23 Prill 2016 - 08:28 - Adriatik Kelmendi
NGJARJET E shtatë-tetë muajve të fundit në Kosovë, nëse dinë të lexohen, mund të shërbejnë si leksione të pazëvendësueshme të emancipimit dhe kthjelltësisë politike.
Janë disa leksione të pamohueshme që do të duhej të merreshin parasysh.
E para, u tregua se ka kaluar koha kur për shkaqe të arritjes së objektivave të mëdha e politike, që thuaja gjithmonë mbështillen me kompromise, duhet që të bëhet një koalicion gjigant i dy subjekteve më të mëdha politike.
E dyta, se kompaktësia qoftë në pushtet, qoftë në opozitë, është vështirë e menaxhueshme për kohë të gjatë, në qoftë se është produkt i rrethanave ad hoc dhe jo i marrëveshjes së mbështetur në ideologji, program e personalitete.
E treta, se ka pakënaqësi të theksuar në mesin e qytetarëve me të gjitha subjektet aktuale politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe se ka distancime edhe në mesin e vetë deputetëve të subjekteve politike.
Këto, si dhe leksione të tjera eventuale, mund të shfrytëzohen tash për të ditur si të ecet tutje në ofertën politike.
NËSE SHKOJMË me radhë, për këta muaj u pa nga opozitarizmi “i pakicës” se megjithatë jo gjithçka mund të kalohet vetëm duke pasur dy të tretat e votave në Kuvend. Tri herë deri më tash Kosova ka pasur koalicione të mëdha. Herën e parë me bashkëqeverisjen LDK-PDK-AAK, pastaj në prag të shpalljes së pavarësisë PDK-LDK dhe prapë me të njëjtin koalicion tash kur duhej vendosur për çështje të dialogut me Serbinë dhe Gjykatën Speciale.
Kësaj radhe - si t’i binte e treta e vërteta – LVV, AAK e NISMA dëshmuan se një opozitë e vogël në numra, për shkak se do të ndihet e pafuqishme me vota në Kuvend, do të zgjedhë rrugë jokonvencionale për të kundërshtuar mazhorancën në vendimet që ata i vlerësojnë të padrejta.
Në situatën tjetër, me çarjen e Opozitës së Bashkuar, leksioni është se secili muaj mjalti e ka ditën e fundit të magjepsjes dhe përballjen me erën e këmbëve. E era e këmbëve në këtë kontekst është ambicia legjitime e subjekteve të mëvetësishme për pushtet dhe shtyrje të interesave ideologjike e kadrovike përpara. Kjo, siç u pa, bëri që edhe pas suksesit relativ të Opozitës së Bashkuar, atyre t’u bjerë kondicioni në momentin kur hapet tema e hapave të ardhshëm të përbashkët nga pozicioni i ndarjes së pushtetit.
Si rezultat kemi ngarendjen e LVV-së në njërën anë që të paraqesë atë që po e quan “Alternativa” si bosht i opozitarizmit, e në anën tjetër koalicionin AAK-NISMA me të njëjtin qëllim, për të dëshmuar se megjithatë ata bashkë kanë shumicën e votave nga zgjedhjet. Nëse kjo ndarje në shikim të parë shihet si dobësim i opozitës, në një kontekst tjetër mund të jetë e kundërta – fuqizim. Meqë edhe dy blloqet opozitare nuk do ta kenë me komoditetin që sjell “fronti i përbashkët”, por do të luftojnë më shumë për t’u imponuar si alternativa ndaj stilit qeverisës PDK-LDK.
Ky imponim do të duhej të sillte edhe koncentrim më të madh në detektimin e gabimeve të Qeverisë, ofrimin e alternativave konkrete dhe ofrimin e individëve të projektuar për ta sjellë ndryshimin pozitiv pas zgjedhjeve. Në këtë aspekt do të duhej pritur që LVV e edhe koalicioni AAK-NISMA të punojnë më tepër për t’u dalluar si nga Qeveria ashtu edhe nga njëra-tjetra.
Së fundi është edhe situata e krijuar, ku të pakënaqurit brenda subjekteve ekzistuese politike, bashkë me njerëz deri më tash të papërfshirë politikisht, do të fillojnë të punojnë për të formuar parti të reja politike. Lëvizje të këtilla konkrete tashmë duket se kanë filluar dhe do të jenë interesante të shihen javët dhe muajt në vazhdim se në çfarë formash dhe programesh mund të na prezantohen.
JASHTA GJITHË këtyre që u thanë më sipër, ka edhe një trend tjetër si leksion të filluar nga partitë politike. Ka të bëjë me shprehjen e parapëlqimeve të tyre për koalicione paszgjedhore, duke hequr në masë të madhe vijat e kuqe që janë përdorur kryesisht joparimisht deri më tash.
Së këndejmi shohim se edhe LVV flet për koalicion të mundshëm edhe me një LDK pa Isa Mustafën.
AAK e NISMA po ashtu nuk përjashtojnë mundësinë e koalicionit paszgjedhor me PDK-në pa Hashim Thaçin.
Njëlloj, LDK-ja dhe PDK-ja janë treguar më të rezervuara deri më tash në këtë aspekt, duke lënë të hapur mundësinë që të bëjnë koalicione me secilin subjekt politik.
Kjo sërish në vetvete nuk është diçka negative. Për më tepër, ia heq një element të lehtë manipulimi nga dora e subjekteve politike dhe i nxit ato që të reformohen në të gjitha kontekstet, në mënyrë që t’i grishin votuesit me gjërat që premtojnë t’i bëjnë e jo vetëm me ato që nuk do t’i bëjnë.
E të thuhet se çka do të bëjnë, dhe që ajo që do të bëjnë të ndikojë pozitivisht në jetët e qytetarëve, gjithmonë është më e vështirë.
Por, siç u pa, tashmë asgjë nuk mund të fitohet me lehtësi në Kosovë.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...