10 Maj 2014 - 09:00 - Adriatik Kelmendi
GJASAT JANË TË MËDHA që fushata, e cila tashmë do të ketë filluar (jozyrtarisht) në momentin që ju po i lexoni këto radhë - të jetë më e egra, dhe njëkohësisht, më së paku përmbajtjesorja që e kemi parë deri më tash. Kjo, në qoftë se në ndonjë mënyrë radikale nuk mund të kthehet mbrapshtë, në kuptimin pozitiv, ajo që kemi parë në këto dy-tri javët e fundit.
Politikanë, të cilët sillen si të ishin në prag të thyerjes nervore, me nervozizëm kaplohen në debate shterpe e jo të sinqerta, të frikësuar se po iu ikën treni që do t’i çojë drejt ulëseve të reja në Kuvend, ose vendi në Qeveri.
Gjuhë e ulët dhe vulgare, e padenjë edhe për kafehanet më të ndyta, pamë të shpërthejë këto ditë nga shumica e atyre që pretendojnë ta udhëheqin këtë vend, ta rrisin mirëqenien e qytetarëve të këtij vendi, gjithnjë duke u paguar me taksat që qytetarët e këtij vendi ua sigurojnë.
Që të gjithë i druhen ndëshkimit të votuesit, ndëshkim me votë, i cili mund ta ndryshojë rrënjësisht të ardhmen e tyre si liderë politikë ose si subjekte politike.
Pse janë nervozë liderët?
PDK-ja E KA TESTIN e madh nëse do t’ia dalë që ta amortizojë daljen e Limajt e të Krasniqit nga partia, si dhe të kompensojë gabimet në qeverisje e ato të dialogut me Serbinë, në mënyrë që edhe një herë të dalë subjekti i parë në zgjedhje. Sa do t’i kushtojnë këto Hashim Thaçit, i cili gjithë barrën e parafushatës e ka marrë mbi vete, kështu që edhe faturën e dështimit do ta ketë më të madhe? Si do të ndikojë Gjykata Speciale e bazuar në Dick Martyn, në kredibilitetin e tij brenda vetë partisë?
LDK-ja e ka momentumin të jetë apo të mos jetë, si në Qeveri ashtu edhe në këtë përbërje si subjekt politik. Isa Mustafa në qoftë se nuk ia del t’i fitojë këto zgjedhje, e ka të sigurt pensionimin politik, por pyetja miliondollarëshe është kush do ta zëvendësojë në krye të partisë! A do të ketë fuqinë ai që, hipotetikisht, do ta merrte drejtimin e partisë më të vjetër kosovare të evitonte egot e të tjerëve pretendues, apo do të shihnim reprizën e Kuvendit VI famëkeq, kur doli grupi i Dacit?
“Vetëvendosje!” a do të vazhdojë rënien që e pamë në zgjedhjet komunale, apo do të ketë fitore triumfale si Shpend Ahmeti në Prishtinë. A do të arrijë të jetë në mesin e tri partive të para? Apo përfundimisht fitorja në Prishtinë do të vazhdojë të jetë arritja më e madhe e subjektit edhe deri në zgjedhjet pas tre-katër vjetësh? Si do të ndikojë kjo në binomin Kurti-Ahmeti dhe në profilizimin e vetë “Vetëvendosjes!”?
Përfundimisht, ku e sheh votuesi AAK-në? Në zgjedhjet lokale subjekti i Ramush Haradinajt ia doli që të ruante strukturën e tij votuese, por kjo nuk mjaftoi që t’i ruante edhe bastionet e tyre politike në Dukagjin. A do të ketë fuqi dhe kredibilitet Haradinaj të vazhdojë të udhëheqë partinë, nëse dështon që të shënojë rritje substanciale, ose të jetë e përfshirë në Qeveri, pas kaq shumë vjetësh në politikë?
