO KOHË INTERESANTE kam përshtypjen se ia kanë filluar t’ia teprojnë.

Ka një proverb të vjetër kinez i cili mund të interpretohet në të dyja kuptimet. Thotë: Jetofsh në kohë interesante. A i bie kjo mallkim, apo – fat?
Natyrisht se kohët interesante, në rastet më të mëdha, ndikojnë thellësisht në jetët e njerëzve, e për një numër syresh, fatkeqësisht, për të keq.
Mirëpo, është edhe ana tjetër e medaljes: kohët interesante vendosin edhe fate historike.

E historia, si çdo histori tjetër, ka shumë palë. Ka, natyrisht, fituesit dhe humbësit e vet, heronjtë dhe dështakët, vendimmarrësit dhe vendimzbatuesit, nxitësit dhe paqëtuesit, ndërmjetësuesit... por, ka edhe ata pa të cilët sigurisht se s’do të kuptohej se cili nga këta të parët ka pasur cilin rol dhe, për më tepër, si e ka luajtur atë. Janë ata, pra, që shënojnë e dokumentojnë bëmat e të parëve. Ata, të cilët shpesh gjatë historisë janë quajtur kronistë, e që me punën e tyre kanë ndihmuar që të deshifrohen saktë kohët interesante, e si rrjedhojë mbase edhe kanë ndikuar në rrjedhën e tyre. Thjesht - duke dëshmuar.

Një punë të këtillë besoj na ka rënë hise ta bëjmë edhe neve – gazetarëve që jetojmë e veprojmë në Kosovë.

Shumica nesh nuk kemi pasur fare nevojën që e ndjejnë zakonisht kolegët tanë anembanë botës, që të udhëtojnë dhe lëvizin shumë për të gjetur ngjarjet dhe rrëfimet interesante. Neve nuk na janë dashur këto ndërmarrje të mundimshme e të kushtueshme, meqë, në masën më të madhe, s’kemi pasur fare nevojën që të dalim përtej 11 mijë kilometrave katrorë të Kosovës për të raportuar ngjarje shumë interesante.

Ky mund të merret si fat. Gjithsesi. Për më tepër fat kur bën punën e gazetarit nga ana që e fiton lirinë, ose e krijon një shtet. Është bingo.
Por, siç e thashë, sivjet si duket ka filluar të teprohet. Meqë në fund të fundit bëhet fjalë për jetë njerëzish, jetë që duan të shijojnë pak edhe normalitetin e zakonshëm.

Vitin e kaluar kemi pritur që gjatë 2015-s do ta kemi një temë të madhe e cila do të absorbojë shumicën e ngjarjeve të vitit. Ishte themelimi i asaj që po quhet Gjykata Speciale. Por, pa ia nisur viti mirë, pamë të ndodhte diçka krejt groteske, e pashpjegueshme racionalisht dhe e paqartë strategjikisht.

Qindra e qindra qytetarë, secilën natë të lume, mbushnin autobusët për të kaluar ilegalisht në shtetet e Bashkimit Evropian, derisa numri shkoi në dhjetëra e dhjetëra e mijëra dhe përnjëherë – ndaloi.

Teksa kujtuam se tashmë u përfundua një episod paradoksal, na goditi tjetri. Një vikend që pritej të ishte i zakonshëm doli të ngërthejë në vete një mini luftë frontale, mes një grupi ish-pjesëtarësh të luftërave të shqiptarëve dhe forcave maqedonase të sigurimit në Kumanovë. Në bilanc: 22 persona të vrarë, dhjetëra të arrestuar, dhe shumë pyetje të ngritura për qëllimet dhe infiltrimet e interesave nga më të ulëtat e deri te ato që ndikojnë në rendin botëror.

E, pra, të mos harrojmë, ende nuk ka kaluar as gjysma e 2015-s. Dhe ende nuk ka filluar seriozisht të diskutohet as Gjykata Speciale.

Vitet ’74, 81, ’90, ’98-’99, ‘08

NË KOSOVË, NË NJË cikël që përsëritet në një harmoni të çuditshme, përafërsisht çdo 8 vjet, ndodh nga një ngjarje shumë e rëndësishme, që ndikon rrënjësisht në jetën e qytetarëve.

Mbase, kjo mund të qëndrojë si e vërtetë edhe pothuajse gjatë krejt 100-vjetorit, që nga Pavarësia e Shqipërisë, përkatësisht okupimi i Kosovës nga Serbia, por me një ritëm shumë të saktë, veçanërisht, ky cikël konstant prej mesatarisht 8 vjetësh është i vërejtshëm në këta 40 vjetët e fundit.

Në 40 vjetët e fundit, pra, kemi pasur zhvillime të përmasave të mëdha, që kanë kasnecuar hapa të ardhshëm të mëdhenj në horizont, prej të cilëve disa kanë avancuar pozitën e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të vendit, të tjera kanë sjellë dallime dhe pabarazi të mëdha, e ndonjë tjetër gjëma e fatkeqësi për të gjithë, ose fitore e humbje, varësisht se nga cili kënd bëhet soditja.

