12 Korrik 2014 - 08:49 - Adriatik Kelmendi
LËVIZJA “VETËVENDOSJE!” ka bërë deri më tash disa kompromise të dhimbshme nga qëllimet e subjektit të tyre në mënyrë që ta arrijë një qëllim, sipas tyre, edhe më të madh –fundin e kapjes së shtetit. E këtë fund të kapjes së shtetit e shohin te dërgimi i PDK-së në opozitë, pas dy mandatesh qeverisjeje.
Kurti&Co. tashmë nuk thonë më se do të bëjnë qeveri nëse do t’i fitojnë mbi 50 për qind të votave (siç thoshin para disa vjetësh), e as se këtë do ta bëjnë vetëm nëse dalin partia e parë në zgjedhje. Ata i shohim të jenë shumë më realistë dhe praktikë tash. Diçka që është shumë e justifikueshme. Sigurisht, nganjëherë duhet bërë veprime të detyrueshme menjëherë, ngase nesër, kur të krijohen rrethanat më të përshtatshme, mund të jetë edhe shumë vonë për të ndryshuar çfarëdo.
Në këtë frymë besoj do parë edhe gatishmërinë makiaveliste të “Vetëvendosjes!” për t’u bashkuar në iniciativë “opozitare” për të krijuar qeverinë me tri subjekte me të cilat ka luftuar thuaja barabar sa edhe me vetë PDK-në.
Pa “Vetëvendosjen!”, e thonë edhe partitë e tjera, vështirë se do të arrihej edhe bashkimi i LDK-së, AAK-së dhe Nismës. Mirëpo, duket se “Vetëvendosje!” nuk ka besuar as vetë fillimisht se këto subjekte të tjera do të jenë të gatshme që brenda pak orësh të dakordohen për të krijuar institucionet e përbashkëta, si kundërvënie PDK-së, dhe tash ka mbetur para dilemës nëse do vazhduar me kompromise parimore, ose kështu po shkojnë aq larg sa po sakrifikojnë edhe kauzat e tyre themeltare.
E qartë. E kuptueshme. E arsyeshme.
Por, nëse “Vetëvendosje!” në iniciativën e “opozitës” ka qenë lokomotiva, ajo ka bërë që tashmë treni të ecën. Dhe në qoftë se gjatë kësaj ecjeje lokomotiva do të shkëputet, kjo do ta bëjë krejt të paqartë edhe arritjen e trenit në stacionin e synuar.
A mund ta çojë “Vetëvendosje!” trenin drejt humnerës, ta anulojë gjithë këtë voyage dhe ta kthejë udhëtarin sërish para peronit duke pritur të blejë biletë?
PA “VETËVENDOSJEN!” blloku opozitar edhe mund t’i ketë votat në Kuvend, mirëpo çfarë stabiliteti dhe cilësie qeverisëse do të mund të sjellë një ekzekutiv i atillë?
LDK-AAK-NISMA do të duhet të kenë me vete gjithë deputetët e komuniteteve pakicë, në mënyrë që të formojnë institucionet. Kjo nënkupton fuqizim të tejskajshëm të subjekteve të pakicave, meqë ata do të kenë pushtetin e kingmakerit. Dhe, natyrisht, se në politikë këto janë penalti që nuk huqen. Lista “Srpska” natyrisht se në këto rrethana nuk do t’i bashkohet asnjë shumice shqiptare pa plotësuar kjo shumicë disa kushte të tyre, që në të njëjtën kohë mund të merren edhe si kushte të Beogradit, duke ditur marrëdhënien e këtij subjekti me Serbinë.
Sa larg do të jetë i gatshëm të shkojë në këtë rast mandatari Haradinaj në mënyrë që të sigurojë votat e nevojshme për përkrahjen e qeverisë së tij në Kuvend?
Nëse Treshja “opozitare” dhe “Vetëvendosje!”, me gjithë pajtimin në vija të trasha nuk do t’ia dalin që të arrijnë gjuhë të përbashkët - pra subjektet politike shqiptare ka gjasa të vendosin të mos jenë unike për shkak të dallimeve nuancuale - atëherë si do të mund të gjenden më shumë pika të përbashkëta për të formuar qeveri me një subjekt siç është “Srpska”?