AKR-ja a do të befasojë si në rastin e Mitrovicës, a do të jetë e suksesshme si në Gjakovë apo do ta mbyllë dyqanin politik? Behgjet Pacolli, nga kërkesa për t’u bërë president, a do të mjaftohet vetëm me hyrjen në Kuvend?
Dhe, përfundimisht, ku do të jenë Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj pas këtyre zgjedhjeve? Në shtëpi apo në institucione?
Kësaj radhe – mos t’ ju mashtron kush! – fituesit e humbësit nuk do të mund të parashikohen as përafërsisht. Sa mund të na kenë befasuar rezultatet e zgjedhjeve lokale, gjasat janë që të befasohemi edhe më tepër kësaj radhe. Apo, s’ka kuptim fare për ta futur nocionin “befasi” në një shkrim të këtillë parazgjedhor?!
Na kurseni nga debatet shterpe
NËSE DIKUSH menjëherë pas luftës do të më tregonte se në vitin 2014 Kosova po varet nga disponimi i serbëve për ta bërë ushtrinë, dy arsye do të më shkonin në mend: Ose Serbia na paska mundur në luftë (pas fitores më 1999), ose Kosova paska dështuar si shtet.
Mirëpo, duke e jetuar vetë 2014-n, mund të themi se asnjëra prej këtyre nuk është plotësisht e vërtetë, ndonëse ka elemente të të dyjave (por, për këtë ndoshta ndonjëherë tjetër). Kosova dështoi ta miratonte transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, pikërisht për shkak se momentumi ishte përzgjedhur për të pasur efekt zgjedhor dhe jo për të dhënë rezultatin e dëshiruar. Kjo pastaj edhe futi në kombinim çështjen e ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë, në mënyrë që gjithçka të çohet në erë tash për tash.
Në anën tjetër, në vend se të ofrohen, të shiten e të blihen shtëpi të politikanëve ndërmjet vete, për të treguar se sa milionë njëri i ka e tjetri nuk i ka, a s'do të ishte më mirë të shikohet se cila është GDP-ja e qytetarëve të Kosovës, votuesve të tyre? Pse është ajo më e ulëta në këtë pjesë të botës dhe përse për shumë e shumë vjet në qeverisje nuk ia kanë dalë që të njëjtit ta rrisin atë, kurse tash flasin për pasuritë personale?
Ose, të shohim krekosjen në njërën anë të përfaqësuesve të një subjekti politik për një udhëtim fare pak të rëndësishëm në SHBA, dhe sharjen me nënë të oponentëve politikë për shkak se nuk po mund të pajisen me viza! Dhe e gjithë kjo në shtetin e fundit në këtë pjesë të botës pa liberalizim vizash!
E qartë, nervat e politikanëve mund të jenë në tetik. Në tetik mund të jetë e ardhmja e tyre politike. Por në qoftë se ka mbetur një pjesë e çiltërsisë së tyre, nëse vërtet ka të atillë që janë në politikë jo për të zënë nga një vend për vete, por për të kontribuuar në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e Kosovës – atëherë populli nuk ua ka borxh shfrimin e komplekseve të tyre me debate e sharje shterpe.
Mos të përdoret FAK-u, ulëset e rezervuara, shtëpitë personale, udhëtimet, izolimi e të tjera të ngjashme si këto, për të fituar pikë të lira politike gjatë fushatës parazgjedhore, ashtu siç po jepen sinjalet e para.
Kosova sot është në vend të fundit për Evropë, në masën më të madhe, për shkak të dështimeve të klasës së saj politike. Vizioni, angazhimi, programet, projektet dhe njerëzit e përkushtuar mund të bëjnë diçka për ta ndërruar trendin negativ.
I lusim ata që do të na e kërkojnë votën të na flasin pak më tepër për vizionin, angazhimin programin, projektet dhe njerëzit që i kanë, për ta bërë të mundur shpresën e këtij vendi për të pasur një të ardhme të ndritshme.
Kopallat t’i mbajnë për vete!
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...