Stiker marrëveshje për stiker dialog

1 Tetor 2016 - 09:37 - Adriatik Kelmendi      

Marrëveshja e fundit e palogjikshme për targat na ridëshmon se dialogu në Bruksel ka rënë në derexhe të thellë dhe kërkon riformatim urgjent. Gabimet miope, që po ndodhin kohëve të fundit atje, mund t’i kushtojnë shtrenjtë Kosovës dhe absolutisht nuk mund të mbulohen me asnjë lloj stikeri.

“E ÇKA NËSE stikeri bie nga targa… A do të më dënojë policia?!”. Kjo pyetje e një qytetari me sens sarkazmi përshkruan mjeshtërisht derexhenë, në të cilën është katandisur dialogu Kosovë-Serbi viteve të fundit.

E vërtetë, s’ke se si të mos bëhesh sarkastik, kur flet edhe për marrëveshjen më të fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për qarkullim të penguar. Po, po, qarkullimi i lirë është larg prej të realizuarit, ndonëse për gjashtë vjet dialog, kemi nja 6-7 marrëveshje të ashtuquajtura për qarkullim të lirë, të cilat vetëm sa ndryshojnë nuancat në atë që në të vërtetë është qarkullim i penguar.

Gjetja e fundit – ta-na-na-na! – stikeri. Pra, targat e Kosovës RKS, me të cilat do të hyhet në Serbi mund ta mbulojnë me letërngjitëse akronimin, njëjtë siç do të bëjnë tash targat e Serbisë, të cilat do të hyjnë në Kosovë.

Reciprocitet, u tha.
I njëjtë si i Greqisë dhe Maqedonisë, u qartësua.
Më nuk do të duhet që kosovarët të pajisen me targat “proba” të Serbisë, na u kërkua të gëzoheshim.
Taaaaaash! Çka nuk na u tha është se edhe me herën e 6 ose të 7, kur u trumbetua se u arrit marrëveshja për “qarkullim të lirë”, qarkullimi mbetet i penguar në disa rrafshe.

SHUMË E LEHTË do të jetë për një veturë me targa të Serbisë të hyjë e të qarkullojë nëpër Kosovë me targa të Serbisë të mbuluara me stiker. Askush nuk do ta kthejë as kokën e lëre më madje të tentojë që t’u bëjë ndonjë dëm personave që udhëtojnë me atë makinë ose makinës vetë, meqë thjesht – me targa të njëjta fare të pambuluara kanë qarkulluar asnjëherë pa ndërprerë automjetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

Njëjtë, megjithatë, nuk ka ndodhur dhe as që pritet të ndodhë me automjetet me targa RKS, që do të duan të udhëtojnë nëpër Serbi, ose për t’u ndalur aty, ose për të vazhduar rrugëtimin nëpër Evropë. Banorët serbë të Kosovës deri më tash ose kanë përdorur targat serbe edhe brenda Kosovës (përfshirë ato me akronime të qyteteve kosovare, ndonëse të shpallura të jashtëligjshme me shumë marrëveshje të mëparshme), ose kanë përdorur të mëparshmet me akronimin KS. Kjo i bie që me targa RKS të mbuluara me stikerë nëpër Serbi mund të kalojnë vetëm shoferët shqiptarë dhe do të jetë e njëjtë sikur që mbi targa në vend të stikersit të shkruhet “shqiptar”, ose “Republika e Kosovës”.

Me këtë marrëveshje të gjithë këta shoferë do të jenë një pre lehtë e dallueshme, të rrezikuar qoftë personalisht ose me automjete të rrezikuara. Kush do ta sigurojë një trim me targa RKS me stikerë që do të parkohet diku në Kragujevc, ose Kralevë, se nuk do t’i vandalizohet vetura, ose nuk do të sulmohet vetë? Sigurisht jo as Tahiri, as Gjuriq, as Mogherini.

Tjetra, veturave me targa të qyteteve kosovare, të cilat vazhdojnë të qarkullojnë në mënyrë të jashtëligjshme kryesisht në veri, i është zgjatur afati i përdorimit edhe një herë. Për një vit, u tha. Kush e mban mend sa herë është zgjatur deri më sot ky afat? Kush do të sigurojë se nuk do të zgjatet sërish? Fundi i fundit – pse të zgjatet jashtëligjshmëria?!

Tutje, targave KS u është zgjatur vlefshmëria edhe për 5 vjet? Kjo i bie se kushdo që dëshiron të udhëtojë nëpër Evropë, nëpërmjet Serbisë, do të detyrohet që t’i marrë këto targa. Njëjtë do të bëjnë edhe serbët, por edhe shqiptarët e Kosovës. Reciprocitet?! A nuk i bie se Kosova, për shkak të politikave të Beogradit, po detyrohet që t’i mbajë tri lloje të targave në qarkullim, derisa Serbia do t’i ketë vetëm një lloj, si gjithmonë?!

Dhe e fundit, me këtë harxh, edhe me këtë marrëveshje u dështua që të njihen targat diplomatike të lëshuara nga Ministria e Jashtme e Kosovës për misionet diplomatike. Ky është edhe një turpërim që ia bën Beogradi Prishtinës, dhe e detyron që të atë ta shpallë si fitore për Kosovën.
Reciprocitet?! Më mirë po e lëmë krejt!

MIRËPO, EDHE PSE këto zgjidhje duken absurde, ende nuk kemi arritur tek absurdi kryesor.
Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Gjuriq, ka deklaruar se marrëveshja për targa nuk vlen për veriun e Kosovës. Këtë deri më sot nuk e ka demantuar askush në Kosovë. Nëse mbetet sipas fjalëve të Gjuriqit, kjo lirisht mund të shpallet si marrëveshja më e dëmshme që ka arritur Prishtina ndonjëherë në dialogun me Beogradin, meqë për herë të parë pranohet zyrtarisht që në një pjesë të territorit të Republikës të vlejnë rregulla të tjera nga tërësia e shtetit. Ose edhe më saktë, për herë të parë zyrtarisht veriu trajtohet nga Prishtina si entitet në vete, ku suspendohen ligjet e Republikës së Kosovës. Ky lëshim, nëse mbetet i tillë, nënkupton precedentin më të rrezikshëm deri më tash – ndarje me marrëveshje - i cili mund të ketë efekt domino edhe në raste të tjera.

Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli do të jenë direkt përgjegjës për këtë fillim të ndarjes së veriut nga pjesa tjetër e Kosovës.
Me këtë logjikë, dialogu në Bruksel me urgjencë duhet riformatuar. Gabimet miope që po ndodhin kohëve të fundit atje mund t’i kushtojnë shtrenjtë Kosovës dhe absolutisht nuk mund të mbulohen me asnjë lloj stikeri.
Ka kohë që stikerët e dialogut Kosovë-Serbi kanë rënë rrugës.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...