Kurse, ajo që e pamë në vitin 2013, na cyt të pyesim, nëse do të vazhdojë cikli i saktë edhe pas pavarësimit të vendit, të menduar si një stacion i fundit i një aspirate?

Viti 1974 solli Kushtetutën e re të Federatës jugosllave, e cila avancoi në shkallën më të lartë deri atëherë autonominë e Kosovës, e brenda kësaj, edhe të drejtat e shqiptarëve. Me anë të kësaj Kushtetute, pozita politike e juridike e Kosovës, iu afrua shumë funksionimit të republikave, gjë që mundësoi edhe përparimin më të madh në shumë fusha të shqiptarëve.

Mirëpo, më 1981, pas demonstratave të studentëve dhe kërkesës për status të republikës për Kosovën, filloi edhe prapakthimi nga zeniti që u arrit 7 vjet më herët. Serbët shfrytëzojnë edhe vdekjen e Josip Broz – Titos një vit më herët për të rikthyer nacionalizimin, dhe natyrisht se viktimat e para janë shqiptarët e Kosovës.

Sërish, pas 8-9 vjetësh, me demonstratat, fillimisht të serbëve, pastaj edhe me kundërpërgjigjen me demonstratat e shqiptarëve, fillojnë ndryshimet e mëdha në ish-Jugosllavi, që koincidojnë edhe më rënien e murit të Berlinit dhe fundin e Luftës së Ftohtë. Milosheviqi, që vjen në pushtet pikërisht duke përdorur sentimentin nacionalist, kryesisht kundër shqiptarëve, orkestron suprimimin e autonomisë së Kosovës. Prej këtu fillon edhe fushata për bërjen e shqiptarëve qytetarë të rendit të dytë, me dëbimin masiv nga vendet e punës, mbylljen e shkollave, mbylljen e medieve etj., kohë që sjell edhe një ndryshim rrënjësor të jetesës e organizimin e sistemit paralel nga shqiptarët.

Dhe, siç e dimë, duhet të kalojnë vetëm edhe 8 vjet të tjerë, që sërish gjithçka të përmbyset në Kosovë. Lufta e armatosur e UÇK-së ndaj forcave serbe dhe hakmarrja e këtyre të fundit ndaj civilëve, sjell zhvendosjet e popullatës, vrasjet e masakrat, si dhe mobilizon diplomacinë ndërkombëtare. Kjo i hap rrugë edhe intervenimit të NATO-s, tërheqjes së Serbisë nga Kosova, si dhe lirisë për shqiptarët.

Mirëpo, pavarësia e synuar, për të cilën shqiptarët luftuan politikisht dhe militarisht nuk erdhi shpejt. Si duket u desh të përmbyllet sërish cikli i rreth 8-vjetëshit. Përfundimisht, pas një cikli të zgjatur të negociatave me bashkësinë ndërkombëtare dhe Beogradin, Kosova në fillim të vitit 2008, përfundimisht shpallet shtet i pavarur dhe i njohur nga shumica e demokracive dhe shteteve më të zhvilluara të botës.

Faqja e zezë

KU DO TË jemi më 2016? Për këta 7 vjet shumë nga problemet e vitit të parë të pavarësisë kanë vazhduar të mbesin të njëjta, me nuanca të atykëtushme.

Nuk është arritur një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.
Nuk ka pasur ulje të papunësisë.
Nuk ka pasur përparim të theksuar në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nuk ka pasur fare përparim në sektorin e shëndetësisë.
Nuk ka pasur ngritje të theksuar në cilësi të arsimit.
Nuk ka pasur integrim të nevojshëm të veriut nën administrimin e Prishtinës.
Nuk ia kemi dalë të sigurojmë më shumë se 110 njohje nga shtetet.
Nuk ia kemi dalë të anëtarësohemi në OKB.
Nuk ia kemi dalë të thyejmë bllokadën nga 5 shtetet mosnjohëse të BE-së.
Kemi mbetur oazë e izoluar sa i përket liberalizimit të vizave.
Kemi qenë dhe kemi mbetur të fundit në Evropë sa u përket proceseve integruese drejt BE-së dhe NATO-s.
Kemi mbetur pa ushtri.
Ka pasur rritje të arrogancës politike.
Ka një subjekt politik që kontrollon masën më të madhe të ndërmarrjeve më fitimprurëse në vend.
Ka pak ose aspak alternativa cilësore partiake.
Ka pasur ngushtim të hapësirës për medien e lirë.
Jam krejt koshient se ka edhe një gamë të gjërave pozitive që kanë ndodhur përgjatë këtyre 7 vjetëve pavarësie, por këto të zeza që i listova më lart, jam i bindur se me një kujdes të shtuar qytetar, e mbi të gjitha, të liderëve institucionalë, do të mund të zbuteshin, e disa edhe të eliminoheshin.

Pse nuk po bëhen?
Përse po na ndodhin edhe të zeza të reja, si Gjykata Speciale, ikja masive e aventurat luftarake të dëmshme për shqiptarët gjithandej, e veçanërisht për Kosovën?

Cikli i çuditshëm 8-vjeçar i ndryshimeve dhe përmbysjeve të mëdha i bie të jetë viti 2016.
Kanë thënë përpara: hair inshallah!

[email protected]
Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...