24 Shtator 2016 - 10:20 - Adriatik Kelmendi
NUK KA MË LEHTË se të jesh për rrënimin e konstruktit të kishës ortodokse në hapësirat universitare në Prishtinë.
S’ka se si të jesh shqiptar i Kosovës, sidomos nëse kë përjetuar regjimin diskriminues, përbuzës e kriminal të Milosheviqit, e të mos të të pengojë ky objekt mu në qendër të kryeqytetit.
Personalisht i takoj brezit që ka qenë në Kosovë gjatë procesit sa ka zgjatur ndërtimi i këtij objekti. Kam përshtypjen se secila tullë që është vënë në të ka simbolizuar shtimin e peshës së shtypjes së shumicës shqiptare nga Beogradi.
Nuk ishte zgjedhur rastësisht as lokacioni, as momentumi. Kjo kishë është politike. Ishte menduar për t’i vënë vulën e serbizimit kryeqytetit të Kosovës.
Për këtë debati se a është i drejtë objekti i nisur për kishë ortodokse është krejtësisht i thjeshtë.
Secili i shtypur do të donte që të hiqte qafe trashëgiminë e shtypësit. Secila viktimë do të dëshironte të mos e shihte më sëpatën e xhelatit. Secili shqiptar Kosove do të zgjidhte të mos e shihte më objektin që mishëron dhimbjen e tyre nën Kasapin e Ballkanit.
Kjo nëse do të dëgjonim zemrën, nëse do të kujtonim dhimbjen.
Por ja që nuk është gjithaq e thjeshtë.
Se a ishte nisur objekti i kishës në Prishtinë për t’i fyer shqiptarët? Pa dyshim se po!
Mirëpo, a duhet të rrënohet ky objekt sot nga shqiptarët? Jo!
MILOSHEVIQI PO QË e ka humbur Kosovës dhe po që ka vdekur si i akuzuar për krime lufte në Scheveningen, por na i ka lënë disa bomba të kurdisura, të cilat – nëse nuk do të jemi të kujdesshëm – rrezik të na shpërthejnë turinjve. Dhe nëse ne në këto raste gabojmë, këto pashmangshëm do të jenë poenë të lirë politikë për Beogradin.
Pavarësisht emocioneve që kemi, nëse rrënohet sot objekti i kishës në Prishtinë do të ishte sukses shumë më i madh i Milosheviqit sesa që ai të kishte arritur ta përfundonte ngrehinën me gjallje të tij.
T’i qëmtojmë argumentet e shtruara.
E para, pra, është e vërtetë se objekti është më shumë politik se fetar. Por, a s’janë pak a shumë politike shumica e objekteve fetare të ndërtuara këta 25 vjetët e fundit në Kosovë? Pavarësisht se është fakt i ditur se shumica e banorëve të Kosovës janë myslimanë, por a s’ka qenë njësoj politik ndërtimi i dhjetëra xhamive pas luftës në Kosovë? Apo, a s’ka qenë politik vendimi për ta ndërtuar Katedralen në qendër të kryeqytetit?
E dyta, qëndron argumenti se objekti i kishës kishte filluar të ndërtohej në hapësirat universitare. Mirëpo, a nuk u prish shkolla fillore në qendër të Prishtinës për t’u ndërtuar Katedralja?
E treta, u tha këtu edhe më parë se qëndron argumenti se objekti i kishës është financuar nga regjimi kriminal i Milosheviqit. Por, a nuk doli se edhe disa xhami të ndërtuara menjëherë pas luftës janë financuar nga organizata të cilat u mbyllën për shkak të lidhjeve me “Al Qaedan” e më vonë me fraksione të “Shtetit Islamik”?
Nëse vërtet po nisemi nga e mira për shqiptarët si qytetarë shumicë, por edhe e mira për Kosovën, a është më pak i mirë uzurpimi i hapësirës universitare sesa rrënimi i shkollës, ose a është më shumë i keq rrënimi i shkollës sesa financimi i ndonjë xhamie nga “Al Qaeda”?
