S’ka më kikirikë, s’ka më “semenke”

25 Tetor 2014 - 10:50 - Adriatik Kelmendi      

Paranoja serbe ishte gjithmonë shqiptari, i cili, një ditë, do të mund të matej me serbin, të konkurronte drejtpërdrejt me të, të provonte ta mundte ose të mundej; shqiptari i cili nuk do të ishte farashitës, ëmbëltorexhi e druvar, por thjesht i barabartë me të tjerët. E shqiptari i barabartë do të thotë edhe fundi i aspiratës serbe për të manipuluar shqiptarin në interes të Serbisë. Fundi i idesë së pushtetit të Beogradit mbi Kosovën.

“KIKIRIKË, "SEMENKE", limonadë e freskët...”

Për mua, këto katër fjalë të shkruara në ballinën e së përditshmes beogradase “Kurir” ia kanë dalë të thonë më shumë sesa qindra e mijëra artikuj, emisione, libra e konferenca për marrëdhëniet shqiptaro-serbe në këta 50 vjetët e fundit.

Të vëna në buzët e Edi Ramës, në prag të vizitës së tij në Beograd, këto fjalë duket se e kanë kapur thelbin e kompleksit serb: Shqiptar, ti mund të jesh edhe kryeministër i një shteti kandidat për në Bashkimin Evropian, por në sytë tanë kurrë nuk mund të jesh më i denjë sesa një shitës farash rrugëve, ëmbëltorexhi, ose druvar!

Zotërinj dhe shërbëtorë

PËRKUNDËR BESIMIT të përhapur ndër shqiptarë, besoj se serbët, historikisht, asnjëherë nuk i kanë urryer më shumë shqiptarët, sesa ta zëmë kroatët, ose sllovenët. Ose, së paku, i kanë urryer njësoj.
Por, derisa popujt e tjerë i kanë parë si konkurrentë të drejtpërdrejtë për të qenë të parët në rajon, shqiptarët nuk i kanë bërë hesap fare.
Për botëkuptimin e gjerë serb (nganjëherë këtë e kanë ndarë edhe disa nga popujt tjerë në ish-Jugosllavi, por marrëdhëniet e shqiptarëve me ta kanë qenë të natyrës tjetër nga ato me serbët) shqiptari është një mish i egër në mesin e popujve sllavë të Jugosllavisë, me gjuhë krejt të ndryshme, religjion tjetër, me fare pak shkollim dhe të lënë jetimë nga një shtet amë të bunkerizuar në vete dhe të armiqësuar me krejt botën.

Dhe si i këtillë, shqiptari edhe pse është përbuzur, megjithatë është parë si diçka beninje dhe është duruar, gjithnjë derisa ky shqiptar ia ka çarë drutë e dimrit, ia ka siguruar bukën taze në furrën e lagjes, ose e ka ëmbëlsuar me akullore e limonada. Pra, teksa ka qenë, sipas tyre, i etabluar dhe në funksion raporti: zotëri - shërbëtor. Kaq.
Ndërkohë, makthi e paniku serb ishte një model tjetër shqiptari. Ai, i cili, një ditë, do të mund të matej me serbin, të konkurronte drejtpërdrejt me të, të provonte ta mundte ose të mundej.
Me një fjalë: shqiptari i barabartë.

Lindja e shqiptarit të ri

“GJUHA SHQIPE nuk është mâ vetëm gjuhë e sharraxhijve, e pastruesve të rrugëve, dhe hamajve e bujqve, por gjuhë edhe e qinda mija nxânsëve të shkollave fillore e t’mesme, të mija, mija studetvet, me dheta profesorëve të fakulteteve dhe gjuha edhe doktorëve të shkencave, inxhinierëve, mjekëve e qytetarëve tjerë akademikë...”.

Këto fjalë të thëna nga Rexhai Surroi, atëbotë si nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, në kohën kur po themelohej Universiteti i Prishtinës, ngërthejnë mrekullisht në vete paralajmërimin për makthin serb.

Ishte viti 1969 dhe po fillonte epoka e shqiptarit të ri. Shqiptarit të arsimuar. Shqiptarit që është kompetent, konkurrues dhe mbi të gjitha – krenar. Shqiptarit që është koshient për të drejtat që i takojnë dhe që nuk heziton të punojë për t’i realizuar ato. Shqiptarit të barabartë.

Secili shqiptar i shkolluar nënkuptonte një hap drejt fundit të autoritetit të Serbisë mbi Kosovën.

Me ndihmën e atyre pak shqiptarëve nga gjenerata që kishin mbaruar studimet në Beograd, Zagreb e gjetiu, tashmë po mundësohej themelimi i Universitetit në Prishtinë e në shqip, nga i cili pastaj ky numër do të shumëfishohej për të zënë pozita udhëheqëse në institucione të tjera dhe për të hapur institucione të reja.
Shqiptari po bëhej zot i vetvetes dhe zot i Kosovës.

Secili mësues shqiptar që punësohej nënkuptonte një mësues më pak serb, secili mjek shqiptar, një mjek më pak serb, secili gazetar shqiptar, një gazetar më pak serb, secili gjyqtar shqiptar, një gjyqtar më pak serb, secili delegat, ambasador a ministër shqiptar, nga një delegat, ambasador a ministër më pak serb.

