Liderët shqiptarë po e fuqizojnë Vuçiqin në Kosovë

6 Shtator 2014 - 10:53 - Adriatik Kelmendi      

Si liderët e partive politike shqiptare të Kosovës përnjëherë nuk po duan as të ulen e të bisedojnë me njëri-tjetrin, por të gjithë janë të gatshëm të flasin ditë e natë me zgjatimin e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq - listën “Srpska”. E janë të gjitha këto parti të cilat - me përjashtim të “Vetëvendosjes!” që është formuar më vonë – tashmë kanë qenë disa herë nëpër koalicione të përbashkëta qeveritare, ose edhe brenda të së njëjtës parti. A i kanë qëllimet më të këqija për Kosovën akëcila parti shqiptare, apo lista “Srpska”?

VËSHTIRË TË GJENDET edhe ndonjë periudhë tjetër gjatë këtyre 15 vjetëve të çlirimit të Kosovës kur politikanët serbë janë ndier më të fuqishëm sesa janë sot. Dhe kjo jo domosdoshmërisht se ata vetë kanë bërë ndonjë manovër gjeniale politike, por këtë po ua ofrojnë kolegët e tyre nga subjektet politike shqiptare.

Një gjë që nuk po e kuptoj në këtë mes është se si liderët e partive politike shqiptare të Kosovës përnjëherë nuk po duan as të ulen e të bisedojnë me njëri-tjetrin, por të gjithë janë të gatshëm të flasin ditë e natë me zgjatimin e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq - listën “Srpska”. E janë të gjitha këto parti të cilat - me përjashtim të “Vetëvendosjes!” që është formuar më vonë – tashmë kanë qenë disa herë nëpër koalicione të përbashkëta qeveritare, ose edhe brenda të së njëjtës parti.
A i kanë qëllimet më të këqija për Kosovën akëcila parti shqiptare, apo lista “Srpska”?

Me gjithë keqqeverisjen në nivele të ndryshme, besoj se edhe PDK, edhe LDK, edhe LVV, edhe AAK e edhe Nisma ia duan shumë më tepër të mirën Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj sesa 9 deputetët serbë të “Srpskas”.

PO JEMI DËSHMITARË: PDK-ja nuk do të lëshojë pe duke thënë se ka dalë e para në zgjedhje, partitë e LAN-it thonë se e kanë shumicën parlamentare dhe se u takon t’i formojnë institucionet, kurse LVV-ja nënvizon se përveç që nuk do të bëjë koalicion me PDK-së, as me LAN-in nuk do të jetë bashkë, meqë nuk i beson pa marrëveshje të nënshkruar. Dhe këto qëndrime të ngurtësuara i kanë bërë që as të mos bisedojnë me njëra-tjetrën.

Për më tepër, po shihet se edhe tre liderët e LAN-it janë bllokuar në marrëveshjen e tyre të 10 qershorit dhe – sigurisht në paranojë – po dështojnë të propozojnë çfarëdo ideje zhbllokuese me frikën se do të cilësohen si tradhtarë.

Mirëpo, përse nuk e dëgjuam as Thaçin, as Mustafën, as Kurtin, as Haradinajn e as Limajn të thonë se nuk e duan listën “Srpska” në koalicion, nëse kjo nuk pajtohet, ose nuk nënshkruan kushtet dhe programin e partive shqiptare?!

Së pari, Kushtetuta e kërkon që të ketë edhe pjesëmarrje të partive nga komunitetet pakicë, me theks të veçantë te serbët. Dhe e dyta, edhe PDK-ja e edhe LAN-i e dinë se pa votat edhe të serbëve nuk do ta kenë shumicën e qëndrueshme në Parlament.
Si shpjegohet gjithë kjo lehtësi në qasjen ndaj një subjekti politik që deklaron hapur se Kosova është pjesë e Serbisë?
Besoj është momenti që liderët tanë të fillojnë t’ia bëjnë këto pyetje vetvetes dhe ta kuptojnë se megjithatë përfundimisht ka filluar t’u dalë në sipërfaqe synimi që thuaja gjithçka të sakrifikojnë vetëm për të mbajtur ose ardhur pikërisht ata vetë në pushtet.

Sa do t’i hakmerret Kosovës gjithë ky fuqizim i listës “Srpska”?

LIDERËT E “SRPSKAS” TASHMË e kanë rritur pazarin aq shumë, saqë po ndihen komodë të vendosin edhe kushte të paimagjinueshme, në mënyrë që të pranojnë koalicion me subjekte politike shqiptare, kushte këto që e bëjnë fare jofunksional shtetin e Kosovës. Ata kanë listuar si kushte edhe ndaljen e privatizimit/koncesionimit të ndërmarrjeve publike në komunat me shumicë serbe, njëjtë kanë kërkuar që të mos përfshihen në këto procese as komplekset më të çmueshme të vendit si “Trepça” e Brezovica, kusht kanë edhe kthimin e asaj që e quajnë pronë e Kishës Ortodokse Serbe, pastaj formimin e Asociacionit të Komunave Serbe etj.

A mund të hyjnë këto në një program qeverisës të ndonjë koalicioni ekzekutivi në Prishtinë?
Kjo është kryekëput politika e qeverisë së Vuçiqit në Serbi.
E nëse kjo politikë do të pranohet, atëherë i bie që më shumë të implementohet në Kosovë politika e kryeministrit të Serbisë sesa e kryeministrit të Kosovës, cilido që do të jetë ai.
Çka do të kërkojë tutje Vuçiqi pastaj, nëse liderët politikë shqiptarë përpiqen vetëm të sigurojnë votat, të cilat do t’i bëjnë ata kryeministra e kryekuvendarë – ta revidojë edhe Shpalljen e Pavarësisë?

Shqiptarët kanë pasur edhe kohë më të vështira se këto, por gjithnjë kanë pasur urtësinë të ulen për të kuvenduar. Sigurisht se nuk ka fare rëndësi se kush po e thërret kënd në takim, ose kush duhet shkuar ose jo në ato takime, mirëpo pa gatishmëri për kompromis nga të gjithë nuk do të mund të tejkalohet bllokada, dhe kjo do të shfrytëzohet për qëllimet e Beogradit dhe të mafisë politiko-ekonomike në Kosovë.

E sa më shumë që kjo bllokadë do të vazhdojë, do të vazhdojë edhe spiralja teposhtë e shtetit.
[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...