7 Maj 2016 - 10:36 - Adriatik Kelmendi
EPI FILLOI TA humbte durimin, meqë për rreth gjysmë ore nuk po e lejoja të fliste, ose ta ndërronte kanalin në televizor.
- O bab’, a po më tregon çka po pret?
- Për futboll po merret vendimi... - Si po mendon për futboll?!
- Për ta fitu’ të drejtën t’ luajmë futboll jashtë Kosovës?
- Pse, nuk kena mujtë me lujtë futboll jashtë, a?! S’po kuptoj! Pse?! Kush nuk na ka lanë?! Kur e pa gëzimin tim shpërthyes, dhe britmën në kupë të qiellit, u çudit edhe më tepër. - Bab’, ti as nuk shikon futboll!... Pse po gëzohesh kaq shumë për futboll?! Kishte të drejtë! Unë nuk shikoj futboll. Ose shikoj futboll vetëm në rastet kur bëhet fjalë më tepër për politikë sesa për sport. Si për shembull: kur luan Shqipëria me Serbinë. Por, gjithsesi se do të më duhet t’i shikoj ndeshjet në futboll që tash Përfaqësuesja e Kosovës do t’i luajë. Meqë, bëhet fjalë për shumë më tepër sesa një sport.
- Siç duket në “pleqni” do të filloj, - iu përgjigja. DERI MË TASH, Zana dhe unë kemi bërë shumë përpjekje që t’i kursejmë djemtë tanë, Epin, 8 vjeç, dhe Lirin, 6, nga rrëfimet për padrejtësitë që na janë bërë e na bëhen vetëm pse kemi qëlluar pjesëtarë të një etnie të caktuar. Duke qenë se njëri ka lindur vetëm pak muaj para, e tjetri një vit pasi që Kosova të shpallej shtet i pavarur, kemi dashur dëshpërimisht të besojmë se përfundimisht brezi i tyre do të jetë i pari që do të bënte jetë normale në këtë vend. Për këto arsye, vetëm tash së voni kemi filluar t’u flasim nga pak edhe për luftën që kemi përjetuar, edhe për kryerjen e shkollave nëpër shtëpi private e edhe për dëbimin e prindërve tanë nga puna.
Të gjitha këto, duke pasur një kujdes të hollë që në ta të ngulisim dije të domosdoshme për historinë e rishtme e të shkuar, por jo edhe me urrejtje. Urrejtja – duhet të jemi të vetëdijshëm – ka bërë që brezi ynë, njësoj si dhe brezat e shqiptarëve në Kosovë para nesh, të vuajnë. Urrejtja, bashkë me përçmimin, që në këtë rast një pjesë e serbëve kanë pasur ndaj shqiptarëve, ka bërë që edhe të shtypemi e edhe të na çojë në luftë, në vrasje e shkatërrim. E urrejtja është ndjenjë negative që e ngarkon njeriun. Thjesht, sa më pak urrejtje aq më pak konflikte e luftëra. Sa më pak luftëra, aq më pak vuajtje njerëzore.
Nëse në kontekstin e Kosovës shtet, ku shqiptarët më në fund kanë fituar lirinë e merituar dhe mund të vendosin vetë për fatin e vet, do të fillonim t’i mbarsnim brezat e rinj me urrejtje ndaj serbëve për të zezat që na kanë bërë, ne mund të prodhojmë konflikte, vdekje e vuajtje të reja. Urrejtja e ushqyer nga një individë i projektuar në nivel superioriteti ndaj një individi ose grupi të caktuar tjetër nxit ndjenjën e hakmarrjes. E hakmarrja mund të nxisë një qark të ri të dhunës, rrjedhimisht konfliktit, vdekjes e vuajtjes.
E, TASH, NË SEBEPIN e futbollit, si t’i shpjegohet një 8-vjeçari se jo vetëm që kanë qenë disa pjesëtarë të një etnie tjetër që e ka ndier veten superiore ndaj nesh, duke nxitur edhe luftën, por që ata edhe 17 vjet pas asaj lufte vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden në mënyrë që ne të na privojnë nga e drejta për jetë normale?! Si t’i shuhen shpresat një fëmije që sapo ka filluar të dijë diçka për jetën dhe të ëndërrojë se ku do të arrijë gjatë në këtë rrugëtim, se ka dikush që dëshiron t’ia ndalojë ëndrrën?! Se ai mund të luajë futboll, se mund të jetë më i miri i shkollës, më i miri i qytetit, ose më i miri i shtetit, porse nuk mund të garojnë më futbollistët e shteteve të tjera, meqë në këtë e pengojnë disa të një shteti tjetër, të cilët e kanë penguar edhe babën e tij, edhe gjyshin e tij, edhe stërgjyshin e tij që të jetojë një jetë me liri të barabarta me të tjerët?!
Si ta shpjegosh gjithë këtë marri, e që sërish të mos mbjellësh farën e urrejtjes te një fëmijë i vogël?! Zana dhe unë duket se nuk kemi ditur. Dhe për këtë arsye ishim dorëzuar, duke e shtyrë rrëfimin për të vërtetën gjithnjë për - më vonë. DUKET SE me dy lajmet e mira që na erdhën njëri pas tjetrit këtë javë, Serbia është duke numëruar ditët e fundit të fuqisë për t’i privuar qytetarët e Kosovës për të bërë jetë normale si qytetarët e shteteve të tjera të Evropës. Për këtë arsye, dështimi i Beogradit për ta penguar Kosovën që të bëhet anëtare e UEFA-s nënkupton shumë më tepër sesa vetëm e drejta për t’u përfaqësuar në një garë sportive ndërkombëtare.
Për këtë arsye, rekomandimi për liberalizimin e vizave ka domethënien shumë më të fuqishme sesa vetëm qarkullimi i lirë, meqë pjesën më të madhe të fajit përse Kosova ka mbetur getoja e fundit në Evropë e ka edhe Beogradi me gjithë ato që na ka bërë gjatë një çerek shekulli. Për këto arsye nuk do të kemi më arsye t’i mbajmë në rrena fëmijët tanë. Sa më parë që e kupton edhe Beogradi këtë, do të jetë më mirë për të gjithë. Sakaq, me këto arritje historike, të cilat gjithsesi do t’ua hapin derën edhe thyerjes së barrierave të tjera artificiale për Kosovën, ne vetëm sa do të dalim nga minusi dhe do të arrijmë në pozicionin zero.
Pozicioni zero është edhe momentumi që ne na heq pengesat për të gëzuar të drejtat e përafërta me qytetarët e shteteve të tjera evropiane. Se ku do të arrijmë më vonë krahasuar me po këto shtete të Evropës, kjo do të varet në masën më të madhe ekskluzivisht nga vetë ne. Nga shteti normal për t’u bërë shtet i zhvilluar dhe i përparuar duhet ende shumë punë.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...