20 Gusht 2016 - 08:30 - Adriatik Kelmendi
MEGJITHATË, “LUFTA ndaj terrorit”, ashtu si dhe koalicioni kundër “Shtetit Islamik”, po i dëshmojnë botës se pavarësisht ushtrisë më të sofistikuar dhe të armatosur që dikush mund ta ketë, këto jo gjithmonë janë të mjaftueshme për ta fituar luftën kundër terroristëve.
Të dyja luftërat, ajo në Afganistan dhe në Irak, zyrtarisht kanë përfunduar, mirëpo ka ende njerëz të zakonshëm si dhe anëtarë të forcave të sigurisë që jetojnë çdo ditë nën frikën e vazhdueshme të ndonjë sulmi nga grupet rivale të shiitëve dhe sunitëve, si dhe grupacionet e ekstremistëve të tjerë fetarë.
Për më tepër, rrëmuja dhe tmerri nuk është se ka mbetur vetëm në territoret e këtyre dy shteteve të shkatërruara. Sulmet janë shpeshtuar shumë, fillimisht në vende si Xhakarta, Bali, Mumbai, Stambolli e Ammani, për t’u shtrirë viteve të fundit në qytetet simbole të “qytetërimit perëndimor”, si Londra, Madridi, Parisi, Brukseli e Nica - duke lënë me mijëra të vdekur dhe duke paralajmëruar se terrorizmi nuk është asgjë tjetër përpos vdekjes.
Menjëherë pas ngjarjeve të 11 shtatorit, raporte të ndryshme spikatnin se grupi i bin Ladenit, al-Qaeda, kishte rrënjët në së paku 50 e deri në80 shtete rreth globit. Përveç kësaj, Jason Burke (2003) saktë paralajmëronte se nuk bëhet fjalë për vetëm një grup terrorist islamik, që synon t’i koordinojë veprimet:
“Lajm i mirë është se al-Qaeda nuk ekziston. Lajm i keq është se kërcënimi me të cilin përballet bota është shumë më i rrezikshëm sesa mund të ishte vetëm një lider terrorist me një ushtri, pavarësisht sa besnike, ose e madhe të jetë. Në vend të kësaj, kërcënimi me të cilin po përballemi tash është i ri dhe i ndryshueshëm, kompleks dhe i shumëllojshëm, dinamik dhe i paqëndrueshëm, si dhe thellësisht i vështirë për t’u kategorizuar”.
(Jason Burke 2003: 7)
A e dinin këtë udhëheqësit e shteteve perëndimore?
Duket se vetëm më vonë për këtë fakt ishte pajtuar edhe vetë ish-Presidenti amerikan, George W. Bush, i cili shkruan se “pas shokimit nga sulmet e 11 shtatorit, ne nuk kishim një doracak juridik, ushtarak ose politik sesi të ballafaqohemi me një armik, i cili refuzonte të gjitha rregullat tradicionale të luftës” (Bush 2010: 179).
NJË TJETËR GJË zhgënjyese, është konstatimi se përfshirja në një luftë – pavarësisht nëse e kategorizojmë atë si humanitare, çlirimtare ose të ndonjë lloji tjetër “fisnik”– ka rrezik shumë të madh që përgjatë rrugës të bëhen gabime dhe të shkaktohen incidente “kolaterale” të përmasave të atilla, të cilat pashmangshëm do të çojnë në rritjen e zemërimit në mesin e banorëve të vendeve ku zhvillohen betejat. Të këtilla mund të vlerësohen edhe vrasjet nga pakujdesia të civilëve në Afganistan e Irak, ose edhe mizoritë që në raste përshkojnë procesin e paqebërjes në terren, siç ishte rasti me torturat e filmuara të të burgosurve në Abu Ghraib.
Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, kishte mbledhur të dhëna se ushtria amerikane kishte vrarë 94 civilë në Irak vetëm për katër muaj, nga mesi i muajit maj dhe fundit të shtatorit 2003. Njësoj në Afganistan, shpesh aksionet ushtarake mikste të trupave amerikane dhe afgane gjatë gjurmimeve, ndjekjeve ose betejave të drejtpërdrejta me talebanët, kanë vrarë edhe shumë civilë, në mesin e të cilëve edhe gra e fëmijë. Incidentet e ngjashme tashmë janë kthyer thuaja në rutinë edhe në intervenimet në Siri, ose në territorin e “Shtetit Islamik”. Këto natyrshëm rrisin zemërimin e popullsisë lokale, të cilët me kohë fillojnë të ndiejnë nevojën për ndonjë lloj të hakmarrjes .
