6 Gusht 2016 - 07:49 - Adriatik Kelmendi
3.315 ËSHTË NUMRI i njerëzve të vrarë më 11 shtator 2001, kur 19 burra drejtuan katër avionë në tri ndërtesat simbol të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Numri i njerëzve të vrarë pas kësaj date, në përpjekje për të ndëshkuar përgjegjësit për këto vrasje tashmë tejkalon shumëfish këtë shifër dhe vështirë të parashikohet se ku do të ndalet.
Brenda vetëm pak orëve pas sulmeve që tronditën botën, inteligjenca amerikane kishte njohuri lidhur me individët që qëndronin prapa këtyre aksioneve. Pas disa ditëve, dolën detaje të tjera të njerëzve të cilët ishin të përfshirë dhe planifikuan sulmin.
Administrata e Shteteve të Bashkuara ishte e bindur: Osama bin Laden dhe rrjeti i tij islamik al-Qaeda (që në përkthim do të thotë: baza) qëndronin prapa komplotit. Emri i terroristit famëkeq e milioner nga Arabia Saudite, i cili jetonte në Afganistanin e administruar nga talebanët - ishte i lidhur me sulme të ndryshme terroriste kundër interesave të SHBA-së nëpër botë edhe gjatë viteve ‘90. Bin Laden u fajësua për bombën që shpërtheu në Kullat Binjake në vitin 1993, që la të vdekur gjashtë njerëz dhe mijëra të plagosur; për bombardimin e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara në Kullat Khtobar në Dhahran, Arabi Saudite, në vitin 1996, duke vrarë 19 persona nga personeli ushtarak amerikan; për bombardimin e Ambasadës Amerikane në Najrobi, në Kenia, dhe Dar es Salaam, në Tanzani, në vitin 1998, ku mbetën të vdekur 214 njerëz dhe rreth 4.600 të plagosur; për rrëmbimin dhe vrasjen e katër turistëve në Jemen, në vitin 1998; për bombardimin e USS Cole, një anijeje amerikane shkatërruese, në Jemen, duke lënë të vdekur 17 ushtarë dhe dy sulmues etj. (Desmond 2002, Burke 2003). Personalisht, ai asnjëherë nuk mori përgjegjësinë për vrasjet, por gjithmonë lavdëroi sulmuesit (Esposito, Desmond 2002, Burke 2003). Sakaq, në gusht të vitit 1996, bin Laden lëshoi Fatwah-n e tij të parë, dekretin fetar që shpalli xhihadin (betejën, luftën, përpjekjen e veçantë) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mos çarë kokën për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm gjatë zhvillimit të kësaj lufte. Kërkesat e tij, ndër të tjera, ishin tërheqja e trupave amerikane nga Arabia Saudite, reformat tatimore, monetare dhe sanitare në mbretëri, heqja e sanksioneve ndaj Irakut dhe përfundimi i asaj që ai e quante - shtypje e palestinezëve, çeçenëve dhe kashmirasve. Ai gjithashtu dëshironte ta ndëshkonte SHBA-në për përdorimin e bombave atomike në Luftën e Dytë Botërore, për vazhdimin e zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë, për abuzime të supozuara të të “drejtave të njeriut”, si dhe për mbështetjen e Izraelit (Burke 2003). Në shkurt të vitit 1998, bin Ladeni njoftoi për formimin e “Frontit Botëror Islamik”, kur lëshoi një deklaratë, duke premtuar për “xhihad ndaj hebrenjve dhe kryqtarëve”. Aty thoshte: “Për t’i vrarë amerikanët dhe aleatët e tyre - civilët dhe ushtrinë - është detyrë individuale e çdo myslimani, i cili mund ta bëjë atë në secilin shtet në të cilin mund ta bëjë, në mënyrë që të çlirojë xhaminë e al-Aqsa dhe Xhaminë e Shenjtë, si dhe që ushtria e tyre të largohet nga tokat islame e mposhtur dhe e paaftë që në të ardhmen të kërcënojë ndonjë mysliman”. (Siç citohet nga Burke 2003: 158).
Në qershor të vitit 1999, FBI e futi bin Ladenin në listën e saj “Dhjetë të arratisurit më të kërkuar”, dhe Departamenti Amerikan i Shtetit i ofroi 5 milionë dollarë për informacionet që do të dërgonin në kapjen ose arrestimin e tij, shuma më e madhe për një qëllim të këtillë deri atëherë. Baza e tij e supozuar në Afganistan u bombardua, gjithashtu.
PAS 11 SHTATORIT, administrata e George W. Bushit bëri thirrje për koalicion “për luftën ndaj terrorit” – me frazën e famshme “ose jeni me ne, ose jeni kundër nesh” – duke synuar në kapjen ose vrasjen e bin Ladenit, në shkatërrimin e rrjetit të al-Qaedas dhe dhënies fund të regjimit ekstremist islamik të talebanëve në Afganistan, i cili u akuzua se po strehonte terroristët. Veç kësaj, administrata amerikane donte që të paralajmëronte edhe qeveritë e tjera, të cilat supozoheshin që kishin lidhje me aktivitete terroriste – sikurse ishin Siria, Iraku, Irani dhe Jemeni - që e njëjta do t’u ndodhte edhe atyre, nëse ato do vazhdonin ta mbështesnin terrorin (Woodward 2002). Po ashtu, SHBA-ja ishte mjaft e kujdesshme që ta bënte të qartë se amerikanët nuk po financonin çfarëdo lloj lufte ndaj islamit si religjion, teksa Presidenti Bush bëri përpjekje të mëdha që këtë t’ua nguliste në kokë edhe vartësve, por edhe stafit të tij (ibid 2002).
