Mali i Zi

15 Tetor 2016 - 09:57 - Adriatik Kelmendi      

Mali i Zi mbetet aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës në rajon. Dalja hapur e Podgoricës kundër Beogradit gjatë luftës dhe njohja që ia bëri Kosovës në vitin e parë të shpalljes së Pavarësisë, vlerësohet t’i ketë ndihmuar Prishtinës që ta fitojë edhe lirinë, por edhe të sigurojë edhe njohje të tjera të rëndësishme nga shumë shtete të tjera. Çfarëdo që të ndodhë me çështjen e demarkacionit, duhet pasur kujdes tepër të veçantë për të ruajtur raportin e shëndoshë me këtë shtet mik të madh të Kosovës. Se në çfarëdo skenari armiqësor ndaj Malit të Zi, në secilin rast – Kosova e ka të garantuar të jetë humbësja më e madhe

“ME FILLIMIN E LUFTËS në Kosovë ka ndodhur edhe ndërprerja konkrete e tërësishme e komunikimeve ndërmjet meje dhe z. Milosheviq. D.m.th. ndërprerje të tërësishme të komunikimit politik Mali i Zi - Serbi. Kjo njëmend ka qenë një kohë në të cilën përditë dhe për çdo çast na është kanosur rreziku që Milosheviqi të bëjë agresion të hapur ushtarak mbi Malin e Zi.

Ushtria jugosllave gjatë atyre muajve është sjellë në mënyrë, do të thosha, armiqësore ndaj Malit të Zi, posaçërisht me përfaqësuesit e politikës shtetërore, duke dashur që për hesape të Milosheviqit të shuajë ato përpjekje demokratike në Mal të Zi dhe atë ta kthejë në altar të diktaturës se Milosheviqit.

Hapjen e kufirit me Kosovën gjatë luftës, Milosheviqi e ka kuptuar si një gjest të madh armiqësie. Pra, me të filluar fushata e NATO-s, Milosheviqi ka bërë përpjekje që me ndihmën e ushtrisë të marrë nën kontroll disa funksione të rëndësishme civile në Mal të Zi.

Ka provuar që të fusë nën kontroll televizionin shtetëror, të suspendojë parlamentin dhe organet civile qeverisëse, që policinë ta fusë nën Ushtrinë jugosllave... Ne iu kemi kundërvënë kësaj dhe secilin çast kemi qëndruar në atë vijën e hollë ndërmjet luftës e paqes. Në këtë situatë, Milosheviqi e ka kuptuar gatishmërinë tonë për hapjen e kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës për njerëzit që kanë qenë të rrezikuar së pari nga politika e tij gjenocidale, e pastaj, realisht, edhe nga bombardimet e Paktit NATO, që t'i ofrojmë strehim këtu - si një gjest të armiqësisë së madhe. Kjo, më duhet ta pranoj, nuk ka qenë far e lehtë, ngase Mali i Zi ka qenë shumë i ndarë etnikisht.

Nuk ka qenë problem se si do të reagojnë organet e pushtetit, ngase ato kanë reaguar sipas traditës më të mirë të popullit malazias. Por, në Malin e Zi të ndarë keni një opozitë të respektueshme, që në zgjedhjet e fundit ka fituar rreth 45 për qind të votave, e cila atëherë e edhe tash ka ndjekur verbërisht politikën e Milosheviqit. Pastaj ajo ka qenë e prirur që të nxisë incidente të ndryshme me ndihmën e ushtrisë, posaçërisht me refugjatët nga Kosova. Një ngjarje të tillë edhe e kemi pasur në veri të Malit të Zi, siç e dini, që ka përfunduar tragjikisht për një numër refugjatësh.

Pra, ka qenë shumë situatë e tensionuar, në qoftë se nuk llogarisim atë ngjarje tragjike që ka ndodhur, mund të thuhet se ia kemi dalë t'u bishtnojmë gjithë atyre rreziqeve që kanë kërcënuar Malin e Zi dhe refugjatët që ndodheshin këtu nga Kosova, dhe që megjithatë të gjejmë një zgjidhje që shumica e këtyre njerëzve të kthehen në vatrat e tyre dhe ta vazhdojnë në mënyrë të qetë jetën e tyre familjare.

Absolutisht, unë në çdo çast me njerëzit nga Kosova kam ndier se e çmojnë këtë gjest të Malit të Zi, të politikës së Malit të Zi, se janë shumë mirënjohës.
Unë vërtet mendoj se kjo nënkupton një themel të mirë për marrëdhëniet tona të ardhshme. Siç e dini, kur është çdo gjë mirë është shumë lehtë të jesh i mirë, por mirësia më së shumti tregohet kur dikush e ka keq, kur e ka vështirë.

Populli i Kosovës në atë kohë ka qenë shumë keq. Është shumë mirë që Mali i Zi ka treguar se është një shtëpi e hapur për të gjithë njerëzit që ndodheshin në hall. Konsideroj se kjo nënkupton një garanci të mirë për marrëdhëniet tona të ardhshme ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, si dhe me të tjerët në rajon”.

