16 Maj 2015 - 10:07 - Adriatik Kelmendi
TASHMË KUR DUKET se askush nuk ka dilema se pas skenarit të ngjarjeve tragjike të fundjavës në Kumanovë qëndrojnë qëllime politike e gjeostrategjike të pushtetit maqedonas dhe linjës që ndalet në Kremlin, fokusi duhet të përqendrohet në episodet e ngjashme që mund të pasojnë.
Shkolla e vjetër e propagandës dhe bindjes tregon se asnjëherë nuk mund të ketë efekt një inskenim, kur të gjithë e karakterizojnë si të tillë. Për këtë arsye duhet pritur që loja e masterëve të vazhdojë tutje.
Sinjalet e para tashmë po jepen.
Nuk është fare e rastësishme videoja e publikuar nga Ministria e Brendshme e IRJM-së, ku tregohen pjesëtarët e grupit të armatosur shqiptar me koka teposhtë mbështetur për muri. Efekti është i dyfishtë: t’i tregojnë popullatës në IRJM se organet e sigurisë së shtetit janë të afta, dhe e dyta - shumë më e djallëzore në këto rrethana – t’i poshtërojnë luftëtarët shqiptarë të dy-tri luftërave me qëllim nxitjen e ndjenjës së hakmarrjes nga ish-kolegët e tyre luftëtarë. Ky është tash kurthi i radhës.
Duke e parë se qytetarët e IRJM-së, pa dallim etnie, nuk u ngritën kundër njëri-tjetrin me shkas luftimet e Kumanovës, të bindur se bëhet fjalë për një lojë, masterët e kësaj loje do të synojnë që të ketë veprime të tjera të ngjashme, në mënyrë që ta thyejnë skepticizmin e përgjithshëm.
Mirëpo, shqiptarët assesi nuk guxojnë që të ndikohen nga emocionet dhe ta luajnë lojën e masterëve. Është e logjikshme që poshtërimi nxit hakmarrjen, që në këtë rast do t’i binte sulme të grupeve të armatosura të shqiptarëve në caqe në IRJM, por kjo nuk do të sillte asgjë të mirë për çështjen shqiptare në IRJM dhe në përgjithësi. Përkundrazi do të shërbente si alibi e regjimit diktatorial të Gruevskit, i cili do të thoshte se me gjithë mosbesimin, nuk bëhet fjalë për lojë të stisur dhe se ai ka pasur të drejtë që nga fillimi. Duke e forcuar kështu pozicionin politik dhe shmangien e rënies nga pushteti, gjë që nëse nuk do të bëjnë gabime në hapa shqiptarët – është e pashmangshme.
Dhe do të duhej të ketë koshiencë të plotë se provokime të këtilla, siç është videoja poshtëruese e dorëzimit, do të ketë me bollëk në ditët në vazhdim.
LUFTA NUK ËSHTË zgjidhje. Edhe për këtë çështje duket se ka konsensus të plotë, në të gjitha përfaqësimet e shqiptarëve, në të gjitha shtetet ku ata jetojnë.
Është e vërtetë, shqiptarët sot kudo që jetojnë, jetojnë më mirë se në të kaluarën. Ndonëse ka pakënaqësi të arsyeshme në mesin e popullatës (gjë që po ashtu është pozitive, meqë kur kërkon më tepër i bie se e di se ka më mirë dhe mund të bëhet më mirë), shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, në IRJM e në Mal të Zi kurrë nuk kanë qenë më të lirë, kurrë nuk kanë pasur më shumë përkrahje ndërkombëtare, kurrë nuk kanë qenë më të arsimuar, kurrë nuk kanë pasur më shumë pasuri dhe mundësi. Këtyre fakteve natyrisht se nuk iu gëzohen të gjitha ato shtete, ose popuj, që kanë interesa politike e strategjike në trojet ku jetojnë shqiptarët dhe të njëjtit do të mundohen të bëjnë gjithçka që është e mundur që t’i realizojnë synimet e tyre, të cilat bien ndesh me ato të shqiptarëve. E loja më perfide këtu, siç u pa, mund të vazhdojë të bëhet duke i instrumentalizuar vetë shqiptarët, duke i bindur ata se po bëjnë punë të mira për vete, por që do të hapin kutinë e Pandorës, nga e cila vështirë të sjellë të mira.
