Prekazi, Reçaku, Meja... vazhdojmë...

14 Mars 2015 - 11:11 - Adriatik Kelmendi      

Si ndodhi që për tri masakrat më të tmerrshme të forcave serbe në Kosovë ende askush të mos japë llogari?

Masakra e Prekazit

BESARTA JASHARI ka qenë fare e vogël kur forcat serbe kishin rrethuar shtëpitë në Prekaz dhe i kishin vrarë mbi 50 familjarë të saj, në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë. Ajo ishte e vetmja që i kishte shpëtuar terrorit që zgjati për tri ditë rresht, me qëllimin e vetëm, të mos mbeste askush i gjallë.
Masakra mbi Jasharët në Prekaz është një ndër krimet më të tmerrshme të ndodhura në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore. Forca të kombinuara të sigurisë të Serbisë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ndonëse koshientë se nëpër shtëpi kishte fëmijë, nuk ishin ndalur derisa ishin siguruar se s’ka mbetur askush i gjallë.
Besarta, tash, 17 vjet pas ngjarjes, e ka përsëritur rrëfimin e saj shumë herë. Këto ditë e ka bërë atë edhe për rrjetin televiziv britanik BBC. Por, edhe pse kishte parë me sytë e saj të njomë se si i ishin vrarë anëtarët e saj më të afërt të familjes, këtë rrëfim asnjëherë nuk e ka thënë në ndonjë gjykatë.
Askush asnjëherë nuk e ka hetuar penalisht krimin, i cili në masën më të madhe shërbeu si fitil i shpërthimit të luftës në mbarë Kosovën.
Asnjëherë Serbia nuk ka ndërmarrë ndonjë hetim përse u lejua që të vriten edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë në atë që Beogradi e quajti “luftim i terrorizmit”.
Por, asnjëherë nuk ndërmori asnjë hetim serioz për këtë askush në Kosovë.

Masakra e Reçakut

MASAKRA E REÇAKUT ka luajtur rolin vendimtar që përfundimisht të intervenohet për t’u ndalur veprimet kriminale të regjimit të Beogradit kundër civilëve shqiptarë, e që për rezultat ka pasur edhe intervenimin e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës. Mirëpo, edhe kjo masakër që sensibilizoi opinionin botëror për mizoritë që po ndodhnin në një vend të Evropës kaloi pa u dënuar nga drejtësia.
Fillimisht, ndodhi paradoksi që në aktakuzën e Tribunalit të Hagës ndaj Slobodan Milosheviqit, Reçaku të hyjë si i vetmi krim që forcat nën komandën supreme të të cilit kanë kryer në Kosovë në periudhën para 24 marsit të vitit 1999, ditës kur nisën bombardimet e Aleancës Veriatlantike. Mirëpo, duke qenë se kasapi i Ballkanit vdiq në qelinë e Scheveningenit, as për këtë masakër që la të vrarë 45 civilë nuk janë dënuar as urdhërdhënësi e as ekzekutuesit e terrenit.
Këtë e them pasi që dihet fare mirë struktura planifikuese, ashtu edhe ajo organizative dhe ekzekutuese e forcave serbe që kanë kryer masakrën. Udhëheqës i këtij operacioni ka qenë gjenerali serb i policisë, Goran Radosavljeviq – Guri, komandant i njësitit antiterrorist Operativna Grupa (OPG).
Dhe ky gjeneral famëkeq përgjegjës për masakrën që zgjoi ndërgjegjen botërore dhe futi në luftë 19 shtete, jo që është mbajtur përgjegjës për krimet e bëra, por ai edhe është avancuar në poste. Masakruesi i Reçakut, në vitin 2001, është emëruar komandant i parë i Xhandarmërisë së rithemeluar të Serbisë, kurse për të qenë ironia edhe më e madhe, në vitin 2003, është emëruar si komandant i rreth 1.000 trupave serbe në Afganistan, në ujdi me SHBA-në.
Ndërkohë, Guri ka lënë policinë dhe është anëtar i Partisë Përparimtare Serbe të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq.
Përveç një thashetheme në media para disa vjetësh, ku thuhej se ai mund të arrestohej, sot e kësaj dite ai jeton jetë të patrazuar si zyrtar i lartë partiak.
As në Kosovë askush asnjëherë nuk ndërmori ndonjë veprim që do të ndihmonte sjelljen e tij para drejtësisë.

Masakra e Mejës

MESHKUJT SHQIPTARË që ishin pjesë të kolonave që po dëboheshin për në Shqipëri, ishin ndarë nga gratë dhe fëmijët. Pastaj kishte filluar ekzekutimi gjakftohtë i tyre. Në fund të ditës së 27 prillit 1999 plot 377 prej tyre kishin mbetur të vdekur. Forcat serbe të sigurimit, në tentim të fshehjes së masakrës më të madhe të luftës në Kosovë dhe të dytës më të madhe në rajon, pas asaj në Srebrenicë, kishin tërhequr kufomat dhe i kishin varrosur nëpër varreza masive në Serbi.
Shumica e kufomave tashmë janë kthyer në Kosovë dhe janë varrosur në atë që u quajt Lëndina e Pikëllimit.
Për gati 17 vjet askush nuk ishte akuzuar për këtë masakër. Kurse vetëm javë më parë, Gjykata Themelore e Gjakovës, përmes Interpolit, ka lëshuar fletarrestime për gjeneralin Momir Stojanoviq, 15 serbë e 1 shqiptar si të akuzuar për krime lufte në rajonin e Rekës së Keqe.
Njësoj si Guri, edhe Stojanoviq sot është aktiv në politikë si anëtar i partisë së kryeministrit Vuçiq, aktualisht deputet dhe kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për kontrollin e Shërbimit të Sigurimit, teksa gjatë luftës ishte shef i sigurimit të Korpusit të Prishtinës.
Ai e ka quajtur të pabazë urdhërarrestin, njësoj siç i ka shprehur dyshimet e veta për të edhe shefi i partisë dhe shtetit, Vuçiq, derisa ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, ka theksuar se nuk do ta zbatojnë me lehtësi kërkesën e Interpolit.
Stojanoviq sot e kësaj dite vazhdon punën e tij në organin më të lartë legjislativ të Serbisë.

Akuza për gjenocid, për konsum të brendshëm

TASH, KËTO JANË vetëm tri nga masakrat më të tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Njësoj ende askush nuk është dënuar as për vrasjen e dhjetë meshkujve të familjes Ahmeti, jo me armë, por me mjete të forta në Likoshan. Njësoj edhe për shumë e shumë masakra të tjera para bombardimeve, si në lagjen Dardania të Pejës, Lubeniq, Deçan, Gllogjan, Abri, Rogovë, Rrezallë, Qirez, Rahovec, Malishevë etj., etj. Asnjë i dënuar e madje as i akuzuar.
Në këtë kontekst, duket bukur e kotë dhe për konsum të brendshëm politik kërkesa e zv.kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të akuzuar Serbinë për gjenocid. Vetëm në kohën kur pritet që në Kosovë të themelohet një Gjykatë Speciale për të dënuar krime të supozuara të individëve të UÇK-së.
Është lënë që të kalohet kaq shumë kohë dhe të mos punohet që të krijohen rrethanat për nxjerrjen para drejtësisë të kriminelëve që kanë kryer masakrat ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Dhe e tmerrshmja këtu është se gjasat janë krejt të vogla që ndonjëherë do të ketë drejtësi për viktimat e këtyre masakrave.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

© KOHA.net
 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...