Për izolimin e padrejtë të kosovarëve, edhe një herë

26 Prill 2014 - 09:11 - Adriatik Kelmendi      

Përfundimisht, një falënderim për Byronë Kosovare të Sigurimeve që më në fund ia filloi të dalë në pah ndoshta pazotësia, mosdashja, mosinformimi, qëllimet mbase të fshehura të atyre që flasin në emër të sigurimeve të automjeteve në Kosovë. Së paku, pra, qytetarët tash do ta dinë, duke u nisur nga niveli i komunikimit dhe “argumentet” që jepen, se përse është dështuar të ketë qarkullim të lirë të kosovarëve dhe bashkatdhetarëve dhe përse ata e vuajnë këtë si dënim

DILEMA ËSHTË E MADHE: A meriton t’i kthehet përgjigje dikujt, i cili e pranon se në fakt për 13-14 vjet nuk ka qenë në dijeni fare të së paku dy dokumenteve të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Byrove, të cilat ia lejonin Kosovës të drejtën e pajisjes me Kartonin e Gjelbër, temën e vetme të shqetësimit për izolimin e qytetarëve kosovarë dhe mërgimtarëve tanë?! A ia vlen?
Si mund të komentosh me palë, e cila arsyetohet për dështimet e saja, duke pandehur se NUK PASKA DITUR për vendimet e organit, me të cilin organ paskësh negociuar pranimin e Kosovës?! A e meriton?

Si të komunikosh me dikë, që arsyetohet se duhet falur gabimet drejtshkrimore pasi që nuk paskëshin lektorë (sic!), duke harruar se drejtshkrimi i gjuhës shqipe mësohet në shkollë fillore dhe pritet që atë ta dijë së paku secili që ka kryer shkollën e mesme?! A ka kuptim?

Si të polemizosh me shkrim me dikë, i cili lëre që pa asnjë kompleks e pranon se NUK DI për punët për të cilat thotë se PO ANGAZHOHET - pra është i paaftë që ta kryejë punën për të cilën paguhet, ose prej të cilës përfiton – por synon që të mbajë ligjërata gazetarie, duke harruar se profesioni i gazetarit është profesion universal, që d.m.th. merret me gjithçka, meqë gjithçka edhe përfundon në media (në të kundërtën, sikur të merrej gazetari vetëm me gazetari, atëherë do të kishim vetëm raporte e shkrime për profesionin e gazetarisë në TV, radio, gazeta...)?! A mos është humbje kohe?

MEGJITHATË, VENDOSA të shkruaj sërish, pasi që mendoj se Byroja Kosovare e Sigurimeve meriton një falënderim të madh, meqë ato që thuhen në dy “reagimet” e saj janë tash në dispozicion të qytetarëve, meqë po fillon të bëhet kristalisht e qartë se përse edhe pas 15 vjetësh Kosovës, pikërisht këtyre qytetarëve po u mohohet e drejta e qarkullimit të lirë. Aty besoj sqarohet edhe adresa se ku duhet kërkuar përgjegjësinë. Në “argumentet” që sjellin gabimet logjike e drejtshkrimore që vetëm sa shkojnë duke u shtuar (deri edhe fjala Evropë shkruhet me “e” të vogël!), si dhe kur ia jep faktet, merr arsyetimin “nuk e kemi ditur”, duke marrë edhe akuza e kërcënime ad hominem.

PRA, NJË FALËNDERIM, që më në fund ia filloi të dalë në pah ndoshta pazotësia, mosdashja, mosinformimi, qëllimet mbase të fshehura të atyre që flasin në emër të sigurimeve të automjeteve në Kosovë. Së paku, pra, qytetarët tash do ta dinë, duke u nisur nga niveli i komunikimit dhe “argumentet” që jepen, se përse është dështuar të ketë qarkullim të lirë të kosovarëve dhe të bashkatdhetarëve.