Për këtë arsye nga qarqe të caktuara synohet të vihen në lajthitje pikërisht njerëzit, të cilët nuk kanë kursyer jetën e tyre për shqiptarët, duke marrë pjesë në disa luftëra, duke u manipuluar qëllimet e tyre të sinqerta për t’i parë shqiptarët të lirë dhe të përparuar. Siç po thuhet të ketë qenë edhe manipulimi i disa prej këtyre luftëtarëve të sinqertë për interesa të kundërta nga ato që ata besojnë – e mira e shqiptarëve.
ME LUFTË SHQIPTARËT sot, kudo që jetojnë, nuk fitojnë asgjë, por humbin shumë, tepër shumë. Dhe rrezikojnë skajshmërisht arritjen më të madhe në histori – lirinë dhe përparimin.
Së pari, të gjithë duhet me sinqeritet t’ia pranojnë vetvetes: asnjë nga luftërat e shqiptarëve, qoftë në Kosovë, Luginë të Preshevës, apo në IRJM, nuk do të përfundonte me sukseset (relative, por a nuk janë gjithmonë relative sukseset?!) për shqiptarët, në qoftë se nuk do të kishin mbështetjen ndërkombëtare, në këto raste të SHBA-së dhe shteteve të tjera demokratike të Perëndimit.
E dyta, situata gjeopolitike në botë ka ndryshuar. Si për ironi të fatit, pikërisht të shtunën, ditën kur filluan luftimet në Kumanovë, në Sheshin e Kuq të Moskës po mbahej parada më e madhe ushtarake ndonjëherë, për të shënuar 70-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Mirëpo, për dallim nga 10 vjet më parë, kur në krah të Putinit ndodheshin kryetarët e SHBA-së, Francës dhe Britanisë, kësaj radhe ishin disa liderë të tjerë, kinezi Xi Jinping dhe indiani Pranab Mukherjee, bashkë me udhëheqësit e shteteve si Kuba, Zimbabve e Venezuela. Aty, nën vëzhgimin edhe të presidentit të IRJM-së, Gjergji Ivanov, teksa parakalonin rreth 16 mijë trupa ushtarake, në përcjellje të sistemeve raketore bërthamore dhe tankeve të reja, Putin dëshironte t’i shpërfaqte botës fuqinë e “aleancës së re”, si kundërpeshë e SHBA-së dhe BE-së.
E se Federata Ruse nuk është më ajo e para 10 vjetëve, e as ajo e para 15 vjetëve (kur ndodhën luftërat e shqiptarëve në Ballkan), tregon ndërhyrja e saj në planet e SHBA-së dhe Perëndimit për Sirinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën.
Me insistimin e Kremlinit, administrata e Obamas kishte hequr dorë nga sulmet ndaj Sirisë, kurse është mjaftuar vetëm me sanksione ndaj Rusisë, në rastet e pushtimeve ushtarake në Gjeorgji dhe Ukrainë.
Paramendojeni tash, në qoftë se vërtetohet teza e interesimit të Kremlinit për ndikim në IRJM e Serbi, për arsye politiko-ekonomike dhe jo vetëm, atëherë çfarë rreziku paraqesin aventurat luftarake të shqiptarëve në këtë shtet.
DUHET THËNË HAPUR, SHBA-ja në veçanti e Perëndimi në përgjithësi, nuk do të mund të ndihmojnë shqiptarët ashtu siç kanë bërë para 15 vjetësh, nëse Rusia dhe aleatët e saj do të jenë të interesuar ta trazojnë rajonin. Dhe, kështu, përfundimisht humbësit më të mëdhenj do të jenë vetë shqiptarët.
E duke qenë se Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, kurse territori i Kosovës garantohet nga prania e forcave të NATO-s në terren, atëherë hallka më e dobët paraqitet shteti i tretë me popullatën më të madhe shqiptare - IRJM-ja. Për këtë arsye, po synohet të nxiten konflikte me përfshirje të shqiptarëve në IRJM, në mënyrë që të nxisin reagimin e shqiptarëve nga Kosova e Shqipëria, e kështu si rrjedhojë edhe vetë qeveritë e këtyre dy shteteve, me synim “korrigjimin e lëshimeve” të dy dekadave të fundit.
Së këndejmi, lufta u konvenon krejt atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, por vetëm shqiptarëve – jo. Absolutisht!
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...