4 Korrik 2015 - 09:55 - Adriatik Kelmendi
“URIME! NDOSHTA fjalimi i vetëm me kuptim në Kuvend sot”, i shkrova Ilir Dedës, derisa po mbahej seanca për ndryshimet kushtetuese. “Fatkeqësisht, shumë vonë”, shtova, “ meqë fjalime të këtilla në Kuvendin e Kosovës është dashur të bëheshin së paku nja 10 vjet më parë”.
Deda, i cili në prag të zgjedhjeve të fundit iu bashkua lëvizjes “Vetëvendosje!”, u bë i pari deputet shqiptar, i cili nga foltorja e Kuvendit po fliste për të gjitha krimet e supozuara të ndërlidhura me luftën në Kosovë. Ai tha se krime kanë ndodhur jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj serbëve, romëve, ashkalinjve, egjiptianëve e të tjerëve, të cilat do të duhej të trajtoheshin pa dallime nga një Gjykatë kosovare për Krime Lufte që do duhej themeluar në Prishtinë.
Deri më 26 qershor 2015, me një qyqarllëk të pështirë, asnjë deputet shqiptar i Kosovës nuk ka kërkuar që të zbardhet fati i civilëve joshqiptarë, në mesin e të cilëve edhe plaka e fëmijë të vrarë. Rëndom, kur është ngritur kjo çështje në ndonjë rast, ata kanë gjetur shpëtimin duke ia hedhur fajin vetëm gjyqësisë së dobët.
Natyrisht, kjo nuk është një temë e popullarizuar, gjithsesi nuk sjell vota në zgjedhje dhe absolutisht nuk mund as të krahasohet me numrin prej rreth 10 mijë shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe e as krimet e tjera që kanë bërë ata ndaj civilëve shqiptarë. Mirëpo domosdo tregon për nivelin e pjekurisë së përfaqësuesve të një shteti, koshiencën e një shoqërie për t’u ballafaquar edhe me brekët e veta të palara.
ORGANIZATA FDH e udhëhequr nga humanistja Natasha Kandiq ka evidencuar se nga janari 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000 kanë humbur jetën ose janë të pagjetur në lidhje me luftën 10.317 civilë, prej të cilëve 8.676 shqiptarë, 1.196 serbë dhe 445 romë e të tjerë, si dhe 3.218 pjesëtarë të formacioneve të armatosura, përfshirë 2.131 pjesëtarë të UÇK-së dhe FARK-ut, 1.084 pjesëtarë të forcave serbe dhe tre pjesëtarë të KFOR-it.
Vetëm pas çlirimit e deri në dhjetor të vitit ’99 janë vrarë 1.149 persona, shumica serbë, romë e të tjerë, por edhe rreth 300 shqiptarë.
Sidoqoftë, deputetët që kanë kaluar për këta 16 vjet nëpër ulëset e Kuvendit nuk e kishin pasur as dinjitetin e as guximin së paku për të folur hapur për të gjitha viktimat civile të luftës, duke zgjedhur vetëm që shqiptarët të flasin për shqiptarët e serbët për serbët.
Për këtë edhe fjalimi i Dedës, ndonëse për t’u përshëndetur, po vinte vonë, shumë vonë. Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe shtetet aleate, si SHBA-ja, Gjermania e Britania e Madhe, ishin bindur se kosovarët nuk u treguan kurrë të gatshëm për t’i trajtuar humbjet njerëzorë të ndërlidhura me luftën, dhe – të zhgënjyera tashmë – po ia impononin një eksperiment të ri kundërthënës në formë të Gjykatës Speciale.
Kosova po vazhdon ta paguajë çmimin e dënimit bazuar në këtë kastë të deputetëve perfidë dhe jo të sinqertë.
PËRGJITHËSISHT, JAM kundër përgjithësimeve, meqë nuk i shërbejnë asnjë analize të kompletuar, mirëpo kësaj radhe them se thuaja s’ka asnjë përjashtim. Fare nuk dyshoj se jam larg një të vërtete gati absolute, nëse konstatoj se votimi i të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës të premten e fundit të qershorit s’ka qenë aspak i sinqertë dhe i mbështetur në ndonjë parim fisnik, e – mozomokeq – qëllimmirë për popullatën e Kosovës.