Në anën tjetër, brumë shtesë për zemërim jep edhe debati se sa njerëz nga të gjitha palët e përfshira në konflikt, përfshirë civilët, humbën jetën. Derisa dihet numri i saktë, me emër e mbiemër, i amerikanëve të vrarë përgjatë kohëzgjatjes zyrtare të intervenimeve në Afganistan (tetor 2001 – dhjetor 2014) dhe Irak (mars 2003 – janar 2010) , i cili qëndron në pak mbi 6.700. Njëjtë nuk qëndron puna kur flitet për të vrarët nga këto shtete, përfshirë edhe operacionet e koalicionit në Pakistan - aty jepet numri i ndryshueshëm prej 174 mijë e deri në 220 mijë civilë, shto këtu edhe prej 78 mijë e deri në 88 mijë luftëtarë , të cilët asnjëherë nuk janë përfshirë në lista as përafërsisht të plota me emra e mbiemra.
Kjo situatë vetëm sa e ka bërë edhe më të përshtatshëm terrenin për terroristët që të rekrutojnë luftëtarë të rinj. Përgjatë gjithë kësaj kohe, mijëra studentë janë përgatitur për xhihad në vendet si Pakistani i Veriut e gjetiu dhe në të ashtuquajturat “Universitetet e Xhihadit”, duke lavdëruar figurat si bin Laden dhe Mullah Omar si heronjtë tyre .
Mary Caldor (2003) nënvizon se “lufta ushqen rrëfimet e terroristëve për luftë të vazhdueshme”.
Kritikët e “luftës ndaj terrorit” menjëherë kishin ngritur zërin, duke thënë se përdorimi i forcës nuk do të sjellë shumë rezultate dhe se duhet gjetur metoda të reja për ta luftuar terrorizmin.
John Esposito (2002) krahason terrorizmin me kancerin:
“Derisa disa forma të terrorizmit, ashtu si disa forma të kancerit, reagojnë me ndërhyrje radikale kirurgjike, kjo sëmundje vdekjeprurëse mund të luftohet vetëm duke e kuptuar prej nga ajo vjen, sesi bëhet më e fortë, sesi shpërndahet dhe vetëm pastaj duhet të veprohet ndaj saj. Kanceri i terrorizmit global do të vazhdojë ta poshtërojë bashkësinë ndërkombëtare, derisa ne t’i adresojmë shkaqet e tij politike dhe ekonomike, shkaqe këto që përndryshe do të vazhdojnë të sigurojnë një terren për urrejtje dhe radikalizëm, ngritje të lëvizjeve ekstremiste, si dhe rekrutë nga bota e bin Ladenit”.
(John Esposito 2002: 160)
Kjo vetëm sa ndihmon për të konfirmuar suksesin e objektivave që Osama bin Ladeni i kishte me kohë dhe të cilat i ritheksoi disa javë pasi që kishte nisur lufta në Afganistan: “Pavarësisht nëse Osama vritet ose mbijeton, ngritja ka filluar, lavdëruar qoftë Perëndia”.
JASON BURKE (2003) shkruante për popullaritetin që bin Ladeni fitoi në mesin e myslimanëve në tërë botën, duke e përshkruar trendin e të rinjve nga Indonezia pas bombardimit në Bali, të veshur me bluzat që kishin fytyrën e bin Ladenit.
Ai e elaboronte këtë, duke shkruar:
“Bota është më e radikalizuar tash sesa që ishte para 11 shtatorit. E ndihmuar nga një operacion i fuqishëm antiamerikan, nga dështimi i pabesueshëm i Washingtonit për të frenuar hemorragjinë e mbështetjes dhe simpatisë shkaktuar nga sulmet e vitit 2001 dhe nga komunikimi bashkëkohor, gjuha e bin Ladenit dhe koncepti i tij për luftë kozmike tashmë është shpërndarë te dhjetëra miliona njerëz, veçanërisht te të rinjtë dhe te të mllefosuri përreth botës”.
(Jason Burke 2003: 239)
A s’ishte kjo brengë e Burkes dhe të tjerëve si ai, e bërë në fillimet e “luftës ndaj terrorit”, ajo që po e shohim sot me rekrutimin që ia ka bërë “Shteti Islamik” rreth 30 mijë të rinjve, nga të gjitha anët e botës? A s’mund të gjejmë këtu një pjesë të përgjigjes për përfshirjen e edhe mbi 450 individëve të brishtë që kanë shkuar atje nga Kosova dhe Shqipëria?A s’është kjo sfida me të cilën po përballet bota sot?
(Në vazhdimin e fundit lexoni pjesën “Frikë dhe urrejtje, urrejtje dhe frikë”)
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...