2 Prill 2016 - 09:25 - Adriatik Kelmendi
Prishtinë, prill-maj 1999 - "U identifikuan edhe disa kufoma të tjera të civilëve të masakruar nga forcat çetnike serbe në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit. Këta janë..." dhe spikerja e TVSH-së vazhdon të lexojë një listë të gjatë emrash nga masakra e fundit e forcave serbe mbi civilë shqiptarë në Kosovë, derisa disa gra duke pirë çaj rusi i dëgjojnë fjalët e saj me llahtari. Tashti zhurma e lugëve që përziejnë sheqerin në gotat me çaj dëgjohet më shumë, si duket si pasojë e dridhjeve të duarve të tyre ose e qetësisë që mbizotëroi me të dëgjuar lajmin e tmerrshëm.
Ato ndodhen në Prishtinë, në një banesë në lagjen "Kodra e Diellit", njërën nga ndërtesat e rralla ku banorët shqiptarë "ishin kursyer" nga dëbimi me dhunë dhe vetëm disa kilometra larg nga vendi ku është kryer masakra e madhe.
Prishtina - kryeqyteti i shndërruar në fshat
Prishtina, kryeqytet i Kosovës, më parë i banuar prej rreth 250 mijë banorësh, kryesisht shqiptarë, tashmë ishte shndërruar në një vendbanim që sipas numrit të popullatës së mbetur, "të ngujuar në të", më tepër do t'i ngjante ndonjë fshati paksa më të madh ose një qyteze të parëndësishme.
Por kjo nuk do të vlente për serbët në të, ngase një fshat të madh ose një qytezë në të do të mund ta krijonte edhe numri i policëve, ushtarëve dhe i paramilitarëve të shumtë që kishin ardhur dhe vendosur aty.
Këto forca, pasi që nga bombardimet e Aleancës Veriatlantike kishin mbetur pa objektet e MPB-së, kazermat dhe objektet e tjera nga ishin iniciuar dhe planifikuar shkatërrimet, vrasjet dhe dëbimet e shqiptarëve nga Kosova, ishin vendosur nëpër banesa, shtëpi dhe shkolla, nga i kishin dëbuar pronarët legjitimë të tyre - shqiptarët.
Akoma më shumë, forcat serbe kanë spastruar pothuaj të gjitha lagjet e skajshme të qytetit, duke bërë që ata që kanë mbetur në Prishtinë jetojnë në një lloj getoje të rrethuar me policë, ushtarë dhe paramilitarë. Ata pak shqiptarë të mbetur në qytet ndihen si pengje. "Kushedi se çka do t'na bëjnë neve që kemi mbetur këtu të ngujuar. Po na ruajnë për fund...", thotë mixha Jakup. "Kur të hyjë NATO-ja me ushtarë, bën vaki e na masakrojnë të gjithëve..."
Sipas prononcimeve të zyrtarëve të NATO-s, që nga fillimi i sulmeve mbi "Jugosllavinë",
Prishtina dhe rrethina e saj është rajoni mbi të cilën më së shumti kanë fluturuar avionët e Aleancës... dhe ku janë hedhur numri më i madh i bombave.
"Po ta shohësh sot aeroportin e Sllatinës, e kupton se çfarë ka humbur Serbia nga këto sulme. Ai për 50 vjet nuk do të mund të kthehet në gjendjen e mëparshme...", tregon një ushtarak rom, i cili kërkon që të mos tregohet se nga kush kanë dalë këto fjalë. "Më kanë kërcënuar se në qoftë se do të flas me dikë diçka për shkatërrimet, ose në qoftë se provoj të largohem nga Kosova, do të më pushkatojnë së bashku me tërë familjen..."
Meshkujt e rinj shqiptarë që kanë mbetur në Prishtinë, nuk guxojnë të dalin nga shtëpitë, duke ua lënë kështu të gjitha detyrimet për furnizimin me artikuj ushqimorë dhe gjërat e tjera të domosdoshme për jetë, kryesisht grave dhe personave në moshë.
Për të blerë bukë apo qumësht, duhet të pritet në rresht edhe me orë të tëra, ku shpesh "mban rendin" ndonjë rezervist serb e më shpesh rom.
"A ka këtu ndonjë prej atyre që kanë kërkuar NATO-n!", kishte pyetur një ditë një mbajtës i rendit dhe pasi që askush nuk kishte kthyer përgjigje, ai kishte shikuar letërnjoftimet e të gjithëve me radhë dhe të gjithë shqiptarët i kishte larguar nga radha, duke i lënë kështu pa blerë bukë. Dhe kjo nuk kishte ndodhur vetëm një herë, ndërkaq që njëlloj qëndronte puna dhe me telefonat.
"Kërkoni telefonat nga Clintoni, ai do t'jua japë...!"
Dy-tri ditë pas fillimit të sulmeve të NATO-s, të gjitha lidhjet telefonike të shqiptarëve ishin shkyçur.
"Kërkoni telefonat nga Clintoni, ai do t'jua japë...!" ishte përgjigjja më e shpeshtë e thënë nga punëtorja në sportelin e PTT-së në Prishtinë, kur ndonjë shqiptar kërkonte që t'i lëshohej lidhja telefonike.