SHKURT E DIREKT për BKS-në: Nuk i kam pasur më herët dokumentet e Asambleve të Përgjithshme të Këshillit të Byrove, mbajtur në Gjenevë, gjegjësisht në Andorra, në të cilat rekomandohet lejimi i pajisjes së automjeteve kosovare me Karton të Gjelbër, në kohën kur e kam shkruar shkrimin “Mafia e sigurimeve dhe izolimi i Kosovës”, por edhe pa to vlerësoj se kam pasur mjaft material për të ngritur zërin kundër izolimit të panevojshëm. Kam marrë me dhjetëra e-maile, telefonata e përgëzime nga shumë e shumë burime (në gazetari i quajmë burime, ndoshta BKS-ja i quan “këshilltarë”), të cilët m’i kanë dërguar edhe këto letra, e edhe shumë e shumë të tjera që flasin për një mal keqpërdorimesh të tjera të supozuara në sektorin e sigurimeve (nëse dëshironi, ndoshta edhe mund t’i bëj publike).

Pyetja është: Si ia dola unë si gazetar “pa studime dhe specializime të veçanta për sigurime” (sic!) t’i siguroj brenda vetëm NJË DITE dokumentet thelbësore për temën për të cilën ju po “angazhoheni, por pa sukses”, dhe juve nuk iu paskan mjaftuar 13-14 vjet për t’i siguruar të njëjtat edhe pse jeni “ekspertë”, meqë ju uleni në Byronë Kosovare të Sigurimeve?

Apo ndoshta iu ka konvenuar të mos “i dini” për shkak se Kartoni i Gjelbër do të nënkuptonte humbjen edhe të dhjetëra milionë eurosh për çdo vit? Mirëpo - kujdes! - në shumë nga këto e-maile e edhe në shumë kontakte, më është tërhequr edhe vërejta: “Adriatik, mos u merr me këta se janë të rrezikshëm, bëhet fjalë për shuma të mëdha parash!”.

Duke e parë se në “reagimin” tuaj të parë më kërcënuat me gjyq, e në këtë të dytin po e luani rolin edhe të Agjencisë së Inteligjencës, e cila po e ditka se kush, si dhe për çka më paska “këshilluar”, ndoshta duhet edhe të filloj të frikësohem nga pak, apo jo (mbase, në ndonjë “reagim” eventual të tretë do të filloj edhe të akuzohem se më paska paguar dikush, se dua që të hap vetë ndonjë kompani sigurimesh...:-)? Aq më tepër kur, siç po e dimë, ka pasur shumë sukses mbajtja në mënyrë të çuditshme e kësaj teme larg opinionit publik e debatit politik!

SHKURT: Adresa ime e e-mailit është [email protected] (e keni pasur të shkruar edhe nën shkrimin tim). E gazetës ku është botuar shkrimi është [email protected] (e keni të shkuar në faqen 11, ose në faqen përballë asaj ku është botuar shkrimi). Nëse po e pranoni se nuk po e dini drejtshkrimin, s’mund të besoj se nuk e dini së paku leximin. Etika, e cila është ruajtur deri më sot mjaft mirë, na flet se reagimi për një shkrim dërgohet në adresën e mediumit ku është botuar, ose të paktën në adresë të autorit, dhe jo në adresa të mediave të tjera.

SHKURT: Me targat e mëhershme “KS” edhe personalisht jam nisur nga Prishtina, kam hyrë në Mal të Zi (duke paguar 15 euro sigurim kufitar, si “dënim” që nuk e kam Kartonin e Gjelbër), kam hyrë në Itali (kam paguar 125 euro sigurim, si “dënim” që nuk e kam Kartonin e Gjelbër), për të vazhduar pastaj me të njëjtat targa të Kosovës nëpër Itali, Francë e deri në Spanjë. Në Greqi (kam paguar 180 euro sigurim kufitar me këto targa, si “dënim” për mungesë Kartoni të Gjelbër). Me targat e tashme “RKS” personalisht kam udhëtuar në Mal të Zi (15 euro sigurim), Kroaci (75 euro sigurim), Slloveni, Austri, Itali, Francë (natyrisht, gjithnjë duke paguar mbi 120 euro sigurim). Në Bullgari (65 euro). Njoh shumë e shumë persona të tjerë që kanë udhëtuar më tepër se unë nëpër Evropë me targa të Kosovës. Plus, a e dini edhe sa shtete në rajon dhe në Evropë kanë më tepër se një lloj targash? “Argument”?! A duhet kuptuar edhe “argumentet” tuaja për “mospranimin” e targave të Kosovës si baras të besueshme sa edhe pandehet për “angazhimin” tuaj për sigurimin e Kartonit të Gjelbër?!

