27 Gusht 2016 - 15:01 - Adriatik Kelmendi
EFEKTI I 11 shtatorit, “luftës ndaj terrorit” dhe ballafaqimit të sotëm me grupet terroriste që zotërojnë territore të mëdha, siç është “Shteti Islamik”, ka bërë që qytetarët dhe qeveritë të brengosen shumë më tepër për sigurinë në vendet ku jetojnë dhe së këndejmi të marrin masa rigoroze për t’u mbrojtur.
Organizata Human Rights Watch (Human Rights Watch, “In The Name of Security: Counterterrorism Laws Worldwide since September 11”, raport i vitit 2012, i qasshëm në https://www.hrw.org/sites/default/files/reports/global0612ForUploadFinal.pdf) ka vërejtur se para sulmeve të 11 shtatorit, vetëm 51 shtete kanë pasur të miratuara ligje kundër terrorizmit. Pas sulmeve e deri në vitin 2012, ky numër kishte shkuar në mbi 140, një fenomen që ka ndodhur në masë edhe me ligjet që dënojnë bashkimin e qytetarëve të shteteve përkatëse për pjesëmarrje në luftërat në vende të tjera.
“Këto ligje të pas 11 shtatorit, nëse shikohen si tërësi, përfaqësojnë një rritje të madhe dhe të rrezikshme të të drejtave të marra nga qeveritë, të cilat mund të hetojnë, arrestojnë, paraburgosin dhe persekutojnë individët në dëm të proceseve të mbikëqyrjes juridike dhe transparencës publike”.
(Human Rights Watch 2012)
Sakaq, sulmet e kryera nga ekstremistët e dhunshëm dhe terroristët islamikë në shtetet e “qytetërimit perëndimor” kanë ndikuar në ndarjet e thella etnike e fetare, në disponimin politik të popullatës, në disa raste në ndërrimin e qeverive dhe në përgjithësi në rritjen e ksenofobisë dhe popullaritet të partive politike që avokojnë politika kundër të huajve, veçanërisht myslimanëve.
SE AKTET TERRORISTE ndikojnë në prioritetet e qytetarëve dhe politikanëve për të parën herë u pa qartazi pas sulmeve në Madrid, më 11 mars 2004, tri ditë para datës së zgjedhjeve në Spanjë. Deri në ditën që la të vdekur 191 persona - përgjegjësinë për të cilën e mori e ashtuquajtura brigada e Abu Hafs al Masrit në emër të al Qaedas - në sondazhe bindshëm printe Partia Popullore në pushtet; mirëpo zgjedhjet i fitoi Partia Socialiste që ishte në opozitë, meqë qytetarët i fajësuan pushtetarët për vendimin që Spanja të përfshihej në “luftën ndaj terrorit”. Terrorizmi, kombinuar edhe me flukset e imigrantëve nga Lindja e Mesme si pasojë e luftërave atje, janë përmendur edhe si faktorë kryesorë për ato që u quajtën rezultate befasuese në zgjedhjet e vitit 2014 për Parlamentin Evropian, kur votuesit evropianë, si asnjëherë më parë, zgjodhën t’ua japin votën partive ekstreme nacionaliste, disa prej të cilave me politika radikale raciste, antiimigrim e anti-BE, aq sa cilësohen edhe si fashiste e neonaziste.
Në Francë dhe në Britani të Madhe – dy ish-shtete kolonialiste dhe shtete me numrin më të madh të imigrantëve – partitë ekstremiste kishin marrë përqindjen më të madhe të votave, duke i lënë pas partitë e tjera, përfshirë ato në pushtet.
Fronti Kombëtar i Mariene Le Pen në Francë kishte fituar plot 25 për qind të votave, teksa Partia e Pavarësisë e Britanisë së Madhe (UKIP) e Nigel Farage kishte mbledhur 27.5 për qind të votave, duke bërë që në ishull tashmë katër subjekte politike të llogariteshin si “të mëdha”. Njësoj rritje të votave për parti ekstreme ka pasur edhe në Greqi, Hungari, Danimarkë, Austri, Holandë, Finlandë, Itali, teksa një ulëse e ka marrë edhe në Gjermani për herë të parë Partia Nacional Demokratike, lideri i së cilës Udo Voigt e kishte quajtur Hitlerin “një njeri i madh” dhe ka për maksimë sintagmën shumë domethënëse “Mbushe gaz” (Kelmendi, Adriatik, “Kosovës s’i intereson Evropa”, botuar në KOHA Ditore, 29 maj 2015, e qashshme në http://koha.net/?id=31&o=155).
