Çështja e demarkacionit e interpretuar për shqiptarët

12 Dhjetor 2015 - 09:48 - Adriatik Kelmendi      

Mund të thuhet lirisht se përgjegjësia për demarkacionin e gabuar ndërmjet të Kosovës dhe Malit të Zi është te – babëzia, korrupsioni dhe hajnitë e vogla që disa ndër ne i kanë bërë përgjatë shumë e shumë vitesh

A THUA TË NA ndodhë vetëm neve? T’ia përshtatim të madhen të voglës, në vend se të ishte e kundërta?!

Duket se kështu ka ndodhur në rastin e shumëdiskutuar të punës së përçudme të komisioneve për përcaktimin e vijës kufitare ndërmjet të Kosovës dhe Malit të Zi.
Me faj të kujt?
Pa ekuivoke: me faj ekskluzivisht tonin! Për shkak se për të arritur një përfitim të vogël personal e me motive të ulëta, e rrezikojmë të madhen e të përgjithshmen, në këtë rast edhe me hapësirën territoriale të shtetit.
Duke i marrë parasysh të gjitha ato që janë thënë, janë shkruar, janë prezantuar dhe janë argumentuar lidhur me demarkacionin e gabuar dhe të dëmshëm të vijës kufitare Kosovë - Mal i Zi, me të cilën Kosova llogaritet të humbë rreth 8.000 hektarë, mund të thuhet lirisht se përgjegjësia është te – babëzia, korrupsioni dhe hajnitë e vogla që disa ndër ne i kanë bërë përgjatë shumë e shumë vitesh.
NËSE MARRIM PËR bazë edhe ato që u thanë dhe u shfaqën në Rubikon me të ftuar dy profesorët universitarë të gjeografisë, Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi, (shih http://www.kohavision.tv/video/rubikon/10394/) mund të konstatohet me sa vijon:
Komisioni për shënimin e vijës kufitare ndërmjet të Kosovës dhe Malit të Zi është bërë kryesisht duke u bazuar në kufijtë komunalë të territorit të komunave Pejë dhe Berane (ish-Ivangrad) në Mal të Zi.
Kufijtë komunalë të territorit të Pejës dhe Beranes janë caktuar në vitin 1931.
Shumica e hartave të Jugosllavisë që kanë qenë në dispozicion që nga Lufta e Dytë Botërore e tutje kanë treguar Kosovën në kufijtë që përfshijnë brenda edhe rreth 8.000 hektarët.
Atëherë, si ndodhi që të na dalin më të rëndësishëm kufijtë komunalë, se sa ata shtetërorë?
Deri në çlirimin e Kosovës më 1999, Serbia është kujdesur që territori i Kosovës të jetë i paprekur, pavarësisht se një pjesë e territorit komunal të Beranes shtrihej brenda territorit të një njësie tjetër federative.
Serbisë, ndërkohë, nuk i është bërë vonë që ta rregullojë çështjen e kadastrës dhe të kufijve komunalë të komunave të Pejës dhe asaj të Beranes, meqë tokat që kanë mbetur në anën e Beranes kanë qenë në shfrytëzim ose pronësi të shqiptarëve.
ÇKA KANË BËRË ndërkohë shqiptarët që shfrytëzonin ose kishin në pronësi këto toka?
Një sekret publik, të cilin duket se askush nuk po dëshiron ta thotë është – një pjesë bukur e madhe e shfrytëzuesve ose e pronarëve të këtyre tokave kanë abuzuar, me qëllime të përfitimit personal.
Derisa ishte Serbia në këto anë, këta shqiptarë i shmangeshin pagesës së taksës për ato toka, duke thënë se pagesat po i bëjnë në Berane në Mal të Zi. Ata pra iu referoheshin kufijve komunalë, kur vinte çështja e parave. Disa prej tyre vërtetë i kanë bërë ndonjëherë këto pagesa në Berane, disa të tjerë vetëm janë arsyetuar se po i bëjnë atje. I është shtënë diçka në xhep atij që kërkonte llogari. Kështu që nganjëherë janë ndëshkuar nga autoritetet komunale të Pejës, por në llogaritë përfundimtare të tyre kanë dalë fitues, se kanë paguar më pak ose hiç fare.
Pas luftës, vazhdoi kryesisht avazi i vjetër. Të njëjtët individë që më herët u shmangeshin detyrimeve tatimore duke luajtur lojën e komunave, vazhduan të thonë se detyrimet po i paguajnë në Berane, se ashtu kanë bërë gjithmonë. Në këtë situatë ishte edhe më e vështirë nga autoritetet kosovare që t’i verifikonin. Por edhe në këto raste nuk ka munguar loja e xhepit.
Dhe të gjithë kujtonin se kjo lojë do të vazhdonte në pafundësi.
Alarmi u dha vetëm kur u pa që kanë kaluar mbi 80 vjet dhe askush nga ana kosovare nuk ka ndërmarrë asnjë hap serioz që ta rregullojë çështjen e letrave të pronësisë dhe kufijve komunalë ndërmjet Komunës së Pejës dhe asaj të Beranes. Profiterët e atyre anëve u këndellën vetëm kur filluan të mendojnë se më nuk do të mund t’i shfrytëzojnë tokat si deri më tash dhe se ato do t’i takojnë një shteti tjetër.
Njësoj, politikanët, ndonëse do të duhej të merreshin me këtë çështje menjëherë pas luftës, u kujtuan për këtë vetëm kur demarkacioni po i afrohej fundit.
Kurse, përgjegjësinë më të madhe në këtë mes e kanë pa asnjë dyshim anëtarët e Komisionit qeveritar të Kosovës për demarkacion, të cilët për arsye ende të pasqaruara nga ta, vendosën që të mos marrin për bazë kufijtë shtetërorë, por u dorëzuan para kufijve komunalë.
SITUATA ËSHTË TASH më e thjeshtë se që ndoshta e mendon dikush nga Qeveria. Gabimi që është bërë me këtë qasje të demarkacionit duhet të korrigjohet. Nuk ka asnjë arsye që të pranohet diçka që të mbetet gabim, vetëm për arsye se është trajtuar qëllimshëm gabimisht për 80 vjet.
Sipas çfarëdo lloj logjike, kufijtë shtetërorë do të duhej të ishin më të rëndësishëm se sa kufijtë komunalë. Në këtë frymë, është shumë më e drejtë që kufijtë komunalë t’u përshtaten kufijve shtetërorë se sa të ndodhë e kundërta, si tash.
Hapi i parë, ashtu si e ka propozuar edhe opozita, është shkarkimi i Komisionit... për shkak të lëshimeve që u përmendën edhe më lart.
Krijimi i një Komisioni të ri, me pjesëmarrje të ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë, me konsensus të plotë të partive në pushtet dhe në opozitë.
Hedhja poshtë në Kuvend e Marrëveshjes së tashme për demarkacionin.
Dhe, të mos harrohet, të kërkohen dëshmi për pagesat tatimore që (gjoja) i kanë bërë për gjithë këto kohë shfrytëzuesit dhe pronarët e tokave që me demarkacionin e gabuar do të mbeteshin në territorin e Malit të Zi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...