Ecja e gjatë me mikun

17 Janar 2015 - 10:40 - Adriatik Kelmendi      

Për herë të parë, sot, shqiptarët janë në aleancë me Perëndimin, me Evropën, me familjen ku i takojnë. Sidoqoftë, një trup njeriu mbahet në balancë vetëm nëse mbështetet fuqishëm në të dyja këmbët, e sidomos nevojitet fuqia e këmbës së shëndoshë në çastet kur tjetra është e lënduar

1. PËR VRASJE mjafton vetëm një sekondë.
Për arritje të qëllimeve "të mira" ndoshta edhe dhjetëra vjet debatesh.
Dilema është kush cilën zgjedh. I qytetëruari, qytetërimi, sado gjerësisht që mund të ngërthejë si nocion, të paktën do të duhej të nisej nga parimi i dialogut e debatit.

Vdekja gjithmonë sjell edhe vdekje të tjera.

E gojët e vdekura nuk mund të debatojnë, e as të kontribuojnë në realizimin e qëllimeve "të mira".
Vdekja është, thjeshtë, fundi!

Por, i cili fund gjithnjë do të (keq)përdoret nga ata që mbesin të gjallë dhe në liri.

Siç po shohim se po ndodh edhe tash, pas tragjedisë së Parisit.

Njerëzit hapin debate për drejtësi dhe padrejtësi. Mirëpo kjo ndodh mbi trupat e vdekur të disa njerëzve që po bënin punën e tyre.

Prandaj kushdo që në këto çaste gjen kurajë të "moralizojë" për "heshtjen" ose "ngritjen e zërit" për padrejtësi të tjera në botë – sado të arsyeshme e të qëndrueshme të jenë argumentimet - fatkeqësisht tërthorazi u jep të drejtë vrasësve.

Bota është shumë e padrejtë, por terrorizmi e vrasjet s’mund të jenë asnjëherë përgjigjja.

Më mirë 100 vjet debate për qëllimet, sesa ngrehje e këmbëzës... si punë sekondash!


2. SHQIPTARËT, SI një popull i vogël, gjithmonë e kanë ditur se çka është Franca. Francezët, si të mëdhenj e me shumë ndikim në botë, megjithatë, zor ta kenë ditur në masë se kush janë shqiptarët, e aq më tepër Kosova e viteve ‘90.

Megjithatë, kur shqiptarët në Kosovë vriteshin e përndiqeshin nga forcat serbe, Franca, një aleate e vjetër e Serbisë, u solidarizua me plojën kosovare.

Sigurisht se këta francezë - që po dëgjonin ndoshta për herë të parë për disa shqiptarë që jetojnë në atë që quhej Jugosllavi - kishin probleme të veta të brendshme. Për më tepër, nuk i lidhte thuaja asgjë me shqiptarët, aq në aspektin e gjuhës, etnisë, historisë, fesë e të tjera.
Por francezët, bashkë me 18 shtete të tjera të botës demokratike - "harruan" përnjëherë problemet e brendshme, “harruan” serbët, ndër aleatët më të mëdhenj të tyre gjatë shekullit XX - u solidarizuan me shqiptarët dhe bombarduan për 78 ditë Serbinë.
A mund të imagjinohet një solidarizim më i madh i një populli me një popull tjetër sesa hyrja në luftë me një shtet?

Për më tepër, Franca ishte edhe ndër shtetet e para që e njohu pavarësinë e shpallur të Kosovës.
Ndërkohë është e tmerrshme, e turpshme dhe injorancë e skajshme sot tek sheh "shqiptarë" të tregohen nihilistë e cinikë me solidarizimet krejt modeste të shqiptarëve me Francën në ditët e vështira.
E populli ynë, po, e ka fjalën e urtë të cilën e përsërisim shpesh “miku i mirë tregohet në kohë të vështirë!”.

Vetëm duhet, po ashtu, rikujtuar vetvetes se jo vetëm të tjerët duhet të tregohen miq me ne në kohë të vështira, por edhe ne në kohët e tyre.


3. ZATËN, ME DHIMBJE mund të konstatohet se shqiptarët jo se nuk kanë pasur shumë fat përgjatë historisë, por më tepër kanë bërë gabime trashanike në zgjedhjen e aleatëve.

Të kujtojmë që vetëm pas njëzet e sa vjetësh nga Konferenca e Versajës, kur në masën më të madhe falë insistimit të presidentit amerikan, Woodrow Wilson, Shqipëria për herë të parë në histori u bë shtet i pavarur i njohur ndërkombëtarisht, shqiptarët, pra, pas Luftës II Botërore, u kthyen në armiq të egër të Perëndimit.

Njësoj ndodhi edhe përgjatë vetë luftës, me italianët e gjermanët.

E të kujtojmë ku ishte Kosova dhe shqiptarët e saj gjatë kohës kur ishin lënë të vetmuar si mish i egër në Jugosllavinë sllave, me shtetin amë të armiqësuar me thuaja gjithë botën.

Por, për të mos u zgjatur në histori me shembujt e shumtë që mund të merren, do të duhej të mos hiqej nga mendja se ku janë shqiptarët sot, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjetiu, dhe kush janë ata aleatë ndërkombëtarë, të cilët ia shtrinë dorën për ta mundur të keqen.

Për herë të parë, sot, shqiptarët janë në aleancë me Perëndimin, me Evropën, me familjen ku i takojnë.

Sidoqoftë, një trup njeriu mbahet në balancë vetëm nëse mbështetet fuqishëm në të dyja këmbët, e sidomos nevojitet fuqia e këmbës së shëndoshë në çastet kur tjetra është e lënduar.

Se duhet ecur tutje.

E ecja është e gjatë dhe, si çdo ecje tjetër, jo gjithmonë e drejtë, e lehtë dhe pa rreziqe.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...