17 Shkurti i qytetarëve të Pro(tF)ESTËS

20 Shkurt 2016 - 09:13 - Adriatik Kelmendi      

Nëse vazhdoni me fjalime ndezëse e ofenduese si këto të 17 Shkurtit, s’shkon gjatë e do t'i shtini në dhé të gjithë këta qytetarë e druaj se s'do të ketë kush të dalë e të votojë më për ju në vitin 2018. Qytetarët s’ju dëgjuan sot. Ata s’u ngritën kundër njëri-tjetrit, nuk iu përgjigjën thirrjeve për dhunë të nxitura prej jush. Kthejuani topin këtyre qytetarëve! Jepjani shansin qytetarit që ai të flasë për ju me votën e vet!

QYTETARËT E Republikës së Kosovës e kanë merituar një bravo të madhe.

Si jo rrallëherë deri më tash, edhe këtë 17 Shkurt ata treguan se nuk pranojnë të manipulohen, të nëpërkëmben, të nënshtrohen e ofendohen.
Sjellja e qytetarëve absolutisht ia vulosi këtij 17 Shkurti epitetin aq të merituar: Pro(tF)ESTË!
Porosia e tyre s’ka se si të ishte më e qartë: Dita më e madhe në historinë e Kosovës është një shans i papërsëritshëm për dy veprime përplotësuese të njëra-tjetrës – për festë dhe për protestë.
Ka tepër shumë arsye për ta festuar pavarësimin e Kosovës nga Serbia. Defilimet me shoqëri e familje nëpër sheshe qytetesh, ose edhe ndejat private ose publike, mbushur me flamuj e simbole të Kosovës e të shqiptarëve, dëshmojnë qartë se qytetarët ia dinë vlerën e vërtetë kësaj date.

Ka njësoj shumë arsye për të protestuar për ngecjen e Kosovës. Aferim dhjetëra mijëra qytetarëve që zgjodhën, pavarësisht pikëdallimeve konceptuale e politike, të protestojnë denjësisht e pa dhunë.
Një protestë e bukur, në një shesh me emër të bukur, në një ditë të bukur me diell.
Vetëm sikur t’ua hiqnim ndoresh megafonat e mikrofonat politikanëve nga të dyja taborët.

AMAN, HASHIM Thaçi e Isa Mustafa, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj - uluni sot menjëherë e shpalleni datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme!
Mos e humbni më asnjë ditë!
Lejojani atyre rreth 1.700.000 votuesve që sa më parë t’ju tregojnë me votë secilit prej jush veç e veç se sa ju vlen lëkura, meqë secili po e merrni të drejtën të thirreni në emër të popullit.
Siç u pa edhe me fjalimet e protestës në shesh e njëlloj në ato nga ndërtesa e Qeverisë - s'po keni më asgjë të re t'u thoni atyre të cilëve po iu drejtoheni.
Këta qytetarë bile, në këtë situatë, as nuk kanë fare nevojë t’ju dëgjojnë tek flisni. Përveçse ju kanë dëgjuar që të gjithëve me rend tash e 17 vjet, ata edhe ju kanë parë se çka punoni, me çka merreni, çka veproni, me kë shoqëroheni, për çka angazhoheni, çka premtoni e çka fantazoni. Ju njohin edhe prej nga vini, çfarë shkollimi keni, kë e keni familje, ku keni qenë e çfarë keni bërë para e pas lufte.
Kështu që, kthejuani topin këtyre qytetarëve! Jepjani shansin qytetarit që ai të flasë për ju me votën e vet!

PËRNDRYSHE, NËSE vazhdoni me fjalime ndezëse e ofenduese si këto të 17 Shkurtit, s’shkon gjatë e do t'i shtini në dhé të gjithë këta qytetarë e druaj se s'do të ketë kush të dalë e të votojë më për ju në vitin 2018.
Qytetarët s’ju dëgjuan sot. Ata s’u ngritën kundër njëri-tjetrit, nuk iu përgjigjën thirrjeve për dhunë të nxitura prej jush.
Së këndejmi, aman, kthjelluni! Merruni vesh për hapat e procedurat dhe zgjedhjet shpallini! S’ka përse të druheni prej votave të qytetarëve, të cilët po pandehni se po e meritoni t’i përfaqësoni.
Që 17 Shkurti 2017 të mos ketë nevojë për protestë.
Se 17 Shkurti do të duhej të meritonte vetëm festë.
Mos e mohoni festën!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...