Shumë individë të shquar, organizata dhe qeveri të shteteve anembanë botës u shprehën të brengosura se veprimet e ndërmarra nga administrata amerikane pas 11 shtatorit nganjëherë mund të jenë të ashpra dhe se ato si të tilla mund të nxisin ndarje dhe urrejtje në mes të botës së krishterë dhe asaj myslimane. Sheshet e Londrës, Romës, Parisit e kryeqendrave të tjera ishin të mbushura me protestues që mbanin në duar flamurin shumëngjyrësh me mbishkrimin “Paqe”. Rreth 30 milionë njerëz llogaritet se morën pjesë nëpër protestat më të mëdha të koordinuara ndonjëherë kundër luftës – të pagëzuara si “protesta që definoi brezin tonë” - në shkurt të vitit 2003, para se të ndodhte intervenimi në Irak*.
Edhe ish-diplomati amerikan, Richard Holbrooke, i cili më vonë do të emërohej edhe si përfaqësues special i Presidentit amerikan për Afganistanin e Pakistanin, me kohë i kishte bërë të qarta shqetësimet e tij për “luftën ndaj terrorit”, duke shkruar: “Nëse ne nuk ia dalim t’i bindim myslimanët se kjo nuk është luftë kundër islamit, por luftë kundër terrorizmit, nëse bin Ladeni ia del ta definojë luftën sipas kushteve të tij, ai do të ketë sukses edhe në qëllimin e tij – edhe nëse, siç unë në të vërtetë besoj se do të ndodhë në këtë rast, ai do të kapet dhe përfundimisht do të eliminohet. Nëse mesazhi i tij zë rrënjë, bin Laden edhe i vdekur do të arrijë ta zgjojë një gjeneratë të re të terroristëve fanatikë dhe të përkushtuar. Kështu që, beteja e ideve është po aq e rëndësishme sa janë edhe aspektet e tjera të luftës së cilës ne i jemi qasur. Ajo duhet të fitohet...” (Richard Holbrooke 2001: B07)
MË 7 TETOR 2001, bombat e para filluan të binin në caqet e terroristëve dhe talebanëve dhe për disa muaj Afganistani u shpall shtet i lirë, por bin Laden dhe liderët talebanë vazhduan edhe për një kohë të jenë aty.
Në përpjekjet e saj të vazhdimit të luftimit ndaj regjimeve që supozoheshin të jenë një kërcënim ndaj sigurisë duke prodhuar armë të shkatërrimit në masë, SHBA-ja formoi edhe një tjetër koalicion – edhe pas kundërshtimit të fortë nga qeveritë e rëndësishme evropiane dhe demonstratave – kështu që “lufta ndaj terrorizmit’ në mars 2003 u shtri edhe përgjatë Irakut. Për vetëm 21 ditë, trupat e udhëhequra nga SHBA-ja zbarkuan në kryeqytetin Baghdad dhe rrëzuan statujën gjigante të diktatorit Saddam Husseini. Vetë Husseini do të kapej në dhjetor dhe do të varej, si i shpallur fajtor për krime kundër njerëzimit nga një gjykatë në Bagdad.
Njëlloj do të ndodhte edhe me bin Ladenin.
Megjithëse, SHBA-ja bashkë me aleatët ishin mjaft të suksesshëm në aspektin ushtarak dhe shpejt arritën qëllimet e tyre për pushtimin e Irakut dhe Afganistanit, kjo nuk nënkuptonte edhe përfundimin me sukses të misionit. Edhe bin Ladeni me zëvendësit e tij, njëjtë si Husseini para kapjes, vazhduan të bënin paraqitje në media, duke përçuar porositë e tyre të urrejtjes bazuar gjoja në religjion - për vazhdimin e xhihadit ndaj “okupatorëve”. Tash, duke parë se çka po ndodh në pjesë të Lindjes së Mesme për këto 15 vjet pas 11 shtatorit, s’ka sesi të mos konsiderohen se këto thirrje ishin mjaft të suksesshme.
Bin Laden përfundimisht do të zbulohej dhe do të vritej në vendstrehimin e fshehtë në vendbanimin Abbottabad në Pakistan, më 2 maj 2011, gati plot dhjetë vjet pas sulmeve të organizuara prej tij në New York dhe Washington. Mirëpo, lindja e “Shtetit Islamik” dhe formimi i grupeve ekstreme luftarake – si al-Nusra, Boko Haram, al-Shabab – të cilat angazhohen për kthimin e dhunshëm të të gjithë botës në islam, paraqesin sot sfidë dhe rrezik larg më të madh për botën e lirë dhe demokratike sesa pandeheshin bin Laden e Saddam Hussein, bashkë.
* Barkham, Patrick, “Iraqwar 10 yearson: massprotestthatdefined a generation”, botuar në The Guardian, Londër, më 15 shkurt 2013
(Në vazhdimin e radhës, të hënën, lexoni pjesën “A po përjetojmë betejat e para të ‘përplasjes së qytetërimeve’?”)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...