Një Brexit evropiano-amerikan për Kosovën

11 Qershor 2016 - 09:57 - Adriatik Kelmendi      

Çka do të nënkuptonte për Kosovën nëse Hillary Clinton zgjidhet presidente e SHBA-së? E çka nëse fiton Donald Trump? Çka nëse Britania del nga BE-ja? Çka nëse del edhe Franca?

TË KURTHUAR në debatet kryesisht shterpe politike të brendshme, opinioni publik në Kosovë u ka kushtuar fare pak vëmendje zhvillimeve të jashtme politike, të cilat mund të ndryshojnë rrënjësisht rregullat e lojës edhe në rajon.
E cilido që të jetë rezultati i këtyre proceseve politike në zhvillim e sipër në Evropë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë ndikim të madh edhe në Kosovë.

E para ka të bëjë me garën zgjedhore në SHBA, aleatit kryesor të Kosovës, kurse e dyta me fatin e Bashkimit Evropian, institucionit ku Kosova synon të anëtarësohet.
HILLARY CLINTON këtë javë ka siguruar vendin e saj në histori, duke qenë kandidatja e parë grua për të udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë. Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit ka siguruar mbështetjen e nevojshme për të qenë e nominuara e Partisë Demokratike për Presidente të SHBA-së. Me këtë rast, znj. Clinton do të shënonte edhe një arritje tjetër historike, meqë do të bëhej edhe presidentja e parë amerikane, e cila edhe partnerin bashkëshortor, Bill Clinton, e ka pasur po ashtu president.

Për Kosovën, por edhe për shqiptarët përgjithësisht, kthimi i çiftit Clinton në krye të shtetit më të fuqishëm të botës, nënkupton patjetër një shans të artë për mbështetje të vazhdueshme amerikane. Me një mençuri politike, ashtu siç Kosova fitoi lirinë e saj me vendimin e Presidentit Bill Clinton për ta bombarduar Serbinë, mandati presidencial i Hillary Clintonit do të mund të shfrytëzohej që Kosova ta rrumbullakonte pavarësinë, me anëtarësim në OKB.

Në anën tjetër, në SHBA mund të ndodhë edhe befasia. Miliarderi kundërthënës Donald Trump ka siguruar tashmë votat për të qenë kandidat i Partisë Republikane për t’u ulur në Zyrën Ovale. Nga një autsajder total, siç pandehej në fillim ta garës, Trump, me anë të retorikës së tij radikale konservative dhe kundër të huajve në SHBA, ia doli t’i mund të gjithë kundërkandidatët republikanë në garë. Dhe shumëkush parashikon se nuk është larg mendsh që dehja me fenomenin Trump - me gjithë kundërshtitë e mëdha si brenda dhe jashtë SHBA-së - do të mund ta sjellë atë edhe në krye të shtetit.

Në këtë rast, angazhimi i tij për shqiptarët e Kosovën, por edhe Ballkanin në përgjithësi, do të jetë i pamatshëm me atë që pritet ta ketë Hillary Clinton.
Te fqinjët tanë veriorë tashmë ka filluar të shprehet fuqishëm dëshira që në Shtëpinë e Bardhë të hyjë Trump, veçanërisht duke kalkuluar në politika më pak favorizuese për Kosovën sesa do të kishte një presidente si Clinton.

Çka do të nënkuptonte për Kosovën Donald Trump si President i SHBA-së?
Duket se për një analizë të këtillë tash për tash askush këndej nuk po gjen kohë.

NË ANËN TJETËR, më 23 qershor, Britania e Madhe do të dalë në referendum, ku votuesit do të vendosin nëse ky shtet do të vazhdojë të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ose do të dalë. Vendimi britanik, të cilit i është vënë nofka Brexit, do të mund të ketë efekt zinxhirë në fatin e institucionit më të rëndësishëm evropian, të vendosur në Bruksel. Gjatë javës, matës prestigjiozë të opinionit publik në Britani, por edhe ekspertë të tjerë, kanë vlerësuar se gjasat janë të mëdha që qytetarët të votojnë për dalje të Britanisë së Madhe nga BE-ja, përveç “nëse ndërkohë nuk do të ndodhë diçka e madhe që do ta tronditë” skenën britanike.

Ndërkohë, ky hap i rëndë i Britanisë, shtetit që është edhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vjen në kohën kur euroskepticizmi në vendet anëtare të BE-së ndodhet në majat e tij.
Anketa e fundit e një prej organizatave më të mëdha botërore për hulumtim të opinionit, “Pew Research Center” (http://www.pewglobal.org/2016/06/07/euroskepticism-beyond-brexit/), tregon se tashmë vetëm 51 për qind e të anketuarve në 10 shtete anëtare të BE-së kanë qëndrim pozitiv për këtë institucion. Krahasuar me të njëjtën anketë të vitit 2004, kënaqshmëria me Bashkimin Evropian ka rënë në një mesatare prej 10 deri në 30 për qind në secilin prej këtyre shteteve, pavarësisht se 70 për qind të respondentëve të njëjtë janë shprehur se dalja e Britanisë nga unioni do të ishte gjë e keqe.

Mbi të gjitha, në njërin prej dy shteteve që e kanë themeluar Bashkimin Evropian, Francë, euroskepticizmi është më i madhi dhe vjen menjëherë pas atij të Greqisë. Vetëm 38 për qind e francezëve sot janë të kënaqur me politikën e BE-së, teksa ka rritje të vazhdueshme të popullaritetit të partive radikale të djathta, që kërkojnë daljen.

Partia Fronti Nacional, e udhëhequr nga Marine Le Pen, ia ka dalë që në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në vitin 2014, në Francë, të dalë e para me afro 25 për qind të votave, duke shënuar herën e parë që një subjekt politik që është kundër BE-së dhe politikave favorizuese ndaj imigrantëve i mund partitë e tjera.
Po ashtu, kjo parti e ekstremit të djathtë ka shkuar duke shtuar popullaritetin edhe në garën përfaqësuese brenda Francës, duke dalë e para në 6 nga 13 rajone franceze, vitin e kaluar. Shumë analistë parashohin edhe rritjen e mbështetjes për ksenofoben Le Pen, pas akteve terroriste që kanë ndodhur në Francë gjatë muajve të fundit.

Tash, bazuar në këtë ritëm, çka në qoftë se edhe në krye të Francës një ditë vjen Marine Le Pen?
Çka nëse vërtet Britania do të dalë nga BE-ja?
Pa këto dy shtete të fuqishme evropiane, institucioni i Bashkimit Evropian nga shumëkush do të mund të shihet vetëm si një Gjermani e zgjeruar. Sa do ta kishte jetën e gjatë një institucion i tillë?!
Natyrisht, se me këto çështje në Kosovë tash për tash askush nuk do ta marrë mundin të merret!

[email protected]
Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...