Luftoje zjarrin me zjarr

14 Qershor 2014 - 08:46 - Adriatik Kelmendi      

Nuk mund të thuhet me qartësi se si do të zhvillohet situata saktësisht tash pas Marrëveshjes opozitare. Mirëpo, një situatë duket të jetë më e qartë: në secilin variant të zhvillimit Thaçi e ka gati të pamundur të jetë kryeministër në mandatin e ardhshëm qeveritar

PARTITË OPOZITARE kosovare ia dolën që një dështim katastrofal zgjedhor ta kthejnë në sukses të projektuar paszgjedhor. Kjo manovër 180 shkallësh ndodhi me një shpejtësi prej më pak se 30-orësh, prejse e kishin kuptuar se ishin mundur keqas në zgjedhje nga partia që kishte udhëhequr vendin edhe në dy mandatet e kaluara.

Si ndodhi?
Besoj se të tre liderët opozitarë, Mustafa, Kurti e Haradinaj, më në fund e prekën realitetin e hidhur - se pa qenë të bashkuar vështirë ta ndërrojnë Thaçin. Dhe atë që për shkak të egove dhe iluzioneve të madhështisë së vetvetes dhe partive të tyre nuk ia dolën që të organizoheshin në frontin e përbashkët opozitar për ndryshim. (Për Limajn, prit fundin e shkrimit)

Në mbrëmjen e 8 qershorit e kuptuan se populli i kishte treguar secilit veç e veç se sa vlen dhe se ku e ka vendin. Fatmirësisht, u esëlluan!

Ata, dhe jo populli (siç po dëgjojmë tendenca te disa individë brenda partive të pakënaqura me rezultatet), dështuan për ta çuar në vend vullnetin për ndryshim. Populli votoi me gati 70 për qind për ndryshim, por partitë ia dolën që ta përpjesëtojnë këtë vullnet, i cili u shfrytëzua pastaj nga PDK-ja për të dalë e para.

Për më tepër, partitë opozitare si lëvizja “Vetëvendosje!” dhe AAK-ja nuk ia dolën as të rriteshin krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, me gjithë aktivitetin opozitar disavjeçar, me konsolidim të brendshëm, prurje të kuadrove cilësore e me investime në shumë anë. Edhe pse “Vetëvendosje” ka dalë me një për qind më shumë vota sesa në zgjedhjet e vitit 2010, ky rezultat mund të interpretohet edhe si rënie, duke pasur parasysh pretendimin e tyre (sigurisht legjitim) se në zgjedhjet e kaluara ishin dëmtuar për 6-7 për qind si pasojë e asaj që u quajt vjedhje industriale e votave.

Kurse Mustafa e pa se jo vetëm që nuk e rikuperoi humbjen e Prishtinës, por për të dytën herë në krye të LDK-së po pëson disfatë kundrejt Thaçit.

Pra, që të tre liderët opozitarë e kuptuan kaçikun e tyre dhe përfundimisht vendosën të bashkohen në një burjan.

NUK MUND TË thuhet me qartësi se si do të zhvillohet situata saktësisht tash pas Marrëveshjes Mustafa-Haradinaj-Limaj për koalicion të ri, me mbështetjen fillestare të Kurtit. Mirëpo, një situatë duket të jetë më e qartë: në secilin variant të zhvillimit Thaçi e ka gati të pamundur të jetë kryeministër në mandatin e ardhshëm qeveritar. Në qoftë se asnjëri nga katër liderët opozitarë nuk luan nga qëndrimi i dakorduar, atëherë në të gjitha variantet duket se do të kemi një qeveri nga opozita e tashme, me Haradinajn si kryeministër.

Kjo mund të bëhet në së paku tri variante.
Në të parin, PDK-ja duke e pranuar si akt të kryer koalicionin e dakorduar të opozitës dhe duke dalë në opozitë.

Në të dytin, duke mos e pranuar dhe duke kërkuar interpretim të Gjykatës Kushtetuese, kur e njëjta i jep të drejtë opozitës.
Në të tretin, duke mos e pranuar dhe duke kërkuar interpretim të Gjykatës Kushtetuese dhe e njëjta duke i dhënë të drejtë PDK-së, e cila pastaj, në pamundësi të sigurimit të 61 votave, do ta çojë vendin në zgjedhje të reja, ku një koalicion parazgjedhor i opozitës do të kishte gjasat gati absolute të fitonte dhe ta formonte Qeverinë.

BASHKIMI I OPOZITËS, ndonëse i vonshëm, e ka edhe një të mirë tjetër. Ai përfundimisht do të ndikojë që subjektet politike të bashkohen njëra me tjetrën - përgjithmonë, ose para zgjedhjeve - në mënyrë që të krijojnë dy blloqe ofertash.

15 vjet pas luftës, me zgjedhjet e 8 qershorit, përfundimisht u bë e qartë se në Kosovë ka dy lloje të partive. PDK dhe LDK që gjithnjë i marrin mbi 22 për qind të votave e tutje, si dhe të tjerat me nën 14 për qind. “Vetëvendosje!”, AAK, AKR, LDD, ORA, FER, PD, LB etj., të gjitha e kanë provuar - ndonjëra për kohë më të gjatë e ndonjëra për më të shkurtër - por deri më tash maksimumi që është arritur është nën 14 për qind.

A mund të bëhen ndryshime shoqërore vetëm me përkrahjen e më pak se 14 për qind të elektoratit? Vështirë! Por, mund të përdoren si përkrahje e mjaftueshme për t’u bashkuar me subjekte të tjera, që në grup të paraqesin alternativa.

Së këndejmi, ngjarjet e 30 orëve të para të pas 8 qershorit duket të kenë mjaftuar për të krijuar një spektër krejt të ri në skenën politike kosovare, të atillë që mund të rrisë efikasitetin, si të koalicioneve qeverisëse, ashtu edhe të atyre që mbesin në opozitë.

Më s’do të ketë asnjë kuptim që më shumë sesa tri parti ose koalicione partish të marrin pjesë në zgjedhje, por në secilën situatë, detyrimisht dy partitë me rezultatet e përhershme mbi 22 për qind të mos jenë brenda një bashkimi/koalicioni parazgjedhor.

NË FUND, DUHET ta pranojmë se këto zgjedhje patën dy fitues.
Njëri natyrisht duke marrë numrin më të madh të votave, Thaçi, e tjetri, duke e kaluar pragun, Limaj.

Po të mos e kalonte “Nisma për Kosovën” pragun zgjedhor, vështirë të mund të bëhej bashkimi i opozitës.

Në anglishte ka një proverb – luftoje zjarrin me zjarr. E duke e ditur rolin që e ka pasur pikërisht Limaj, e edhe Jakup Krasniqi, në krijimin e bllokut opozitar, i bie se vetëm një ish-PDK-ist e di se si të ndërtohet një plan për ta mposhtur një PDK të pamposhtur.

Duhet t’u njihet krediti!

[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...