Por, dikush kishte pasur edhe fatin që të harronin t'ia ndërprisnin lidhjen dhe ky ishte një fat i përgjithshëm, ngase e tërë lagjja shërbehej me të njëjtin telefon.
"Një minutë nuk po mund të qëndrojmë në shtëpi pa ardhur dikush që e ka caktuar të flasë me telefon me familjarët, nga të gjitha anët", thotë e zonja e shtëpisë dhe telefonit, Zylfia, por, megjithatë, ajo mundohet të tregohet sa më zemërgjerë. "Edhe ashtu nuk po rrihet vetëm, është mërzi..."
Në një ndërtesë tjetër prishtinase telefoni punonte për një arsye tjetër: pronari i banesës e kishte blerë atë nga një serb para disa muajsh, por telefonin ende nuk e kishte regjistruar në emër të vetin - duke bërë që telefoni i regjistruar në emër të një serbi punonte për shqiptarët...
Por, të gjithë vetëm mund të thërrisnin nga jashtë, ngase do të mund të imagjinohej se sa do t'i vinte llogaria, në qoftë se gjithë ato telefonata me Gjermani, Zvicër, SHBA, Maqedoni, Mal të Zi... do të bëheshin duke thirrur nga po i njëjti telefon.
"Këta nuk na lëshojnë lidhjet, ngase frikësohen se nuk do ta përjetojnë që atyre t'u bëhet pagesa", shprehet gjysmë me shaka e gjysmë seriozisht Luli. "Të gjithë brenda javës do të shkojnë".
"Dead man walking"
Shumë nga të dëbuarit nga lagjet: "Taslixhe", "Ulpianë", "Dardani" dhe nga disa lagje të tjera të Prishtinës, pas shumë ditë pritjeje pranë vendkalimeve kufitare me Maqedoninë dhe pas shumë peripecive të kaluara, ishin detyruar të kalonin edhe njëherë nëpër tmerret e rrugës dhe të ktheheshin prapa në shtëpi të veta ose te të afërmit e paktë të padëbuar në Prishtinë.
Një fat të tillë e kishte përjetuar edhe Petriti, i cili së bashku me të shoqen kishte pritur 12 ditë për të kaluar kufirin, në pikën kufitare në Jazhincë, gjë që e kishte dërrmuar shumë. Ata që ia kishin dalë të kalonin nga aty në Maqedoni, kishin përhapur lajmin se Petriti kishte vdekur duke pritur dhe me t’u kthyer në Prishtinë, njerëzit e shikonin sikur të shihnin ndonjë fantazmë.
"Po, nuk kanë gabuar shumë, ngase kurrë nuk e kam menduar se do të më vinte dita që të prisja 12 ditë për të ikur nga shtëpia ime, nga vendi im...", thotë ai me buzëqeshjen e tij karakteristike, derisa me cigare në dorë rrëfente për tmerret që i kishte përjetuar. "Por, përsëri më vjen mirë që u ktheva në shtëpinë time".
Ai me të shoqen ishin ndër të rrallët që ishin kthyer në shtëpinë e veta në "Taslixhe", thuaja etnikisht shqiptare, ku kishte filluar "procesi i krijimit të hapësirave në shtëpitë e shkreta", duke i liruar ato në këtë mënyrë nga të gjitha gjërat e vlefshme.
"Vijnë natën, policë ose paramilitarë, nuk mund t'i dalloj mirë nëpër natë, nganjëherë edhe me kamionë, dhe fillojnë të bartin gjësendet, sikur ta bënin këtë në shtëpitë e veta", rrëfen Musai, po ashtu njëri nga të rrallët që kanë marrë guximin të ktheheshin në këtë lagje. "Më parë shtinë disa herë në ajër, me qëllim që të fusin frikë dhe të mos dalë askush për të parë se çfarë janë duke bërë dhe pastaj fillojnë aksionin... Por, shyqyr prej zotit, ku e dinë se ka banorë brenda, nuk po hyjnë..."
Ndonjë nga shtëpitë e plaçkitura edhe ishte djegur pastaj, por numri i tyre në Prishtinë duket të jetë më i vogël se në Kosovë në përgjithësi.
Një situatë tjetër e krijuar nëpër lagjet me shtëpi të Prishtinës ishte edhe numri i madh i qenve që bridhnin lirisht rrugëve të këtyre lagjeve, pasi që të zotët e tyre ishin detyruar t'i lironin nga zinxhirët dhe t'i linin të lirë. Sheh ndër ta shumë "rothweilerë", të racës së Sharrit, dalmatinë e çfarë jo dhe që të gjithë mund t'i marrësh - pa para.
"Thua ti që kemi pak prej kujt kemi frikë, por tashti duhet të ruhemi që të mos na sulmojnë edhe qentë, që kanë filluar të tërbohen...", tregon e brengosur një grua në moshë.
