Të luftojmë apo të bashkohemi?

26 Mars 2016 - 10:04 - Adriatik Kelmendi      

Shënime nga Seouli, kryeqyteti i Koresë Jugore: Dilema për luftë e paqe, ndarje e dashuri, në njërin prej qyteteve më të mëdha dhe më të zhvilluara të botës.

Po fillon Lufta III Botërore
E PARA GJË që të bie në sy është qetësia. Njerëz që lëvizin nëpër turmën e dendur shumë, në një qytet që s’ia sheh fundin - por nuk nxitojnë. Shikojnë secili punën e vet dhe, domosdo, ekranet e telefonave të tyre të mençur.

Mbase është e kuptueshme. Ndodhesh në Seoul, qytetin prej më se 25 milionë banorësh - të tretin më të madhin në botë – dhe shtetin më të zhvilluar teknologjikisht në rruzull.
Vetëm më se 60 vjet pas luftës së tmerrshme me fqinjin sivëlla verior - që la mbi 1.2 milionë njerëz të vdekur dhe vendbanimet tërësisht të shkatërruara -Koreja Jugore sot është SHBA-ja e Azisë, me brendet lidere si “Samsung” e LG, numrin më të madh të patentimeve për kokë banori, si dhe lidhjen më të shpejtë të internetit të regjistruar ndonjëherë.

Mirëpo, ajo që nuk është shumë e kuptueshme te qetësia është diçka tjetër. Kim Jong-un, udhëheqësi i Koresë Veriore, sapo ka thënë se do të mund të përdorë bombën bërthamore kundër fqinjit jugor.
“Do t’i varros armiqtë e mi në det”, është shprehur diktatori verikorean, duke demonstruar edhe fuqinë e shtetit të tij me testimin e lansimit të një rakete me kapacitete bërthamore.
CNN shtron pyetjen se a mund të jetë ky fillimi i Luftës së Tretë Botërore.

“Jo, nuk e besoj”, thotë me lehtësi Choi Eunjeong, një studente e gjuhës angleze. “Unë jam rritur duke e dëgjuar këtë refren, por deri më tash, siç e dimë, gjithçka ka mbetur vetëm në fjalë të ashpra”.
Sidoqoftë, ky mars po shënon stërvitjen më të madhe ushtarake që është parë ndonjëherë në histori të militarizmit. 300 mijë trupa ushtarake koreane, të mbështetura nga 17 mijë amerikane kanë filluar ushtrimet e përvitshme mbi njëmujore, si përgatitje e kundërpërgjigjes së ndonjë rreziku nga Pyongyangu. Operacioni “Spartan 3000” simulon edhe pushtimin e Koresë Veriore, me trupat që do të vendoseshin në pikat strategjike të shtetit më të izoluar në botë.

Koreja Jugore dhe SHBA-ja janë në aleancë ushtarake që nga përfundimi i luftës ndërkoreane, të njohur si “marrëdhënia e farkëtuar mbi gjak”. Një trupë prej 29 mijë ushtarësh amerikanë janë të stacionuar në siujdhesë.

Paqe! Seriozisht?

Sakaq, më shumë se luftën dhe mundjen e njëri-tjetrit, koreanët jugorë thonë se duan që të bashkohen në mënyrë paqësore.
Pavarësisht retorikës së ashpër politike, ka shumë organizata të pavarura që punojnë për vendosjen e paqes ndërmjet dy Koreve, por edhe në gjithë botën.

I tillë është edhe proklamimi i Deklaratës së Paqes dhe Përfundimit të Luftërave, një projektligj i hartuar nga një komitet juristësh ndërkombëtar, i menduar t’i shpërndahet për miratim të gjitha shteteve.
“Ka ardhur koha që e gjithë bota, të gjithë njerëzit, të gjitha religjionet të bashkohen si një që t’u jepet fund konflikteve dhe paqja të mbizotërojë në botë. Kjo duhet të fillojë edhe me bashkimin dhe vendosjen e paqes ndërmjet Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut, pavarësisht çka flasin qeveritë tona”, flet Man Hee Lee, lideri kundërthënës i “Kultura hyjnore, paqja botërore dhe rikthimi i dritës”, një organizate joqeveritare me mbi 100 mijë anëtarë dhe përkrahës.

