2 Korrik 2016 - 08:50 - Adriatik Kelmendi
KOSOVA E KËTYRE ditëve, sidomos në raport me shtetin që nuk na njeh, Serbinë, i ngjan asaj veturës me bulona të çliruar, së cilës i bien pjesët rrugës. Pa kujdesin e shoferit, gjasat e mëdha është që do të mbetet në mes të rrugës.
E problemi këtu është se vetëm shofer të zotin nuk po e gjejmë asnjë.
Pushtet e opozitë duken të humbur që qorrsokak.
Qeveria ka kohë që jep shenja se nuk po ka ide sesi të ecën përpara për të thyer destruktivitetin e Beogradit dhe të të instaluarve të tyre në Kosovë përmes Listës Serbe. Dështimet e tyre të kohëve të fundit në dialogun në Bruksel dhe në integrimin e serbëve kosovarë, flasin për dështimin e shtetit.
Teksa opozita, për shkak të veprimeve të dobëta improvizuese në këtë drejtim, po krijon hapësirë që ky pushtet i ngathtë të jetë edhe më dëshpërues.
Me një situatë ilustruese, pushtet e opozitë kanë zënë n’thue në shkronjën H.
Derisa Qeveria ndodhet në huti dhe në vend se ta çojë flamurin e Kosovës në veri, po shohim flamuj të Serbisë nga veriu të na hyjnë me poshtërim në thellësi të Kosovës.
Opozita çon flamurin shqiptar në kufi me Malin e Zi, në shenjë proteste për demarkacionin dhe bën dy hajgare të hidhura:
E para, kontesti për demarkacionin me Malin e Zi nuk është kontest etnik shqiptaro-malazias, por shtetëror Kosovë-Mal i Zi, që i bie se nuk do të shënjonte kufirin deri ku shtrihen shqiptarët, por deri ku shtrihet Kosova. Në këtë rast, për të qenë edhe më e madhe ironia, të banuara me shqiptarë janë edhe vendbanimet në pjesën e Malit të Zi, prapa flamurit, kështu që kjo ndarje nënkupton autogol të panevojshëm.
E dyta, kur ta merr mendja se ke të drejtë ta vendosësh një flamur shqiptar diku, duhet të përgatitesh edhe ta mbrosh atë. Një ditë më vonë autoritetet malaziase e hoqën flamurin dhe dërguan notë proteste në Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare.
A s’është politikëbërje me huti e hajgare kjo?!
JO VETËM se kemi hyrë në stinën e verës dhe janë rritur temperaturat, por kjo punë ka kohë që ka filluar të qelbet erë të rëndë.
Beogradi e filloi me luftën e egër kundër pranimit të Kosovës në UNESCO.
Kaloi te kundërshtimi i padinjitetshëm i pranimit në UEFA e FIFA.
Vazhdon me bllokimin e kodit telefonik.
Vazhdon me financimin e strukturave paralele.
Nuk avancon me zhbllokimin e urës mbi Ibër në Mitrovicë.
Teksa së fundi është humbur “marrja” krejt.
Si në bahçe të babës fillon ndërtimin e një lagjeje të tërë, të quajtur “Lugina e Diellit”, pa as më të voglin njoftim të Prishtinës.
Vjen e hyn shtatorja gjigant e Car Llazarit legalisht prej Serbisë nëpër dogana të Kosovës - si të bëhej fjalë për skrap dhe jo monument të propagandës - e këta të Qeverisë e marrin vesh vetëm kur ta shohin në Mitrovicë!
Shkon Jablanoviqi në vendbetejën më të lavdishme të UÇK-së, në Koshare, dhe i lartëson forcat serbe atje, e këta tanët e marrin vesh në lajmin e përkthyer nga gazeta “Politika” e Beogradit.
Në Gazimestan, përveçse është toleruar gjithmonë që të uzurpohet nga serbët beteja e popujve të Ballkanit me Perandorinë Turke në vitin 1389, tash aty vijnë manifestues me fanella të kryekriminelit Milosheviq.
“Elektro Privreda” e Serbisë vendos kabllo të rrymës në veri të Mitrovicës, duke prerë drunj dhe dëmtuar varrezat myslimane, e të gjithë qeveritarët shikojnë seri.
Dhe, natyrisht, me këtë ritëm nuk do të ndalet këtu.
PËR TË GJETUR kaçavidën për të ndrequr veturën, duhet së pari të konstatohet se çka po shkakton prishjen.
Besoj se pistat kryesore janë dy – zvetënimi i procesit të dialogut me Serbinë në Bruksel, si dhe roli i Listës Serbe në Kosovë.
Ka kohë tashmë që është dashur të kërkohet me ngulm ndërrimi i tërësishëm i negociimit me Serbinë, duke parë sesa më shumë që vazhdohet dialogu, aq më pak angazhohet Beogradi për të përmbushur marrëveshjet e dakorduara.
Për më tepër, ka një momentum të ri në Beograd, pas zgjedhjeve të fundit në Serbi. Partia e kryeministrit në detyrë, Aleksandar Vuçiq, ka fituar sërish shumicën e votave, gjë që i siguron atij edhe një mandat të rehatshëm katërvjeçar në krye të qeverisë. Duke e parë këtë komoditet pushteti, Vuçiq ka filluar të koketojë me partitë nacionaliste ekstremiste serbe si mundësi për ndarjen e pushtetit, parti këto që angazhohen zyrtarisht për shkëputje të raporteve me Brukselin dhe orientim kah Moska. Kjo do të mund të rrisë gjasat për koncesione edhe më të mëdha nga Brukseli, në mënyrë që ta marrin me të mirë.
Ndërkohë, edhe situata e brishtë e krijuar në vetë Bashkimin Evropian pas referendumit për dalje nga organizata e Mbretërisë së Bashkuar, vetëm sa i hap Vuçiqit shteg për manovrim.
Në anën tjetër, ai vazhdon ta ketë kontrollin absolut edhe tek serbët kosovarë, nëpërmjet të Listës Serbe, mirëpo këtë në dëm të vet këtyre serbëve dhe të Kosovës në përgjithësi.
Liderët institucionalë dhe deputetët e Listës Serbe në Kosovë, duke qenë thuajse të përzgjedhur një për një me emra e mbiemra nga Vuçiqi, me metoda jodemokratike ia kanë dalë që të fitojnë vota për përfaqësim në Kuvend, e pastaj edhe në Qeveri, por pa ndier asnjë përgjegjësi ndaj askujt përveç padronit të tyre në Beograd.
Mund të vërehet në çdo veprim që përfaqësuesit e Listës Serbe bëjnë në Kosovë, se mendojnë se çka do t’u thotë për këtë Beogradi sesa çka do t’u thonë qytetarët serbë të vendit, e për Qeverinë në Prishtinë as që bëhet fjalë.
Se fundi i fundit, nga vullneti i Vuçiqit i varet krejtësisht edhe karriera politike. Ai i ka caktuar në listat zgjedhore, ai e ka dërguar xhandarmërinë që t’i bindë qytetarët serbë në veri të votojnë për ta, ai ka vendosur se kush bëhet ministër dhe ai vendos se kush mund të bëjë karrierë në Beograd.
Rasti i Jablanoviqit është ilustrimi më i saktë i kësaj fuqie. Ai u shkarkua nga Qeveria e Kosovës, por sot është zyrtar qeveritar në Qeverinë e Serbisë.
Me manovrime të këtilla as që mund të pritet ndonjë proces më i shpejtë i integrimit në Kosovë e as ndonjë avancim në raportet Kosovë-Serbi.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...