Muaji i Mjaltit gjatë muajve të NATO-s
Loli me Mimozën ishin martuar në ditën kur NATO-ja filloi sulmet ajrore mbi caqet "jugosllave". Ata të dytë, natën e parë të martesës - "hyrjen dhëndër të Lolit" - e kishin kaluar të shtrirë, së bashku me të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, në korridorin e ngushtë të apartamentit tredhomësh, vendin e vetëm ku nuk kishte dritare.
"E gjithë bota është duke shënuar martesën tuaj. A e shihni çfarë kalibrash janë 'alltitë', me të cilat shtinë e festojnë për ju...?", kishte bërë shaka Titi, i vëllai i dhëndrit të ri.
Ata, vërtet, në vend që të dëgjonin të shtënat me armë në shenjë festimi të martesës - dëgjonin shpërthimet dhe detonimet e bombave të NATO-s dhe në vend që të prisnin që t'i vinin të afërmit dhe miqtë për t'i uruar - prisnin në do të vinte policia serbe për t'i terrorizuar në shtëpinë e veta.
Kishin planifikuar të udhëtonin diku jashtë shtetit për të kaluar Muajin e Mjaltit, por situata e krijuar i kishte imponuar Muajin e Mjaltit më të pazakontë në botë - askush deri më atëherë nuk kishte përjetuar një të tillë nën bombat e 19 shteteve më të zhvilluara në botë, thonë ata.
"Po mirë, edhe tërë bota është duke numëruar ditët prej se jemi martuar!", thotë me shaka Loli, duke aluduar në ditët - "Day 23... Day 34... Day 39..." - që përditë shihen në prapaskenat e studiove të mëdha televizive botërore dhe hedh shikimin mbi gruan e tij, e cila mundohet të mos ankohet për asgjë. Në qoftë se ka vend për t'u ankuar në një situatë të tillë.
Grafite: "Srbija do Haga"
Në njërën nga ndërtesat shumëkatëshe të "Kodrës së Diellit", nga e cila "ishin kursyer" nga dëbimi banorët e saj shqiptarë, në katin e saj të nëntë qëndronte ky mbishkrim: "Ne diraj - srbi".
Ai ishte shkruar nga njëri nga serbët e kësaj ndërtese, polici Jovica, në rast të ardhjes së policëve për të dëbuar banorët edhe nga kjo ndërtesë, i cili këtë e kishte bërë pa i ardhur keq fare për fqinjët e tij shqiptarë, me të cilët gjithmonë kishte pasur marrëdhënie të mira.
Edhe fqinjët e tij duhej të bëheshin sikur nuk e vërenin.
"Ndashtë. Çdokush e kallëzon veten".
Por, mbi të gjitha nuk mund të mos vëreheshin muret e bardha të ndërtesës, ku me flomasterë të kuq dhe të kaltër (si për të simbolizuar flamurin serb) ishin shkruar grafite të reja: "Siptari - ilivan, ili...!" dhe më poshtë ishte vizatuar një varr, "Oj, siptari, oj quqani - doslisuvamcrnidani!", "Ovo je Srbija, ne brisi - ubicu te!", e të tjera të ngjashme. Ndërsa, në njërin vend ku ishte shkruar grafiti i njohur "Srbija do Tokija!", dikush që nuk ishte duruar më, kishte zëvendësuar kryeqytetin japonez me një qytet tjetër dhe tashti aty mund të lexoje "Srbija do Haga!".
"Me asgjë në botë nuk do ta ndërroja këtë përjetim..."
Dhe me gjithë jetën në këtë kryeqytet, jetë e ndërruar për 180 shkallë, banorët e ngujuar brenda në të mundoheshin të shikonin çdo gjë nga ana pozitive. Ishte kjo ndoshta, e vetmja mënyrë për të mbetur normalë, për të mos lajthitur.
"Çfarë ndjenje", thotë Titi, i cili tërë ditën rrinte duke shikuar lajmet në televizorin e vjetruar. "E tërë bota flet për këtë vend, e tërë bota mundohet t'i kthejë njerëzit në këtë vend, kurse ti ndodhesh mu aty. Je pjesë e historisë dhe e konsumon historinë për çdo ditë..."
Pasi që ngrihet për një çast nga kolltuku dhe afrohet për të parë nga dritarja rrugët e shkreta të Prishtinës, megjithatë shton: "Ndoshta, me asgjë në botë nuk do ta ndërroja këtë përjetim..."
P.S. Ky është shkrimi i parë që kam shkruar pasi që kisha dalë në Maqedoni, më 2 maj 1999. Për rreth 40 ditë kisha qëndruar i fshehur në Prishtinë, në përpjekje për të dalë në Tetovë, ku tashmë kolegët e tjerë kishin filluar të botonin të përditshmen “KOHA Ditore” në ekzil.
Botimi i këtij reportazhi në gazetë koincidon me ditën kur na ishte djegur shtëpia familjare në Pejë, për ç’gjë do të mësonim shumë kohë më vonë. Ndërkohë që në gjithë Kosovën kishte filluar ofensiva serbe për dëbimin e shqiptarëve, e përcjellë me masakrat e mijëra civilëve, djegien e dhjetëra e mijëra shtëpive e krime të tjera.
Nuk është ndërruar asnjë fjalë nga versioni origjinal.
Që të mos harrohet!
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...