Duket se bashkimi, pavarësisht deklarimeve të herëpashershme, asnjëherë nuk është marrë seriozisht nga qeveritë në kryeqytetin jugkorean.
Armëpushimi që u vendos me ndërmjetësimin e OKB-së, në vitin 1953, asnjëherë nuk është nënshkruar nga Seouli zyrtar. Kjo i bie se Ligji i Gjendjes së Luftës është ende në fuqi ndërmjet dy Koreve.
“Qeveritë këtu gjithmonë e përmendin Veriun kur duan ta mbulojnë ndonjë aferë të brendshme në qeverisje, kur iu konvenon ta shmangin vëmendjen”, vlerëson Ban Sang-gyun, një gazetar lokal. “Nëse ka ndonjë skandal qeveritar, menjëherë shohim lajmet se si Kim Jong-un do të na kërcënojë dhe frika ndikon te njerëzit që t’i harrojnë problemet e tjera”.

Por, sa është i mundur një bashkim i natyrshëm i një populli të ndarë për më shumë se një gjysmë shekulli, njëri në shtetin më të mbyllur dhe të varfër, kurse tjetri në parajsën e zhvillimit botëror?

Sa të njëjtë, sa të ndryshëm

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, spikat DanaYang, 30-vjeçare, e cila ka udhëtuar edhe nëpër Ballkan, por si dhe shumica e jugkoreanëve, asnjëherë nuk ka mundur ta vizitojë Korenë Veriore.
Ajo tregon se të rinjve ka filluar të mos u interesojë më fakti se koreanët janë një popull i ndarë. Lidhjen dhe kujtesën e kishin mbajtur gjallë kryesisht anëtarët e familjeve që e kishin përjetuar personalisht ndarjen pas Luftës së Dytë Botërore. Tash shumica nga ai brez ose janë në pleqëri të thellë ose kanë vdekur.

“Kur unë kam qenë në shkollë fillore, neve mësuesit na mësonin se si në Korenë e Veriut janë vëllezërit dhe motrat tona, se si ne të gjithë duhet të punojmë që sa më parë të bashkohemi. Tash kjo nuk ndodh më. Fëmijët më tepër dëgjojnë për koreanoveriorët vetëm si një kërcënim lufte, ose kërcënim i mënyrës sonë të të jetuarit”, tregon e mërzitur Dana.

Choi e plotëson:

“Fëmijët tash në vend të koreanëve në Veri më tepër mendojnë për Amerikën. Se a do ta mund ‘Samsung Galaxy iPhone-in’, apo a ia ka kaluar ‘Gangham Style’ të gjitha këngëve në anglishte”.
Sigurisht se kjo lidhje vërehet gjithandej.
Po të mos i vëresh qytetarët shumicë të racës së verdhë, Seulin mund ta ndërrosh për një Boston ose Philadelphia. Arkitekturë e njëjtë pallatesh e lagjesh, me shumë rrokaqiej modernë, veçse me më shumë pastërti.
Në fillim ishte SHBA-ja që investonte miliarda dollarë për të rimëkëmbur jetën dhe zhvillimin në Korenë Jugore. Tash kjo marrëdhënie është e anasjelltë.

Byroja Ekonomike Amerikane bën të ditur se investimet jugkoreane në SHBA janë rritur për 700% në dhjetëvjeçarin e fundit, kurse ato amerikane në Korenë Jugore për vetëm 250%. Për shembull, në vitin 2012 investimi jugkorean ka qenë 35 miliardë dollarë në SHBA, kurse 24 miliardë dollarë në drejtim të kundërt.
“Amerika erdhi të na ndihmojë gjatë luftës dhe ne e mbajtëm këtu”, shprehet në të qeshur Jeong Kim, ekonomist 44-vjeçar. “Nuk na doli keq, ndoshta”.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...