6 Shkurt 2016 - 10:17 - Adriatik Kelmendi
POLITIKANËT OPOZITARË, pavarësisht veprimeve ekstreme të ndërmarra kundër pushtetit, ka kohë që po na shfaqen shumë më pak të brengosur sesa qytetarët opozitarë.
Subjektet e tubuara rreth asaj që po quhet Opozitë e bashkuar kanë sinkronizuar qëndrimet e veprimet dhe tashmë e kanë kornizuar kërkesën e tyre themeltare: zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet e parakohshme janë duke u parë si opsion i shtendosjes së situatës dhe riverifikimit të përkrahjes për partitë e programet nga një pjesë gjithnjë në rritje e qytetarëve, të lodhur me antagonizmin ekstrem, dhunën dhe arrogancën e të dyja blloqeve politike.
Mirëpo, duket se përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje!”, AAK-së dhe NISMË-s, ose nuk po janë të aftë që ta kuptojnë, ose nuk po duan ta kuptojnë, se shumicës së qytetarëve nuk i bëhet fare dert se a do të ndërrohen me zgjedhje disa individë të një partie me disa individë të tjerë të një partie të dytë.
Të shqetësuar me stagnimin e Kosovës në shumë fusha tash e 16 vjet e të mërzitur me riciklimin e liderëve të njëjtë politikë, herë në pushtet e herë në opozitë, si bashkëpërgjegjës për stagnimin, qytetarëve iu nevojitet ndryshimi pozitiv.
Shpresën për këtë ndryshim pozitiv, fatkeqësisht, po dështon t’ua paraqesë edhe opozita.
KU ËSHTË DALLIMI ndërmjet qytetarit të lodhur me modelin qeverisës në tri mandate të PDK-së e dy mandate të LDK-së, dhe tri partive opozitare që po kërkojnë zgjedhje?
Ajo çka ka bërë opozita e bashkuar politike deri tash është të na tregojë kryesisht vetëm ku e ka keq Qeveria. Këtu mund edhe të pajtohemi. Gjithçka është e qartë. Por tri partitë opozitare nuk po ia dalin të tregojnë se si do ta bëjnë ata mirë, nëse do të vijnë në pushtet pas zgjedhjeve.
Krejt çka kemi dëgjuar prej tyre gjatë vitit 2015 e këto ditë janë – fjalë. Vetëm fjalë. Dhe për më tepër – asgjë të re.
Sa për fjalë kritike për Qeverinë, besoj rrallë ia ka lënë mangët akëcili qytetar i angazhuar i këtij vendi, pa nevojën e të qenit në një subjekt politik.
Është e lehtë të kritikohet ky koalicion. Për një vit – hiç MSA-në e kryer më herët –Qeveria e Mustafës dhe e Thaçit ia ka dalë të shënojë pa asnjë diskutim vitin më të dështuar në politikën e jashtme; nuk ia ka dalë të parandalojë ikjen e mbi 70 mijë qytetarëve; nuk ia ka dalë të hapë vende të reja të punës; ka dështuar në liberalizimin e vizave; nuk po e krijon fondin e premtuar investiv; nuk po ia del të këndellë shëndetësinë. Thaçi e Mustafa më tepër duket se po punojnë se si t’ia faturojnë dështimet njëri-tjetrit sesa si të arrijnë suksese etj., etj.
Ja sa e lehtë. Por si të ndryshohet ky trend?
Vetëm duke shkuar në zgjedhje dhe që në fund të bëhet një koalicion tjetër, ku sërish ose PDK, ose LDK do të jenë pjesë e fuqishme e Qeverisë?
Sinqerisht, LVV, AAK e NISMA janë duke e lënë këtë përshtypje. Po duan zgjedhje, jo për të bërë ndryshime pozitive, por për të pasur një rikomponim të koalicionit qeverisës.
Përndryshe, derisa kërkojnë që të shkohet sa më shpejt në zgjedhje, mundësisht për 45 ditë, atëherë edhe do të duhej të uleshin e të na qartësonin se përse zgjedhjet do të na sillnin ndryshimin e shumënevojshëm.
TASHMË KA FILLUAR të kalojë në një farsë të çuditshme, për të mos thënë edhe ofenduese për inteligjencën e qytetarit, mospërcaktimi i LVV-së, AAK-së dhe NISMË-s për një listë të përbashkët ose jo.
Konsideroj se opozita e bashkuar ia ka për borxh qytetarit të pakënaqur, sidomos atij që vlerëson se vendi ka nevojë të shkojë në zgjedhje këtë vit, t’i japë përgjigje të prerë në këtë çështje.
Meqë, nëse duan të shkojnë me një listë të përbashkët në zgjedhje, atëherë kjo është koha kur duhet të na bëjnë të qartë këtë. Kjo është koha edhe kur do të duhej ta prezantonin një platformë të përbashkët e të dakorduar zgjedhore, me përgjigje konkrete për problemet kryesore që i preokupojnë qytetarët e vendit sot, e që janë shumë më tepër sesa Demarkacioni e Asociacioni.
Nëse duan ta rrisin nivelin e përgjegjësisë, përkushtimit dhe llogaridhënies, pse jo, do të duhej të na paraqisnin edhe një kabinet qeveritar në pritje, me program dhe me poste të ndara për individët.
Përndryshe, pa këto, qytetarëve sërish do t’iu kujtohet se as liderët e NISMË-s në kohën kur kanë pasur poste ministrore nuk kanë bërë ndonjë mrekulli e vepër me të cilën krenohet vendi në resorët që i kanë udhëhequr, njësoj as të gjithë kryeministrat e ministrat e AAK-së nuk janë shquar për ndonjë vizion për të qeverisur, e krahasueshëm edhe me disa drejtorë të LVV-së në Prishtinë, të cilët më parë se me punët në kryeqytet merren me nënat e bashkëpartiakëve ose me rrahjen e kundërshtarëve politikë.
Mirëpo, qartazi, liderët e subjekteve opozitare duket se nuk janë të sinqertë në përpjekjen e tyre për ndryshim pozitiv dhe nuk janë të sinqertë as mes vete sa i përket vetë qëllimit të bashkimit të tyre.
E nëse LVV, AAK e NISMA nuk e dëshmojnë shumë shpejt të kundërtën, atëherë i bie se edhe atyre fare nuk po iu intereson mirëqenia e qytetarëve dhe e Kosovës, njësoj siç po na e dëshmon këtë koalicioni PDK-LDK.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...