Standarde të dyfishta?!
Po të pyetesha unë, do të dëshiroja që në vend të secilit nga këto objekte të ndërtohej nga një shkollë. Problemi më i madh i qytetarëve të Kosovës nuk është mungesa e lirisë së ushtrimit të feve, por mungesa e arsimimit. Dhe në Kosovë, për një çerek shekulli janë ndërtuar më shumë objekte fetare sesa objekte arsimimi.
Mirëpo nuk ka ndonjë shtet demokratik sot në Evropë, sado sekular të jetë ai, që merr vendim për rrënim të objekteve fetare, pavarësisht historisë problematike që ato mund të kenë, pavarësisht sa emocionalisht ngarkuese për ndonjë pjesë të popullatës mund të përjetohen.
KANË KALUAR 17 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë. Në shumicën e shteteve dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare sot janë në pushtet njerëz krejt të tjerë nga ata që kanë udhëhequr gjatë viteve ’90. Një pjesë e madhe e brezit që shikon sot CNN-in nuk i ka parë ose i ka harruar skenat e vrasjeve, dhunimeve e dëbimeve që regjimi i Milosheviqit i ka bërë në Kosovë. Një pjesë bukur e madhe e opinionit publik sot në botë fatkeqësisht e ka të mjegulluar gjykimin se kush ka qenë në të vërtetë viktima e kush xhelati në Kosovë.
Në këtë logjikë, dhe mes argumentesh të tjera, gjithmonë e kam parë të padrejtë insistimin që për shqiptarët të krijohet Gjykata Speciale. Se duke qenë në bankën e të akuzuarve vetëm shqiptarët, tash, 17 vjet pas luftës, kjo ndikon në krijimin e gabueshëm të opinionit botëror se viktima kryesore të luftës në Kosovë paskan qenë në fakt serbët dhe jo shqiptarët. Gjë që është tmerrësisht e padrejtë dhe jo fer. Një lajm në CNN për një shqiptar të akuzuar për trafik organesh sot rrezikon të lërë bukur në hije një lajm për masakrën e Mejës para 17 vjetësh.
Për këtë arsye ne s’kemi pse tash vetë të krijojmë situata për autogola të këtillë krejtësisht të panevojshëm. Duhet pasur skajshmërisht kujdes në kontekstet që mund të krijohen nga një vendim i nxituar për rrënimin e objektit të kishës.
TË MOS HARROJMË, është e vërtetë se Kosova në territorin e vet është me shumicë dërrmuese myslimane, por Kosova është edhe pjesë e Evropës, e cila është në shumicë dërrmuese e krishterë.
Të mos harrojmë se Kosova është vendi me më së shumti luftëtarë në “Shtetin Islamik” për kokë banori në Evropë dhe se shumëkush mezi s’pret që këtë ta lidhë me çfarëdo veprimi që ta dëmtojë Kosovën politikisht, e mund mezi të presin që ta bëjnë edhe me çështjen e kishës.
Të mos harrojmë se rrënimi i kishës sot do të ishte lajm ndërkombëtar dhe konteksti i shumicës së raporteve do të ishte se një shtet i sapopavarësuar me shumicë myslimane në mes të Evropës rrënon një objekt të krishterë (pa dhënë hollësi të shumta për politikat e Milosheviqit dhe kontekstin e përgjithshëm në të cilin u ndërtua ajo).
Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, të mos harrojmë se qytetarë me të drejta kushtetuese të Republikës së Kosovës janë edhe pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët, megjithatë, askush nuk po i pyet se çka mendojnë se duhet bërë me këtë objekt (shumica e subjekteve politike thonë se për çështje të brendshme të Kosovës duhet diskutuar me serbët kosovarë, në mënyrë që ata të integrohen).
Ndërkohë janë dhënë shumë ide kreative se si mund të zgjidhet çështja e objektit të kishës në hapësirat universitare pa e rrënuar atë.
Mbetet të shihet se sa mund të shohim përtej hundës!
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...