MILO GJUKANOVIQ, po më rrëfente se si republika të cilën e udhëhiqte kishte rrezikuar të përfshihej në luftë me Serbinë e Milosheviqit për shkak të shqiptarëve të Kosovës. Këto fjalë, ish-basketbollisti i kthyer në politikan, po m’i thoshte në mars të vitit 2002, në kabinetin e tij presidencial në kryeqytetin malazias, vetëm dy javë pasi që Podgorica e Beogradi, me ndërmjetësimin e BE-së, ishin dakorduar për formimin e Unionit Serbi-Mal i Zi dhe mbajtjen e referendumit për statusin e ardhshëm pas tre vjetësh.

Kjo marrëveshje ishte bërë e mundur pas intervenimit të Brukselit, meqë që nga lufta në Kosovë, marrëdhëniet e dy republikave simotra të ish-Jugosllavisë kurrë më s’do të ishin si më parë.
Tre vjet më vonë, shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, do ta bënin dallimin prej vetëm 0.5 për qind të kërkuar në referendum (55% sa ishte vënë si kusht), që kjo republikë të mëvetësohej.
Gjukanoviq ishte heroi i luftës për pavarësimin e Malit të Zi.
Shqiptarët ia kishin kthyer të mirën.

DY VJET PAS pavarësimit të Malit të Zi, Gjukanoviq ndiente se duhej t‘ua kthente shqiptarëve në të njëjtën masë.
Më 9 tetor 2008, Mali i Zi do të bëhej shteti i 50 që do ta njihte Republikën e Kosovës si shtet sovran e i pavarur.
Njohja nga Mali i Zi konsiderohet si njëra nga njohjet absolutisht më të rëndësishme që ka marrë Kosova.

Mali i Zi është shtet ku serbët përbëjnë gati gjysmën e popullatës së shumicës së qytetarëve. Në censusin e vitit 2002, 43.2 për qind e qytetarëve ishin deklaruar si malazez, kurse 32 për qind si serbë. Kjo i bie se malazezët janë vetëm një çerek më shumë se serbët në Mal të Zi.

Dhe përkundër kësaj udhëheqja e këtij shteti, pavarësisht oponencës së madhe qytetare, kishte vendosur t’i rrezikonte marrëdhëniet me gjithë sivëllezërit serbë – për shqiptarët.
Rreth 15 mijë qytetarë protestuan atëbotë dhunshëm kundër këtij vendimi të Podgoricës. Dhjetëra prej tyre u lënduan. Opozita e quante akt tradhtie të pashembullt të Malit të Zi ndaj Serbisë që nga ekzistimi i shtetit malazias. Kishte kërcënime edhe për luftë qytetare.

Vendimi për njohjen e Kosovës shtet – qëndroi.
Më 30 korrik 2013, Radovan Miljaniq u caktua të udhëhiqte ambasadën e hapur zyrtarisht të Malit të Zi në Republikën e Kosovës.

NË VITIN 2016, Mali i Zi mbetet aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës në rajon.
Njohja që ia bëri Kosovës në vitin e parë të shpalljes së Pavarësisë, vlerësohet t’i ketë ndihmuar Prishtinës që të sigurojë edhe njohje të tjera të rëndësishme nga shumë shtete të tjera. Argumenti është i fuqishëm – pse të mos njihet Kosova nga ndonjë shtet, kur shteti si vëlla historik i Serbisë tashmë e ka njohur atë.
Sot Mali i Zi pret të bëhet anëtari i 29 i Paktit më të madh ushtarak në botë, NATO, pas nënshkrimit të protokollit të pranimit në muajin maj.

Me këtë gjest, edhe një herë Podgorica i ka kthyer shpinën Serbisë, duke u bërë anëtare e aleancës që e kishte bombarduar atë vetëm 17 vjet më parë. Edhe ky vendim nuk ishte i lehtë, meqë në referendumin për t’iu bashkuar NATO-s, dallimi mes qëndrimeve pro et contra kishte qenë vetëm 8 për qind.
Pas Shqipërisë, Mali i Zi bëhet shteti i dytë fqinj i Kosovës në NATO, forcës ushtarake e cila edhe garanton tërësinë territoriale të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, Mali i Zi, sërish, pas Shqipërisë, është destinacioni i dytë më i frekuentuar i shqiptarëve për pushime.
Teksa, njëjtë, bashkë me Shqipërinë, janë të vetmet shtete ku kosovarët mund të hyjnë vetëm me letërnjoftim.

VLERËSOJ SE të gjitha këto dhe shumë fakte të tjera duhen sjellë në kujtesë, në kontekstin e situatës së fundit të krijuar në Kosovë pas nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Përveç disa rasteve të izoluara të mllefit dhe ndonjë deklarate populiste partiake për mundësi konflikti me Malin e Zi, përgjithësisht mund të konstatohet se shqiptarët e Kosovës ia kanë dalë të tregojnë pjekuri të admirueshme duke e vlerësuar pozitivisht raportin me Malin e Zi.

Çfarëdo që të ndodhë me çështjen e demarkacionit, duhet pasur kujdes tepër të veçantë për të ruajtur raportin e shëndoshë me këtë shtet mik të madh të Kosovës.
Se në çfarëdo skenari armiqësor ndaj Malit të Zi, në secilin rast – Kosova e ka të garantuar të jetë humbësja më e madhe.
Në shumë aspekte.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...