Efektet e frikës ndaj “tjetrit” besohet t’i kenë shtyrë edhe votuesit e Mbretërisë së Bashkuar që më 23 qershor të vendosin të dalin nga Bashkimi Evropian, në referendumin e pagëzuar BREXIT, me gjasat në rritje që për arsye të ngjashme të ndodhë në të ardhmen edhe një FREXIT (Franca), NEXIT (Holanda) etj.
Retorika e ashpër për “politikën e butë të Presidentit Obama ndaj terrorizmit islamik” dhe premtimi se SHBA-ja do t’i mbyllë dyert për myslimanët, bëri që Donald Trump, nga një autsajder i pashpresë, të bëhet zyrtarisht kandidat i emëruar i Partisë Republikane për President të SHBA-së, me gjasa që edhe të fitojë.
Këto raste paraqesin brumë të mjaftueshëm për të konkluduar se disa qytetarë të “qytetërimit perëndimor” kanë filluar të frikësohen shumë nga disa qytetarë të “qytetërimit Islam”. Por, a do të çojë kjo në përplasjen e pashmangshme të paraparë nga Huntington?
DUKET SE 15 vjet pas 11 shtatorit ne – bazuar në ato që dëshmuan bashkërisht – do t’ia dalim mbase më lehtë ta kalojnë edhe këtë tentim-plojë botërore, nëse së shpejti do të fillojmë të mendojnë se çka i bashkon njerëzit më parë sesa çka i ndanë. Për ta arritur këtë, ndoshta do të duhej konsideruar se ne po jemi dëshmitarë të fazës së parë të procesit që fillimisht do t’i afrohej më pranë një përkufizimi të qartë se cilat janë qytetërimet, dhe vetëm pastaj të krahasohen efektet e tyre me përcaktimet e tjera të mëdha në historinë tonë, të cilat kanë çuar në lindjen e shteteve kombëtare dhe ideologjive të mëdha.
Gjatë disa qindra vjetëve që çuan në Luftën e Dytë Botërore, ballafaqimi në mes të shteteve kombëtare brenda “qytetërimit perëndimor” ishte lloji dominant i luftërave në botë, teksa në shekullin XX doli në pah konfrontimi në mes të ideologjive (Sato 1997). Tash kemi një lloj tjetër të luftës - atë ku koalicionet e shteteve kombëtare po i luftojnë organizatat, ose rrjetet terroriste, të cilat po tregohen të afta për të vrarë qindra e mijëra njerëz brenda disa orëve, në mënyrë që të arrijnë qëllimet e tyre. Është e vërtetë se koalicionet kundër terroristëve udhëhiqen nga “shteti bazë” i “qytetërimit perëndimor”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe “terroristët” vijnë nga disa nga shtetet më të rëndësishme të “qytetërimit Islam”, por bota sot është shumë më e komplikuar se sa këto përkufizime, në mënyrë që të zhytej në një betejë të hapur të përplasjes së gjithëmbarshme të këtyre “qytetërimeve”.
Në këtë rrafsh, marrë parasysh gjithçka u tha deri më tash, e vetmja gjë që mund të konstatohet me më shumë siguri është fakti se me ngjarjet që zunë fill me sulmet e 11 shtatorit në SHBA, ne po dëshmojmë një botë gjithë e më të polarizuar. Duket se njerëzit sot po e gjejnë identitetin e tyre shumë më të rëndësishëm sesa më parë. Ky fakt do të ndikojë që njerëzit të jenë më pak tolerantë kundrejt njerëzve me identitete të tjera – konstelacion i cili do të vazhdojë të prodhojë spirale të dhunës dhe të kërcënojë sigurinë ndërkombëtare, të mbjellë frikë dhe pasiguri. Frika e pasiguria mund të marrin fund vetëm kur të marrë fund urrejtja. E urrejtja ndaj tjetrit do të shteret në kohën kur nuk do të ekzistojë më frika, njësoj siç nuk do të ketë hapësirë për frikë – kur të mos ketë më urrejtje. Për sa kohë njerëzit nuk do të bëjnë përpjekje ta njohin më mirë “tjetrin”, do t’ua lënë derën hapur atyre që do ta keqpërdorin edhe frikën e edhe urrejtjen, për të na bërë të gjithëve të jetojmë – në pasiguri.
(Fusnotat dhe literaturën/referencat, në variantin e botuar në “Koha Ditore)
(F u n d)
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...