14 Shkurt 2015 - 09:02 - Adriatik Kelmendi
POLITIKANËT DUAN që të takojnë secilin qytetar të Kosovës, një nga një, në kohë të fushatave zgjedhore, por nuk denjojnë t’i vizitojnë ata kur ndodhen të hutuar e të mashtruar.
Natyrisht, këta politikanë e kanë kapërcyer gardhin. Zgjedhjet kanë kaluar. Secili politikan ose grupim politik ka marrë votat që ka marrë. Pse të mundohen më tepër, apo jo!
Tash mjafton që nga rehatia e selive të partive, institucioneve ose studiove televizive të akuzojnë pikërisht kundërshtarin politik se mu ai e ka fajin. Në njëfarë forme, ata sikur ia përplasin fajin vetë kësaj popullate që po ikën, duke nënkuptuar se ata janë fajtorët se kanë votuar ata që s’është dashur të votohen!
Por, a jep dikush alternativën?
E në anën tjetër, shumë qytetarë jetojnë në kushte të rënda në Kosovë dhe – në mungesë udhëheqjeje të mirëfilltë politike e institucionale – janë një cak i lehtë i mashtruesve, manipuluesve e kriminelëve të ndryshëm.
S’ka se si shpjegohet ndryshe histeria masive e njerëzve që si të goditur nga amoku- ikin.
NJERIU NORMAL nuk e rrezikon fëmijën e vet nëse nuk është i bindur se duhet të veprojë shpejt për të realizuar një qëllim dhe të shfrytëzojë "rastin e artë" që i është ofruar, meqë nesër "mund të jetë vonë"!!!
Duket se kjo është situata që po mbretëron me dhjetëra e mijëra banorët e Kosovës, të cilët gjithnjë e më shpesh po i shohim edhe me familje t’u hipin autobusëve me cak Hungarinë.
E padyshim dikush këtu, nën sytë e të gjithëve, është duke bërë një mashtrim të madh dhe të tmerrshëm. Përndryshe nuk ka se si shpjegohet që familjet me fëmijë të vegjël ia kanë mësyrë të ikin nëpër dimër e borë, me temperatura edhe nën zero, duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve.
Janë rrëqethëse dhe mjeruese njëkohësisht pamjet e familjeve, të cilat nganjëherë e kalojnë edhe kufirin Kosovë-Serbi në këmbë, me fëmijë të moshës parashkollore.
Pra, ka një grup kriminal të organizuar mirë, i cili, çuditërisht, ia ka dalë të mashtrojë lehtësisht mijëra njerëz se pikërisht këto janë ditët e javët kur ata duhet të përdorin këtë “portë të hapur” për të dalë në Perëndim. Se nëse nuk e shfrytëzojnë këtë rast, këtë mundësi të artë - tash dhe menjëherë - nesër mund të jetë vonë. Se nesër Kosova disi do të rrethohet me mure të pakalueshme dhe të gjithë do të mbesin në një burg të madh.
Natyrisht se kjo është një rrenë e madhe dhe është një manipulim i madh me qëllime përfitimi me mjerimin njerëzor.
Përfundimisht Ministria e Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës, EULEX-i dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për sigurinë në vend, duhet të gjejnë se kush po i mashtron këta njerëz. Si dhe të marrin masa që manipuluesit të marrin dënimin e merituar.
Përndryshe, duhet të japin llogari edhe vetë.
NUK KA SE si shpjegohet përse nuk kemi ende përgjigje në disa pyetje themelore:
Si është e mundur që njerëz, të cilët përtej çdo dyshimi të bazuar, po ndërmarrin një veprim që është ndesh me ligjin, siç është kalimi ilegal i kufijve ndërshtetërorë, dhe shumica prej tyre nisen hapur nga Stacioni i autobusëve në Prishtinë?!
Si është e mundur që, përveç një rezolute të propozuar nga opozita në Kuvend, nuk ka ende ndonjë veprim e vendim konkret të institucioneve të vendit të përballen me këtë fenomen?!
Si është e mundur që aq lehtësisht dhe nën vëzhgimin e policëve serbë dhe hungarezë të kalohet kufiri pa dokumente valide?!
Si është e mundur që trafikantët të bashkëpunojnë me dy policitë dhe askush të mos i arrestojë ata?!
Si është e mundur që nuk ka asnjë këshill të emergjencës të krijuar nga institucionet e Kosovës për të adresuar ikjen e dhjetëra e mijëra qytetarëve të vet në mënyrë ilegale nga vendi?!
Nëse s’po shohim të ndodhë asnjë nga këto, një tjetër pyetje mbetet pezull pa përgjigje:
A mos janë edhe vetë të përfshirë?!
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...