SHKURT, PRAPË: Marrëveshjet e mirëkuptimit me shtete të veçanta natyrisht se do të vlenin vetëm për lëvizjen e ndërsjellë në territoret e dy shteteve gjegjëse, dhe jo në shtetet e tjera. Njësoj si dhe me Maqedoninë dhe Shqipërinë, pra. Atëherë, “arsyetim” i paqëndrueshëm, apo moskuptim i pyetjes?

SIDOQOFTË, FALEMINDERIT SHUMË edhe një herë që përfundimisht tash e pranuat edhe vetë se paskësh shtete që, ndonëse pa qenë në OKB, paskan qenë përjashtim për t’u pajisur me Kartonin e Gjelbër.

FALEMINDERIT SHUMË që avancuat edhe nga gjuha që thoshte se NUK BËN, në gjuhën që thotë se “anëtarësimi në Këshillin e Byrove do të mund të arrihet” dhe se ka hapësirë “të shteren mundësitë”. Pra, tash nuk qenka mision i pamundur! Vetëm se duhet angazhim i njerëzve të duhur, me ekspertizë të duhur, të aftë dhe të përkushtuar.

PËRNDRYSHE, PYETJET e shtruara prej meje kanë qenë të drejtuara për të marrë përgjigje si tërësi, në secilën prej tyre, dhe jo në formë menyje.
Së këndejmi, ndonëse as në ato që janë quajtur “përgjigje” nuk po bëhet i qartë dënimi i kosovarëve me mungesë qarkullimi, ende fare pa përgjigje mbesin këto pyetje:

• A kanë dëshirë dhe vullnet të vërtetë kompanitë e sigurimeve dhe Byroja kosovare për të jetësuar qarkullimin e lirë të kosovarëve me automjete jashtë, apo u mungon ekspertiza dhe dija anëtarëve të Asamblesë së Byrosë që ta bëjnë këtë, duke u bazuar në “precedentët” ose “pengesat ligjore” me të cilat do të duhej të shërbeheshin?

• A janë ekspertë të lëmit të sigurimeve, ekspertë të legjislacionit ndërkombëtar, ose edhe të automobilizmit, drejtorët e zv.drejtorët dhe anëtarët e BKS-së, apo në mungesë të këtyre kualifikimeve, ka mjaftuar që janë familjarë të njerëzve të fortë të pushtetit dhe politikës?

• Pse BKS-ja bazohet me aq lehtësi (për të mos thënë kënaqësi) në “pengesat” që i ka Kosova në thyerjen e barrierave ndërkombëtare për shkak se vendi ynë nuk është anëtar i OKB-së, dhe harron se po të kishim pasur parasysh “pengesat”, Kosova sot nuk do ta kishte as lirinë, as pavarësinë, as 108 njohje, as pasaporta të njohura, as targa të njohura, as nuk do të gjente hapësirë për të luajtur ndeshje miqësore nën organizim të FIFA-s, as nuk do të ishte në FMN, Bankë Botërore e në BERZH për të përmendur vetëm disa? A s’kemi mundur që për të gjitha këto vetëm të bazohemi në pamundësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe të mos anëtarësohemi askund tjetër?

• Përse tolerohet që të kemi numër të madh të mospërmbushjes së detyrimeve dhe pagesës së dëmeve të automjeteve nga kompanitë e sigurimeve?

• Pse ka aq lëndë në gjykata që presin shqyrtim e që kanë të bëjnë me mospërmbushjen e obligimeve nga kompanitë?
• Përse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në emisionin tim “Rubikon” të datës 27 mars 2014, publikisht në KTV deklaroi se kosovarët do ta kenë Kartonin e Gjelbër deri para fillimit të kësaj vere?

