Nënë Tereza dhe ndryshimi deri më 2018

13 Shtator 2014 - 09:09 - Adriatik Kelmendi      

Kosova ka stagnuar thellë në shumë fusha, duke mbetur e fundit në rajon, në Evropë. Për këtë arsye, shumë punë duhet të kryhen me urgjencë absolute për të pasur sukses çfarëdo përbërje e re qeverisëse, nëse duam të sigurojmë që Kosova të mos dështojë si shtet. E pa punë, përkushtim, vizion e seriozitet të institucioneve të ardhshme të Kosovës, vështirë se do të arrihet shumë përparim në gjithë këto fusha të zeza të vendit. Edhe nëse emri i liderit (liderëve) të ardhshëm do të jetë – Nënë Tereza

KOSOVA KA NEVOJË për ndryshim rrënjësor në shumë fusha. Tash kur po i afrohemi shtatëvjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe kur kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet nga çlirimi ka shumëçka që nuk ka pse të tolerohet më në funksionimin e shtetit.

Nganjëherë fitohet përshtypja se më vështirë është për vetë kosovarët, shoqërinë dhe liderët, ta bindin vetveten se Kosova është shtet se sa 110 shtetet si dhe organizatat që e kanë njohur si të tillë. Sfida më e madhe në katër vjetët në vazhdim do të jetë pikërisht kjo – rrumbullakimi i Kosovës si shtet.

E kjo nënkupton kryerjen me urgjencë e me përkushtim të shumë punëve të cilat koalicionet qeverisëse të paspavarësisë, PDK-LDK dhe PDK-AKR, nuk kanë mundur, nuk kanë dashur t’i kryejnë, janë (vetë)sabotuar ose nuk ia kanë dalë për shkak të rrethanave të jashtme gjeopolitike, ose luftërave të brendshme.

Të besojmë se për një moment do të arrihet të tejkalohet bllokada politike dhe së shpejti do të kemi institucionet e reja.

Gjasat janë të mëdha që blloku LAN, bashkë edhe me LVV, nëse mbesin bashkë, do të mund të udhëheqin e një ekzekutiv të ardhshëm. Dhe ky ndryshim padyshim se do të ishte shumë i shëndetshëm për vendin.

Thjesht, edhe Nëna Terezë sikur ta udhëhiqte një shtet si Kosova, pas dy mandatesh, do të ishte i nevojshëm ndryshimi. Dhe qeveria në ikje natyrisht se s’ka pasur fare të bëjë me Nënë Terezën.

Respekt për përjashtimet, por Kosova ka stagnuar thellë në shumë fusha, duke mbetur e fundit në rajon në Evropë. Për këtë arsye, shumë punë duhet të kryhen me urgjencë absolute për të pasur sukses çfarëdo përbërje e re qeverisëse, nëse duam të sigurojmë që Kosova të mos dështojë si shtet.

NË RRAFSHIN NDËRKOMBËTAR, ka disa segmente ku pas katër vjetësh do të duhej pritur rezultate konkrete.
Anëtarësimi i Kosovës në organizatat e mëdha ndërkombëtare si Këshilli i Evropës e OSBE.
Bërja e Kosovës shtet kandidat për aderim në Bashkimin Evropian.
Bërja e Kosovës shtet kandidat për aderim në NATO.
Kosova shtet anëtar i OKB-së.
Kosova e njohur ndërsjellazi dhe me marrëdhënie bashkëpunimi me të gjitha shtetet e rajonit. (...)

MIRËPO, PARA se të kryhen këto objektiva madhore, do duhej fokusuar në kryerjen e disa prej detyrave bazë të shtëpisë.
Ka disa që duken edhe banale, ka të tjera edhe tragjikomike. Mirëpo, për shkak të këtyre Kosova, siç u tha, është sot e fundit në Evropë.
Atëherë:
Respektimi i ndërsjellë i pavarësisë së institucioneve shtylla të shtetit, Ekzekutivit, Legjislativit dhe gjyqësorit, ose më saktë që gjykatat të bëjnë punën e tyre pa ndikime politike, e pastaj edhe Kuvendi pa atë të Qeverisë.

Sigurimi i kushteve për fjalë të lirë e media të pavarura, ose pa i bërë presione direkte ose indirekte gazetarëve, ose mediave me reklama.

Sigurimi i kushteve për konkurrencë të mirëfilltë të ekonomisë së tregut, pa nevojë që kompanitë private të jenë në bashkëpronësi me të fortët nga subjektet politike.

Krijimi i kushteve për investime të jashtme, në mënyrë që të mos i shohim më korporatat ndërkombëtare të shkojnë në vendet fqinje për shkak të kërkesave për mitë.

Luftimi i informalitetit ekonomik me përkushtim të pakompromis për shmangësit e tatimeve për ata që ndihen të fortë.

Themelimi i asaj që do të quhet shëndetësi e vërtetë kosovare, dhe jo si deri më tash kur shkon në spital dhe del prej andej më i sëmurë se ç’ke hyrë brenda.

Dhënie e hapësirës për funksionim jopartiak të arsimit në të gjitha nivelet si pikënisje e reformës së vërtetë në edukim.
Angazhim për të zbuluar mbi 1.700 të pagjeturit, me përkushtim serioz për mbi 1.250 shqiptarët, por edhe mbi 400 serbët, romët e joshqiptarët.

Ballafaqim me ekstremizmin fetar, infiltrimin e interesave të huaja me qëllim të ruajtjes së shekullaritetit të shtetit.

E edhe adaptimi i Kushtetutës dhe ligjeve zgjedhore sipas rrethanave të Kosovës, në mënyrë që të mos hyjmë në bllokada të reja të parashikueshme politike e me pasoja të përgjithshme në funksionim të shtetit.
(Listën vazhdojeni vetë)

E PËR T’U ARRITUR këto dhe shumë të tjera, do zbritur me vendosmëri edhe në disa nivele të trishta të mosfunksionimit të shtetit.
Për shembull si këto të dyja që flasin shumë edhe për situata të tjera:
Të dihet një herë e përgjithmonë dallimi në mes të burgut dhe të spitalit.
Të ndalet haraçi i mafisë së sigurimeve me sigurimet kufitare për mërgimtarët dhe të tjerët që hyjnë në Kosovë dhe për kosovarët që dalin jashtë.

TË MOS HARROJMË, nëse flasim për një mandat të plotë qeverisës, i bie që bilanci i suksesit ose dështimit të një Ekzekutivi të ri të bëhet në vitin 2018. Sa i largët, aq edhe i afërt ky vit. Por, atëherë edhe vendet e tjera me të cilat duhet të krahasohemi në Evropë gjithsesi do të punojnë për të ecur më përpara se ku janë sot.

E pa punë, përkushtim, vizion e seriozitet të institucioneve të ardhshme të Kosovës, vështirë se do të arrihet shumë përparim në gjithë këto fusha të zeza të vendit.

Edhe nëse emri i liderit (liderëve) të ardhshëm do të jetë – Nënë Tereza.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...