Secila dorë që ka votuar pro ose kontra e ka pasur krejtësisht të lidhur me kalkulimin personal ose të subjektit politik të cilit i përket.
Deputetët e PDK-së - liderë të së cilës përmenden më së shumti në raportin e Martyt mbi të cilin mbështetet kërkesa për Specialen - sipas shumë pandehjeve, ia dolën të inskenonin ndarjen në pro et kontra, duke bërë që të mos kalojnë ndryshimet kushtetuese, por edhe të mos marrin përgjegjësinë për dështimin si subjekt.
LDK-ja sërish, duke dashur në mënyrë perfide të rikuperohej ndaj akuzës se kishte braktisur dyshimet për vrasjen e aktivistëve të vet me motive politike nga kundërshtarët - teksa disa herë kishte bërë koalicione me ata që anëtarësia beson se kanë gisht në to – po votonte në sinkroni pro.
“Vetëvendosje!”, si një subjekt që ka parë me dyshimin më të madh thuaja çdo investim ndërkombëtar në Kosovë – përfshirë këtu edhe mosbesimin se do të bëhej shpallja e koordinuar e pavarësisë – dhe me këtë kundërshtim i ka të prishura marrëdhëniet me SHBA-në e shihet me skepsë edhe nga disa shtete perëndimore, mezi s’priste që të bindte edhe dy subjektet e tjera opozitare, në mënyrë që së paku të mos mbeteshin të vetmuara në këtë “listë të zezë”.
AAK-ja, e cila më herët në shumicë kishte votuar shkëmbimin e letrave ndërmjet baroneshës Ashton dhe presidentes Jahjaga lidhur me Specialen, tashmë po shfrytëzonte shansin ideal të hakmarrjes së madhe kundër atyre që nuk e lejuan Ramush Haradinajn të bëhej kryeministër.
Derisa dy ish-deputetët e PDK-së që themeluan “Nismën për Kosovën”, Limaj e Krasniqi, të cilët me rastin e votimit të letërkëmbimit kishin munguar, gjegjësisht abstenuar, e kishin sa nga frika se Specialja mund të merrej sërish me ta e edhe ta mbanin të bashkuar opozitën.
Sa u përket deputetëve serbë, njësoj, pritej që të votonin diçka që pritet të akuzojë shqiptarët, teksa komunitetet e tjera përcjellin pushtetin.
Në të kundërtën, hiq lojën e PDK-së, s’ka se si shpjegohet që të gjithë deputetët pa përjashtim iu përmbajtën linjave partiake, duke përdhosur kështu krejtësisht autonominë gjykuese personale të të zgjedhurit të popullit, në një çështje kaq të ndjeshme.
PO TË MERREJ si rast studimi vetëm e premtja e Kuvendit, besoj do të mjaftonte për t’u bindur se këta deputetë e kanë humbur keq rrugën e tyre. Se reagojnë e marrin vendime në bazë të kalkulimeve meskine, inateve e përfitimeve të vockla afatshkurtra, shpesh pa përgjegjësinë më të vogël për popullin që e udhëheqin, por gjithnjë duke u thirrur në të njëjtin popull.
Po të mendonin për të mirën e të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe Kosovës përgjithësisht, me kohë do të bashkërendisnin veprimet për të negociuar edhe me bashkësinë ndërkombëtare krijimin e një Gjykate “Speciale”, me përfshirjen edhe të gjyqtarëve vendorë, e cila do t’i qasej drejtësisë në mënyrë joselektive.
Qasja krejtësisht joserioze e tyre e ka sjellë vendin në dilemën e të zgjedhurit ndërmjet disa nuancave të së keqes, po ndikon që të vihet në pikëpyetje mbështetja ndaj Kosovës e aleatëve ndërkombëtarë, si dhe – ç’është më e rënda – të mbjellë fije dyshimi në mesin e shtresave të caktuara, kryesisht injorante, të shoqërisë, nëse duhet rishikuar marrëdhëniet tona me shtetet e Perëndimit.
Marrë parasysh këto, duket se sot, më tepër se kurrë, kjo shoqëri ka nevojë për një alternativë të re politike, krejt ndryshe nga këta oportunistë që aktualisht po na përfaqësojnë.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...