Pavarësisht se ligji ishte një dhe i njëjti. Por, ligjin e njëjtë natyrshëm e interpretonte ndryshe një mësues shqiptar se një mësues serb, një mjek shqiptar, se një mjek serb, një gazetar, gjyqtar, delegat, ambasador a ministër... Dhe që këta pastaj të punonin që edhe vetë ky ligj të ndryshonte – për të mirë.

Brezi i ri i shqiptarëve të arsimuar e me pozita në ish-Jugosllavi ndikonte që të rritej vetëbesimi te popullata për të kërkuar edhe më tepër – deri te e drejta për të qeverisur krejt vetë me Kosovën. Që Kosova të jetë republikë, që të jetë e pavarur ose që të ketë të drejtë të bashkohet me shtetin amë.

Shqiptari i Kosovës nuk e shihte më veten si shërbëtor.
Shqiptari i barabartë do të thoshte edhe shqiptari që do të kujdeset vetë për veten dhe territorin, i cili beson se i takon, dhe kjo u kuptua krejt qartë nga serbët, teksa filloi të ekzekutohet në praktikë nga Slobodan Milosheviq.

Jo rastësisht Milosheviqi nisi rikthimin e projektuar të pushtetit serb mbi Kosovën, duke goditur shqiptarin e arsimuar, shqiptarin që e shihte të barabartë. Ai mbylli dyert e Kuvendit të Kosovës, por delegatët shqiptarë shpallën Deklaratën Kushtetuese dhe Republikën. Mbylli fakultetet dhe shkollat. Dëboi nga puna të gjithë drejtorët, mjekët, gjyqtarët, policët shqiptarë për të cilët besonte se kishin aq integritet dhe dinjitet sa të mos i bindeshin një pushteti të huaj.

Milosheviqi asnjëherë nuk i dëboi nga vendet e punës shqiptarët që punonin punë teknike. Meqë ata ia kthenin përfytyrimin e preferuar – atë të shqiptarit si shërbëtor. Tashmë, kur në pozitat udhëheqëse kishte vendosur serbët - zotërinjtë (sic!).

Ai e dinte se me shqiptarët që shesin fara rrugëve, me ëmbëltorexhi, ose druvarë kurrë nuk do të trazohej andralla serbe për Kosovën. Ashtu siç e dinte se pa shqiptarët e arsimuar as do të shpallej Kushtetuta e Republika, as do të lindte LDK-ja dhe partitë e tjera, as do të mbahej referendumi për pavarësi e as do të themelohej UÇK-ja...
E të tjerat tashmë i takojnë historisë...

Suksesi si fund i aspiratës

SHQIPTARËT SOT JANË më mirë se kurrë ndonjëherë më parë.
Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE, me një kryeministër që pritet si partner kryesor i Ballkanit në samitet e shteteve më të fuqishme të Perëndimit.

Kosova është shtet i pavarur, e njohur nga demokracitë më të mëdha botërore dhe disa nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, me ambicie që shpejt të jetë edhe në OKB.
Edhe shqiptarët në Maqedoni dhe ata në Mal të Zi e gjetiu janë shumë më mirë se ç’ishin.

Tutje, futbollistët shqiptarë ishin ndër më të dalluarit në Botërorin e futbollit në Brazil.

Rita Ora e Prishtinës sot është këngëtarja kryesore e Britanisë së Madhe dhe ka arritur në muzikën botërore atë që nuk e ka arritur asnjë këngëtare nga rajoni.

Majlinda Kelmendi e Pejës është kampione e dyfishtë e botës në xhudo.

Ismail Kadare është shkrimtari i gjallë i rajonit me më së shumti çmime të rëndësishme letrare në botë dhe kandidat i përhershëm për “Nobel”.

Rene Rexhepi ka disa vite që shpallet kuzhinieri më i mirë i botës.
Shqiptarët jo më që nuk janë farashitës, ëmbëltorexhi dhe druvarë, por janë duke u ndier të barabartë, duke konkurruar në çdo fushë, e nganjëherë edhe duke i mundur të tjerët në rajon.

Kjo është edhe arsyeja se përse ideja e humbjes së ekipit futbollistik serb në mes të Beogradit nga një ekip shqiptar është parë shumë më tepër se sa vetëm sport.

Kjo është edhe arsyeja përse vizita e Edi Ramës në Beograd shihet si diçka shumë më e madhe se sa vizitat e burrështetasve të tjerë.
Kjo është edhe arsyeja përse vizita e presidentes Atifete Jahjaga dhe vizita e ministrave nga Kosova do të jenë krejt të ndryshme nga vizitat e cilitdo udhëheqës nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia.
Këto përfundimisht do të vendosin raportin e barabarësisë në mes të shqiptarëve dhe serbëve.

Dhe shqiptari i barabartë do të thotë edhe fundi i aspiratës serbe për të manipuluar shqiptarin në interes të Serbisë.

Fundi i idesë së pushtetit të Beogradit mbi Kosovën.
Sa më parë që të kuptohet dhe të pranohet ky realitet, aq më shpejt do të ndodhë pajtimi, normalizimi dhe përparimi i rajonit.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...