Çmimi për këtë mund të jetë shumë i lartë, aq i lartë sa për Treshen do ta bëjë shumë më të pranueshme idenë e shkuarjes në zgjedhje të reja të parakohshme se sa të bëhen institucionet e Kosovës peng i një subjekti politik që ka për synim minimin e procesit të rrumbullakimit të pavarësisë së vendit.
Në fund të fundit, është lehtë e kuptueshme, se edhe ai 65-përqindëshi që nuk e ka votuar PDK-në, por ka votuar subjektet opozitare, më të pranueshme do ta kishte çfarëdo qeverie koalicioni me PDK-në brenda, se sa një qeveri që është peng i listës “Srpska”.
E ÇKA NËSE nuk do të arrihet as marrëveshja Treshe – “Vetëvendosje!” e as ajo me komunitetet pakicë (ndërkohë në këtë analizë po mbeten pa u trajtuar edhe situatat e tjera kur për shkaqe të bllokadave mund të provokohen zgjedhje të reja) dhe shkojmë drejt zgjedhjeve?
Fillimisht, kam besuar se në çdo rrethanë, nëse blloku opozitar do të mbetet i bashkuar, do të jetë e lehtë që ta mundin bllokun e PDK-së. Mirëpo, në një situatë kur vetë blloku opozitar bën që të shkohet në zgjedhje të reja, atëherë edhe nuk mund të flasim edhe për një bashkim të mirëfilltë të bllokut opozitar në një koalicion parazgjedhor kompakt.
E para është se ky bllok opozitar megjithatë do të ishte i ndarë në dy taborë, “Vetëvendosje!” dhe LDK-AAK-Nisma.
E dyta, edhe vetë Treshja do të ketë shumë probleme me sjelljen e listave që kishin gjithsej 330 kandidatë për deputetë, në 110.
E treta, duke pasur parasysh fenomenin e shprehive votuese në Kosovë, ku zakonisht më shumë njerëz dalin të votojnë në zgjedhje lokale se sa në ato parlamentare (për shkak se në lista zgjedhore komunale ka shumë më tepër individë që janë në garë e të cilët rrjedhimisht angazhohen të mobilizojnë votues për vete), atëherë një listë prej 110 kandidatëve, krahasuar me 330 kandidatë, logjikisht pritet të ketë më pak angazhim individual për mobilizim votuesish. E këtu nuk do nënvlerësuar edhe hatërmbetjet e ndonjërit nga ata 220 kandidatë që nuk do të mund të jenë pjesë e listës dhe që do të mund të angazhohen kundër.
E katërta, do të jetë shumë më i vështirë mobilizimi i votuesve tradicionalë të partive për të votuar në zgjedhje një kandidat të përbashkët për kryeministër, kur ai nuk do të jetë nga radhët e partisë së tyre.
Dhe, e pesta, e ndoshta edhe më e rëndësishmja, duke pasur parasysh delikatesën e një liste 110- kandidatëshe të Treshes, si dhe “Vetëvendosjen!” e cila garon e vetme, atëherë sërish do të mund të kthehet situata në pikën ku ishte para zgjedhjeve të 8 qershorit.
Një opozitë e përçarë do të ndjellë padyshim sërish shpërndarjen e votës opozitare.
Vetëm se tash edhe votuesi opozitar do të ishte më i acaruar e i pakënaqur me vetë subjektet politike opozitare.
Së këndejmi, “Vetëvendosje!” dhe LDK-AAK-Nisma do të duhej ta pyesnin veten se a do të jetë dhimbje më e madhe nëse do të japin edhe më tepër nga vetvetja me kusht që ta bëjnë qeverinë e përbashkët, ose, si të përçarë, të rrezikojnë të munden edhe një herë në zgjedhje nga PDK-ja!
Treni, kur nuk merr binarët e duhur, rrezikon të përfundojë në humnerë.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...