• Nëse unë si gazetar nuk i paskam pasur të qarta “ligjet” dhe “rregulloret” ndërkombëtare që nuk e lejojnë këtë, atëherë si nuk e paska të qartë as kryeministri Thaçi, në të cilin bazohet BKS-ja edhe në “reagim”?

• Ose – kërkoj falje për vrazhdësinë! – a po gënjen BKS-ja, apo kryeministri në këtë rast, pasi që të dy thonë gjëra të ndryshme dhe të dyja palët të thonë të vërtetën - nuk e rrok logjika?

• Pasi që në “reagim” më tërhiqet vërejtja se shkrimi im “dëmton rëndë imazhin dhe reputacionin e industrisë së sigurimeve, e cila paraqet bazë të mjaftueshme ligjore për ndjekje penale ndaj” meje, sa e dëmtojnë këtë imazh këto çështje që jua shtrova më lart? Sa e dëmtojnë qytetarin e izoluar të Kosovës, si dhe bashkatdhetarin tonë të vuajtur në mërgim, sa e dëmton xhepin e tyre moslëvizja nga status quoja?

• Sa i pasuron ata që marrin paga nga BKS-ja dhe nga kompanitë e sigurimeve kjo status quo?

• Unë edhe mund të jem vetëm një gazetar “i shkathët dhe profesionist”, i cili edhe mund të gabojë dhe për gabimet e tij edhe mund të kërkojë falje pa dëmtuar askënd, ose edhe mund të “ndiqet dhe të dënohet penalisht”, që në fund të fundit do të dënohet vetëm një individ; por si do të ketë falje për gabimet që bëhet nën kupolën e BKS-së dhe për të cilat po paguajnë qytetarët dhe mërgimtarët e Kosovës dhe a do të kryente punë ndonjë ndjekje ndaj tyre për të sanuar dëmin?

• Dhe në fund krejt (në vetë të dytë shumës), kur shkruani “le të mbetet në ndërgjegjen e z. Kelmendi se sa ka kontribuuar me këtë shkrim, pa bazë argumentuese dhe faktike dhe sa do të mund ta dëmtojë dhe rëndojë shkrimi i tillë imazhin e Kosovës ndërkombëtarisht dhe procesin e njohjeve të mëtutjeshme të Kosovës si shtet, kusht i cili edhe neve po na mban pezull si institucion!”, unë do t’ ju lusja që të bëni vetëm një zhvendosje të mbiemrit tim dhe të zëvendësoni me Byronë Kosovare të Sigurimeve. Si po iu del ndërgjegjja tash me izolimin e Kosovës dhe me imazhin e mbajtjes pezull të një populli të tërë, duke bërë përpjekje titanike ta arsyetoni pazotësinë dhe mosdashjen tuaj?

• A ju ka shkuar ndonjëherë mendja që ndoshta – pasi që ju i paskëshit bërë të gjitha dhe sërish Kosova ka mbetur e izoluar – të tërhiqeni nga ato poste dhe t’ia lëshoni vendin dikujt tjetër që mund të provojë të bëjë diçka pak më ndryshe, e që ndoshta edhe do të kishte dhënë më shumë rezultate?

• Apo i keni me tapi?
P. S.: Me dëshirë s’do ta vazhdoja “polemikën”, duke besuar se tashmë opinioni publik e politik e ka më të qartë se cilat janë çështjet që privojnë kosovarët nga Kartoni i Gjelbër. Por, sigurisht se s’do të pushoj së kërkuari llogari nga BKS-ja, kompanitë e sigurimeve, Qeveria, Këshilli i Byrove dhe institucionet e tjera për këtë që, si qytetar i Republikës së Kosovës, e besoj të jetë një padrejtësi e madhe që më bëhet mua dhe bashkështetasve të mi, përfshirë këtu edhe mërgimtarët. Për më tepër, me këtë përgjigje që sot m’u imponua, edhe u detyrova ta shtyja për një javë temën që kisha planifikuar ta trajtoja në kolumnen time të rregullt të së enjtes.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

© Koha Ditore

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...