Hallakama që na bën krenarë

19 Korrik 2014 - 08:32 - Adriatik Kelmendi      

ME GJITHË HALLAKAMËN që e ka përcjellë skenën politike e shoqërore të Kosovës që nga dita e zgjedhjeve ka shumë arsye që të ndihemi krenarë.

Si skenë politike e edhe si popull kemi treguar me dinjitet se dimë të bëjmë demokraci. Dimë të mbajmë zgjedhje të mira, dimë t’i pranojmë rezultatet, dimë të bëjmë marrëveshje, dimë t’i respektojmë vendimet e institucioneve të pavarura, pavarësisht a na shkojnë për shtati ose jo.

Demokracia në veprim, me plot kuptimin e fjalës.

Besoj se kemi qenë dëshmitarë të demokracisë së pjekur derisa kemi parë edhe festimet e militantëve të PDK-së nëpër rrugë natën e zgjedhjeve, ashtu edhe festimet e militantëve të LDK-së, AAK-së dhe NK-së dy ditë më pas, me nënshkrimin e marrëveshjes politike.

Konsideroj se kemi parë kulturë politike edhe në aftësinë për t’u bërë bashkë katër subjekte të ndryshme politike - LDK, LVV, AAK e NK - me qëndrime shpesh tepër antagoniste, dhe për të diskutuar bashkëpunimin dhe krijimin e institucioneve. Për më tepër, ky bashkim ndodhi për herë të parë pa ndonjë trysni ndërkombëtare, gjë që jemi mësuar ta shohim shumë shpesh gjatë këtyre 15 vjetëve.

Në anën tjetër, pamë një qëndrim dinjitoz të PDK-së, e cila përkundër faktit që ka dalë e para në zgjedhje, pa se kjo nuk mjafton që të ketë shumicë për formim të institucioneve, dhe për këtë as nuk mallkoi, as nuk kërcënoi askënd.

Nuk pamë protesta në rrugë. Nuk pamë skena të pahijshme në televizione.

Mund të marr guximin të them se në mënyrë kaq të qetë një situatë të këtillë të komplikuar politike vështirë të mund ta shihnim në akëcilin shtet të rajonit.

A mund të prishet çdo gjë të enjten?

UNË BESOJ SE JO. Por, për të mos ndodhur kjo do të duhej pak më shumë largpamësi nga deputetët që do të ulen aty.

Ka shumë të panjohura që e përcjellin mënyrën se si do të zhvillohet seanca konstituive e Kuvendit të dalë nga votat e 8 qershorit.

Për shkak të pretendimit të shumicës nga PDK-ja dhe Treshja opozitare, problemi i parë do të lindë që me uljen. Ku të ulen? Ende nuk ka një qartësim se kujt do t’i takojnë cilat pjesë të sallës së Kuvendit. Të dyja palët insistojnë në të tyren. Mirëpo a s’po harrohet se Kuvendi është vend ku kuvend’ohet dhe jo ku merren poza!

Kuvendarët janë në sallë të Kuvendit për të kuvenduar për të mirën e vendit, për të mirën e qytetarëve të cilët ua kanë falur besimin për t’i përfaqësuar. Absolutisht nuk ka fare rëndësi se kush ku do të ulet, por ka shumë rëndësi se kush çka do të kuvendojë e për çka do të angazhohet.

Në sallën e Kuvendit të Kosovës deri më tash, fatmirësisht, nuk kemi parë skena dhune, siç i kemi parë në kuvendet e tjera. Me këtë shpesh jemi krekosur duke u thirrur edhe në bujarinë shqiptare të Kosovës. E dikush nganjëherë edhe arsyeton edhe grushtet në Kuvend në qoftë se ato janë rezultat i mospajtimit të koncepteve, vizioneve dhe qasjeve politike.

Por, ta paramendojmë situatën kur në Kuvend do të shohim grushtime dhe atë për të zënë karrige.

Paramendojeni raportimin në mediat ndërkombëtare për grushtime për karrige në Kuvendin e Kosovës. Raportimet e gazetarëve të huaj gjithsesi do të përcillen me nëntone nihiliste për aftësinë kosovare të shtetndërtimit, me sfond të pashmangshëm përshkrues për Kuvendin që ka shpallur shtetin e pavarur vetëm gjashtë vjet më parë, në të cilin – shih - deputetët po ushtrojnë dhunë për të zënë karrige për vete.

Paramendojeni raportimin e ambasadave.

E paramendojeni zhgënjimin e votuesve, pavarësisht se për kë kanë votuar.

AJO ÇFARË KEMI parë, pra, në këto 40 ditë paszgjedhore do të japë bukur shumë brumë për studiuesit e praktikave politike dhe teoricienët e shkencave politike.

Seanca e Kuvendit e së enjtes ka gjasa bukur të mëdha të jetë edhe një kapitull interesant në këto studime, në qoftë se gjendjen zgjidhje të problemeve e dilemave me anë të metodave politike e ligjore.

Kam shumë besim se deputetët e zgjedhur do ta dinë edhe një herë se çfarë peshe kanë vendimet e tyre dhe ta vënë interesin e Kosovës para interesit personal të karriges.

Në të kundërtën, episodet më interesante të kësaj odiseje politike tek priten të fillojnë. Fatkeqësisht druaj se nuk do të na pëlqejnë shumë.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

© KOHA.net 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...